Fritz RADOVANI: IMZOT ERNESTO ÇOBA!
IMZOT ERNESTO ÇOBA, (1913 – 1980)
Jo larg nga Shkodra në Vaun e Dejës, asht kenë Kisha ku asht kunorzue i madhi Gjergj Kastrioti, e njohun Kisha monumentale e Vaut të Dejës. Kur Shkodra ishte e rrethueme në 1912, aty kishin shkue prindët e Imz. Çobës. Asaj Kishë Ai i ka qendrue besnik deri në vdekje dhe pa ju tutë syni.
Asht kenë viti 1913, me 16 Shkurt, kur në Vaun e Dejës u le Ernesto Luigj Çoba, atëherë kur Katedralia e Shkodres rrahej në top nga Mali i Zi.
Ka vazhdue shkollen tek Jezuitët e Shkodres, dhe vendosi me u ba Meshtar.
Me datën 11 Shkurt 1936, Imzot Gjon della Pjetra SJ., e shuguron meshtar në Kishën e Shën Jozefit, pranë Jezuitve, ku Don Ernesto vazhdoi me kenë mësues. Mbas shugurimit të Imzot Gaspër Thaçit, me datën 19 Mars 1936, Don Ernesto asht ndihmës famullitar i Shkodres, deri me datën 30 Prill 1946, kur emnohët Zv. Famullitar në Shkoder.
Prej datës 16 Dhetor 1946 e deri me 1 Janar 1952 asht sekretar i Arkidioçezit të Shkodres, kohë në të cilën vdes Imzot Gaspë Thaçi, arrestohet Don Mikel Koliqi dhe kështu, Don Ernesto, merr titullin e Famullitarit të Shkodres. Me datën 20 Prill 1952 shugurohet Ipeshkev nga Imzot Bernardin Shllaku, Ipeshkëv i Pultit dhe tue kenë i vetëm Ipeshkëv në Shqipni. Imz. Çoba mban detyren e Sekretarit të Pergjithshëm të Kishës Katolike.
Nga data 9 Nandor 1956 kur vdes Imzot Bernardin Shllaku, dhe deri me 21 Mars 1957, pret miratimin nga qeveria e Tiranës, e cila simbas Statutit të Kishës Katolike që ishte aprovue në vitin 1951, e aprovon si Kryetar i Kishës Katolike në Shqipni. Menjëherë u gjet para një prove të madhe dhe shumë delikate, mbasi me datën 7 Prill 1858 ishte dita e vumjes së gurit të parë të Kishës Kathedrale të Shkodres, kështu Imzot Çoba fillon detyrën pikërisht në pragun e 100 vjetorit të Asaj Kishë, që gjithmonë asht thirrë Kisha e Madhe. Merita e pregatitjes së asaj festë i përket Imzot Çobës, i cili me punën e madhe të Tij dhe kujtimin që ka lanë në historinë e Shkodres, thohet pa mëdyshje se ka mbetë i paharrueshëm në zbukurimin e Kishës dhe zhvillimin e ceremonive të Festës. Imzot Çoba ka dy merita për punën artistike që u ba në ndertimin e ri t’ Elterit të madh simbas projektit të arkitektit, piktorit dhe skulptorit Kol Idromeno, që ishte dhe daja i nanës së Imzot Çobës, vepër e cila kompletonte edhe tavanin e mbrekullueshëm të Kathedralës që ishte punue nga vetë Kola. Njëkohësisht sfondi i Elterit i punuem nga piktori At Leon Kabashi, ndersa kuadri i madh i vendosjes së gurit të parë nga piktori Simon Rrota plotsojnë anen estetike. Punimi i katekizmit në shtyllat e Kishës, në mungesë të teksteve se nuk mund të botohej asgja për me mësue besimin fëmijët, janë vepra që meritojnë me u quejtë dinjitoze po, edhe shumë të guximshme tue dijtë luftën e madhe që i bahej Kishës dhe Klerit nga shteti fanatik antikatolik komunist i Tiranës.
Por Imzot Çoba nuk mjaftohet me kaq, Ai njëkohësisht pregatitë në kushte private, përndjekjet dhe survejimi disa klerikë të rijë, në një kohë rekord që nuk ka as seminar, as profesora dhe as tekstet e nevojshme që duhen për atë qellim, megjithate ia arrinë me shugurue: Don Simon Jubani, Don Matish Lisna, Don Martin Trushi, Don Ernest Troshani, Don Zef Simoni, Don Ndoc Nogaj, Don Luigj Kçira, Don Ndoc Volaj, Don Kolec Toni etj., si dhe dy Martirët e Kishës Don Marin Shkurti e Don Mikel Beltoja, që u pushkatuen nga komunistët barbar, tue lanë vetën e Tyne të perjetshëm në Historinë e persekucionit të Kishës Katolike në Shqipni.
Imzot Ernesto Çoba vazhdon hapjen e rrugës së ipeshkvijve të rijë, mbasi parasheh edhe përmbytjen e vendit nga diktatura. Nuk ka një familje në Shkoder katolike apo muslimane që ia ka mësye derës së Argjipeshkvisë dhe nuk e ka ndihmue Imzot Çoba, kur ishte fjala për me i çue dishka të nevojshme një të burgosunit apo të interrnuemit, në burgje e kampe të shfarosjes. Porsa u mbyllën Kishat, sigurimi kerkoi me gjetë shpifës në Shkoder, kundër Imz. Çobës. Besoj se shkodranët nuk e harrojnë fjalën e Burrneshës muslimane Adile Ashikja, në mbledhjen e lagjes së saj, kur i kërkohej me shpifë kundër Imz. Çobës: “Unë kam shkue me lypë tek Ai paret e bukës dhe Ai, më dha ma shumë se i kerkova. Ju sot, kerkoni që Buken që Imz. Çoba më fali, unë me ia shperblye me shpifje!
Ai asht kenë dhe mbetët për mue gjithë jeten, një Meshtar i Nderuem i Fesë Katolike në Shkoder!”
Përpjekjet e Imz. Çobes janë të vazhdueshme për gjallnimin e besimit, forcimin dhe përhapjen e Tij, kryesisht me fëmijët dhe të rinjtë. Imzot Çoba thonte meshë e sakramend, rrëfente, predikonte fenë dhe gjindëj kudo në rrugicat e qytetit tue shkue me kungue të sëmurët apo, të pamujtunit me shkue ndër Kisha që survejoheshin, ndonse, Ai luftohej pa pikë mëshire. Kjo luftë sa vjen dhe bahet ma e rrebtë me “Revolucionin Ideologjik dhe Kultural”, që merr edhe pamjen e plotë të diktaturës barbare komuniste me 19 Mars 1967, ku shteti i merr edhe çelsat e Kishës Kathedrale të Shkodres, tue i mbyllë të gjitha Kishat e vendit me dhunë nga Ever Hoxha.
Kjo ditë asht fundi tragjik edhe i Imzot Çobës, i cili ndodhët përballë Sigurimit të shtetit që përfaqsohet me komunistin servil dhe hipokrit Angjelin Kumrija, që shkon në kontrollin që ushtrohet në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres. Ky komunist dallkauk e spijun arrinë deri aty sa kur kontrollon dhomën e punës së Imzot Çobës, kërkon me ushtrue në mënyrë të paturpëshme kontroll në trupin e Imzotit të Nderuem Çoba, tue e detyrue me çveshë pantollonat, se mos ka mshef gja dhe, me të drejtë Don Mark Hasi i ka thanë ato ditë Nanës seme: “Ate që na ka ba atë ditë Angjelin Kumrija, nuk na e ka ba as Sigurimi i shtetit!” Por, kjo nuk ishte vepra e parë e Angjelinit që tregonte “besnikrinë” e tij ndaj Sigurimit të shtetit.
