Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Ik o shpirt e arratisu!

Herë të vret një fjalë si plumbi,
Herë një ligësi që s’ndal,
Si duron o shpirti im?
Arratisu në një mal!

Herë të vret një “mik” i heshtur,
Dhe i fshehur dhe i lig,
Eshtë e dhimbshme, shumë e dhimbshme,
Kur të del miku armik.

Diku vrasin thashethemet,
Vrasin shpifjet pa mbarim,
Ik o shpirt e arratisu,
Ku rrjedh ujin një burim!

Diku vret një pushtetar,
Një mashtrues i pabesë,
Shpirti im ik arratisu,
Fshihu në një pikëz vese!

Disa vrasin ëndrrat tona,
Krejt në heshtje dalëngadalë,
Ik o shpirt e arratisu,
Në një pyll a në një mal!

Diku vritet një njeri,
Nga një grindje kot së koti,
Ik o shpirt e arratisu,
Fshihu tek një pikë loti!

Diku sheh dy sy të nxirë,
Të një zonje, të një nëne,
Ik o shpirt e arratisu,
Fshihu si një yll pas hëne!

Diku vret një thikë pas shpine,
Ndaj në gjoks ndjej shumë trishtim,
Ç’bën këtu me mëkatarët?!
Arratisu shpirti im!