Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria ka strehuar 351 shtetas nga Ukraina

Shqipëria ka strehuar 351 shtetas nga Ukraina që pas nisjes së luftës në këtë vend. Shifrën e konfirmo të mërkurën ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë një takimi me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.
“Pata sot një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, të cilin e garantova për mbështetjen e Shqipërisë për shtetasit e Ukrainës që kanë ardhur në vendin tonë apo që mund të mbërrijnë në të ardhmen për shkak të luftës. Aktualisht në Shqipëri po qëndrojnë 351 shtetas nga Ukraina, të cilëve iu është dhënë mbrojtja e përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin. Të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratojmë në vijim nëse është e nevojshme, për t’iu gjendur pranë atyre që largohen nga konflikti”, tha zoti Çuçi.
Ministri i brendshëm shqiptar përsëriti solidaritetin e Shqipërisë për njerëzit që largohen nga vendi i tyre për shkak të konfliktit.
“Shqipëria është një shembull shumë domethënës kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë. E dëshmuam këtë edhe së fundi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’ju gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira”, shtoi ministri Çuçi.
Shtetasit e Ukrainës që largohen nga vendi i tyre mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë për një periudhë 1-vjeçare, pa qenë nevoja të pajisen me leje qëndrimi.

Please follow and like us: