Ilir Levonja: Filloi farsa me presidentin
Në kuvendin e Shqipërisë janë 140 deputetë, herë 3 kandidatura, baraz 420 të tilla. Shto edhe të gjithë propozimet nga shoqëria civile, apo interneti, pasi sipas Elisa Spiropalit, Partia Socialiste ka vënë re një sensibilizim të shqiptarëve, që duan një president nga populli. Ne do t’i respektojmë këta, thotë ajo, por në fund jemi ne që do vendosim etj. Me një fjalë, shto edhe emrat e shoqërisë civile, nja 100 emra të tjerë, bëhen 520 kandidatura. Por shto edhe argumentat e Taulantit me Elisën për gjoja identitetin e tij, është një tallje e radhës. Eshtë pikërisht koha më vulgare ku aktor nuk është vetëm politika, por edhe ju si shoqëri. Nëse vërtetë duam të bëjmë diçka të mirë për vendin tonë, harroni këtë lloj praktike a zgjedhje presidenti. Harroni emrat që keni propozuar për hir qokash apo qejfe grupimesh, me gjoja prirje dhe gjetjen e burrit apo gruas me moral të lartë, të ndershëm etj. Vendi ka nevojë për së pari për një proçes të mirëfilltë zgjedhje. Pra, mënyrën se si duhet ta zgjedhim presidentin, jo emri që duam. Shumë nga ju besojnë se është e pa mundur për shkak se do ndryshoj edhe sistemi administrativ i republikës, me një fjalë do jemi republikë parlamentare apo presidenciale? Se gjoja Italia e ka kështu, apo Serbia ashtu! Pikë së pari as tani nuk jemi republikë as parlamentare as presidenciale, jemi rebuplikë bananesh. Po të ishim republikë parlamentare pas djegies së mandateve në shkurtin e vitit 2019 nga opozita e kohës, vendi duhet të kishte kaluar në zgjedhje të reja. Jo vetëm që nuk u ofruan, por karriket bosh u zëvendësuan me emra listash. Pra nuk ndodhi, madje një vit më vonë në pamë votime lokale dhe jo zgjedhje. Madje me këtë parlament a kuvend listash u bënë ndryshime tragjike kushtetuese duke i dhënë mundësinë anarshisë të pluskonte botën shqiptare. Eshtë koha më brutale kur na vuri poshtë tërmeti dhe pandemia. Nga kjo kohë zbuluam se nuk kishim aftësi të rindërtonin shtëpitë për njëri-tjetrin ndaj iu nënshtruam ndihmave nga orienti, megjithëse në krye të mureve mbajmë foton e Ismail Qemalit, themeluesit dhe pavarsuesit të shtetit tonë, pikërisht nga otomanët. Për pandeminë u bëm gaz i botës duke iu hakërryer Evropës se nuk po na jepte para për vaksina. Por ajo çfarë është më tragjikja, është fakti i ikjes së brezit më vital për shkak se nuk gjen hapësirë në jetën sociale të vendit. Sot aty nuk mjafton asnjë lloj kualifikimi përveç teserës së partisë në pushtet. Madje një insitucion lokal si Bashkia përshembull, ka një numër të trefishuar nënpunësish që nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm marrin rrogë. Për rrjedhoj pushteti absolut i Shqipërisë sot është vetëm tek një kokë. Kjo është ajo e kryeministrit. Pas ndryshimeve kushtetuese të 2008 balancimi i pushteteve ka vdekur, kësisoj një president nga populli do të ishte hallka më e duhur për të balancuar pushtetin. Shefi i qeverisë aktuale, siç e thotë edhe vet, nuk ka bir kurve që e kontroll. Ai është bërë zot dhe nuk do njëri mbi kokë. Pa diskutim që është e mundur që presidenti të zgjidhet nga ju, por kur kryeministri deklaron publikisht se nuk do një të tillë, kjo që po ndodh është një marrëzi kolektive. Kësisoj ne nuk kemi për ta ndrequr vendin tonë. Sa kohë që ju besoni se presidenti që ofron qeveria do jetë garant kushtetues, unifikues, apo një person i gjithë pranuar, jeni kryekëput gabim.