Po komunistët a u mjaftuen me kaq? – Jo, jo, se porositë e skiles tjetër Ramis Alisë në Shkoder, duheshin çue deri në fund e sidomos, kur bahej fjalë për katoliçizmin kuptohet që nuk kishte asnjë lëshim deri në zhdukje të plotë dhe të dhunshëm të Klerit dhe të Kishës Katolike në Shqipni.
Organizohet një mbledhje në vitin 1967, mbas arrestimit të Sekretarit të Kishës, Don Mark Hasit me 7 Prill 1967, tek shkolla Pyjore për demaskimin e Imzot Çobës. Si kudo ndër ato mbledhje nuk mungojnë as shpifsit, as llafazanët dhe as spijunët ordiner që, ishin altoparlantët e PPSH në ato salla, ku mbas “duertrokitjeve” të tyne, klerikve iu venin prangat xhelatët e Sigurimit të shtetit. Por, krejt ndryshej ndodhë me Imz. Çoben, ku asht pregatitë terreni për arrestim në atë mbledhje, çohet në kambë shoferi trim Dedë Gjushi dhe deklaron: “Sot njëkëtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!” dhe, me të vërtetë “nuk guxoi askush!”. Akti i Dedës tronditi edhe ideatorët e arrestimëve, ndonse “ky emën Hero!”, asnjëherë nuk zehet me gojë. (F.R. “Një Monument nën dhé”, fq. 304, v. 2004)
Në shfletimet e proceseve të viteve 1957, 1958 e prap ma vonë, nga deponimet false të At Rrok Gurashit, Don Ndoc Sahatçisë etj., dhe një letrës së shkrueme nga Ndoc Nogaj e Gjon Shllaku, në vitin 1958, kur këta dy largohen nga Argjipeshkvia, (letër e cila ruhet në Arkivin e Shtetit Tiranë e jepet lirisht për me u lexue për “përmbajtjen e saj”), mbi këta akte të turpëshme Sigurimi i shtetit krijon mundësinë e arrestimit të Imzot Çobës, dhe “fajsia e Tij” formulohet mbi bazën e sa shpifjeve e trillimeve, kështu, edhe flet arresti lëshohet me datën 3 Prill 1976, por arrestimi bahet me datën 24 Prill, tue u akuzue për “trathti ndaj atdheut dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.” Bashkë me Ate ato ditë arrestohen edhe disa priftën tjerë.
Një ndër to asht Don Lec Sahatçija, ish Sekretar i Imz. Frano Gjinit dhe ruejtës i dy letrave të Tija, të cilat me këte rasë zhduken, mbasi Don Leci nuk doli ma nga burgu, vdiq i dënuem 25 vjet, por duhet theksue se Ky prift mbajti një qendrim burrnor edhe ndaj Imzot Çobës, gja të cilën meshtarët të tjerë edhe pse ishin shugurue nga duert e Tija, në gjyq nuk e bane, madje, gjatë zhvillimit të gjyqit me dyer të mbylluna edhe e randuene Imzot Çoben me akuza false, për të cilat Ai u dënue 25 vjet burg të randë, por edhe vdiq i pafajshëm i shtrimë ndër çimentot e birucave të qelive të Sigurimit të shtetit. Të tjerët pa përjashtim edhe pse dolën nga burgu endè sot nuk kanë ba asnjë rrëfim publik dhe as, nuk kanë kërkue asnjë falje për ata vepra ndaj Imzot Çobës, tue u nisë ndoshta, se ishim nën tortura dhe nuk mujtëm me qëndrue. Ndonse pesha e shpifjeve asht shumë e randë.
Ata duhet me dijtë se ma shumë nën tortura asht kënë Imzot Çoba, për me e detyrue me pranue akuzat e tyne falso, por Ai e ka pasë burrninë sa me qendrue dhe me deklarue edhe para gjyqit fals se: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!” (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).
