Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Bilbil gjuhëz ari…

Bilbil gjuhëz ari,
E harrova benë!

U përpoqa shumë
Ta prishja folenë.
Fshehtaz buzë lumit
Hip e zbrit në pemë.

Zgjatur, kacavjerra,
Hë dhe pak ta kap!
Flatra kënge çerdhja
Rrihte qiellit lart.

U mata ta vrisja
Po më theri zemra.
Pushkës fikur krisja
Ndezur shpirtit kënga.

Sikur fluturoja…
Thoja, bilbil, thoja!

S’di si humba udhët
E m’u veshën sytë.
Ku s’më çonte zëri
Kur ia thosh me grykë!

Qiejt duke zbardhur
Derdhnin agullimin.
Nën jorgan pulitur
Yjet ëndërrinin.

Nder ia dimë Pandorës
Ngutjen dhe harresën
Kur çliroi telashet
Në kuti la Shpresën.

Trastë e jetës shkrehur
Grirë e shpuar vrimash.
Shpirti thellë fshehur
Fole cicërimash.

Thoja, bilbil, thoja,
O të lumtë goja!

Please follow and like us: