Kiev, kryeministri britanik takon Presidentin Zelensky
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka mbërritur në Kiev, ku është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ambasada ukrainase në Britaninë e Madhe ka shpërndarë fotografinë e dy liderëve teksa bisedojnë përballë njëri-tjetrit. Kryeministri britanik udhëtoi për në Ukrainë që të takonte nga afër presidentin Zelensky dhe të tregonte solidaritet për popullin ukrainas. Ata do të diskutojnë për mbështetjen e Britanisë së Madhe në Ukrainë ndërsa kryeministri do të ofrojë një paketë të re financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Nënkryetari i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Sybiha bëri një postim në Facebook ku thoshte se Johnson dhe Zelensky po bëjnë një takim “kokë më kokë”. “Britania e Bashkuar është lider në mbështetjen e mbrojtjes për Ukrainën. Lider në koalicionin kundër luftës. Lider në sanksionet kundër agresorit rus,” shkroi ai. Kujtojmë se në Ukrainë ishte edhe kryetarja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, e cila vizitoi Buchan, ku pas tërheqjes së trupave ruse, e gjithë bota pa mizoritë që kishin kryer atje trupat e Moskës. “Është e tmerrshme. Pothuajse nuk kam fjalë për të përshkruar atë që pashë. E pabesueshme shokuese, kjo është fytyra brutale e luftës së Putinit”, ishte komenti i saj. Von der Leyen sqaroi se kishte diskutuar me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal “mbi atë çfarë blloku mund të bëjë më shumë, sanksionet, mbështetjen fdinanciare, mbështetje për refugjatët, ndërsa theksoi se Kievi do të marrë akoma edhe më shumë armë”.