Ky ishte Imzot Ernesto Çoba përballë disa hetuesve kriminel si Ali Xhunga, Xheudet Miloti, etj., dhe, me po aq Burrni asht i patundun në bankën e t’akuzuemve para Kryetarit Sheuqet Muçi, anëtarit Xhemal Gramshi dhe prokurorit të “Revolucionit Kultural 1967”, të njohtunit Faik Minarolli.
Ja qendrimi i vërtetë i Martirit Ernesto Çoba, i cili nuk akuzon asnjë njeri, nuk fyen me asnjë fjalë asnjë nga shpifsit, nuk randon asnjë qytetar nga dëshmitarët e rremë dhe nuk denoncon asnjë nga veprimet jo të mira ose të dobta të shokve të vet klerikë, për të cilët akuzohet se “ka heshtë ose nuk ka marrë masa ndeshkimore.” Asnjë qytetar apo fshatar i Shkodres nuk asht viktimë e Tij, sëpse Ai gjenë forca me rezistue dhe mos me folë për asnjë njeri e, mos harroni se zyra e Tij asht kenë e hapun për katolik e musliman të të gjitha monstrave e modeleve të Shkodres, që nuk i kanë mungue.
Ai asht i vetdijshëm se ndodhët në atë bankë i akuzuem vetem pse asht Klerik Katolik dhe armik i vëndosun i komunizmit, me të cilin asnjëherë nuk ka ba asnjë kompromis në asnjë kohë. Ai asht i pastër moralisht dhe shpirtnisht para shokve, miqve, armiqve dhe mbarë Popullit Shqiptar, të cilve iu ka sherbye si fetar dhe Shqiptar, prandej edhe me gjakftohtësi pret vendimin e “pafajsisë së Tij”, tue Ju nënshtrue vullnetit të Zotit, me 25 vjet heqje lirie, tue kenë edhe me një gjendje shëndetsore shumë të randë.
Terroristët e sigurimit shtetit si gjithnjë, edhe pse e dinin gjendjen e Tij, si pasojë e vuejtjeve të randa me datën 8 Janar 1980, e mbytën edhe Këte Martir si shumë të tjerë, në një nga repartet e Spitalit Civil të Tiranës.
Në vitin 1992, më ka tregue oficeri i zjarrfiksave Augustin Sheshi: “Njëditë më tha një shok se do të shkonte në gjyqin e mbyllun të Imzot Ernesto Çobës, ku, më ftoi edhe mue. Shkova. Porsa e pashë më bani një përshtypje të madhe pergjysmimi i trupit të Tij të shkurtë dhe lodhja e madhe nga hetuesia. Përnjëheresh mu kujtue kur ishim fëmijë në rrugë të Luigj Gurakuqit, dhe kur luenim me topa leckash që porsa kalonte Imzot Çoba, ndalonim lojen dhe vraponim me i puthë unazën.
Ai na bekonte dhe mandej kalonte në punën e Tij. Ndaj Atij Kleriku që i donte aq shumë fëmijët e shokët e Tij, disa dëshmitarë nuk lane gja pa thanë për Tè por, që më ka ba ma shumë përshtypje sesi u shpreh ashtu kundër Tij, asht kenë Gac Cepi, që as sot nuk dij me e kuptue atë sjellje. Ai më ka mbetë në mend n’atë kohë!”
Në librin “Çinarët”, At Konrrad Gjolaj shkruen: “Tregonte radiologu i spitalit të Shkodres, sesi njëditë erdhën dy oficera me një thes në radiologji. I kishin thanë me ba një radiografi. Kishte pregatitë aparatin e po priste radiologu se cili don me e ba prej tyne. Kur i ka thanë: “Jam gati”, ata kanë hapë thesin e kanë nxjerrë një fëmijë me fytyrë të plakun. E kanë vue ate tek aparati dhe, mbasi asht krye radiografia, e kanë futë prap në thes. Mbasi i kanë lidhë grykën, kanë kërkue filmin për me e çue në Tiranë. Radiologu e ka pregatitë filmin shpejtë e ka kërkue me i shkrue emnin e të sëmurit, edhe pse filmi ishte i lagun. Oficerat kanë ngurrue me i diftue emnin radiologut.
Ky ka kambëngulë, mbasi, simbas rregullit, nuk lejohej që filmi me u dorëzue pa emen. Ata tue pa kambënguljen e këtij, i kanë thanë emnin: “Imzot Ernesto Çoba”. E shkrova, thonte radiologu, e kishte njohtë ma përpara, por kurrë nuk do ta kishte besue se asht Ai, po të mos ia kishin thanë vetë ata emnin e Tij. Për sa kohë nuk m’asht hjekë nga mendja sesi e kishin ba gjatë hetuesisë Imzot Çoben.”
Në vitin 1998, kur ishe tue dalë nga Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë takova një oficer që kishe njohtë para disa vitësh në Shkoder, YH, por as sot nuk jam i sigurt për emnin e tij. I tregova se po shoh disa dosje në Arkiv dhe se, ato ditë kishe lexue dosjen e Imzot Çobes. Më ndërpreu dhe, më tregoi: “Një natë dimri të ftohtë isha dezhur në degën e mbrendshme në Shkoder. Aty nga ora 11.00 e natës, një polic i birucave më njoftoi se Imzot Çoba dridhet shumë dhe duket sikur nuk po e arrinë mengjezin. Shkova tek biruca ku ishte Imzot Çoba, po, Ai, nuk po jepte as merrte nga të ftohtit, i shtrirë në çimento pa asnjë mbuloje as shtroje, veç me rrobat që kishte veshur. Mora një batani në dhomen time dhe ia çova, hapa deren dhe ia holla sipër. Shkova aty nga ora 3 e mengjezit, por dukej se ishte i gjallë nga frymëmarrja e thellë. Në ora 5.30’ shkova e mora bataninë që i kisha çuar dhe, e pashë, Ai me mirënjohje më buzqeshi, e pyeta se, a kishte fjetur dhe m’u përgjigjë, se po. I thashë: “Imzot, ti je i dënuar, pse të mbajnë këtu? – Nuk e di, m’u përgjigjë. – Po, ke bërë kërkesë për arësyen e mbajtjes këtu? – Jo, më tha, – jam tue pritë çdo ditë me pa fytyrën e Përendisë, Ai vetëm asht Shpëtimtari im. E pyeta: Po, këto vuatje nuk të largojnë nga Perëndia? – Jo, jo, Ate jam i sigurt se do ta shoh shpejtë, perkundrazi vuajtjet m’ afrojnë!
E mbylla derën dhe ika në dhomën time. Kanë kaluar sa vite dhe nuk e harroj kurrë sigurinë e Atij Njeriu të shtrirë në çimento, duke pritur për të parë Përendinë! Ata Klerikë kishin një forcë të pakuptueshme për të përballuar vuajtjet më ekstreme të atyre vitëve!”. Ishte per t’u çuditur sesa besim të palëkundur kishin tek Perëndia!
Fjala e fundit e Tij në gjyq ishte: “Do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje”, sigurisht, kjo thanje ishte tiposë në kokat e katilave që vazhdonin me e torturue e masakrue si pak njerzë nder ata kushte të mnershme:
Ja, pra, kjo asht arësyeja pse Imzot Ernesto Çoba, Ipeshkvi i Shkodres, që nga data e arrestimit u mbajt pa asnjë batani i shtrimë për 3 vjet e 8 muej në çimento, derisa një ditë me të vërtetë Ai e pau Fëtyren e Zotit!
Fatkeqsisht, vuejtjet dhe torturat ishin pafund, po asnjë shkaktarë i tyne nuk e gjeti asnjë moment kjoftë edhe mbas 1991, të pakten me na dhanë me kuptue se, asht pendue per shpifjet e bame kunder Imzot Çobës. E kurr mos harroni se, “ato shpifje” i moren edhe jeten në vuejtje e mjerim të pashoq.
Jeta gjithmonë ka një cak të padijtun. Mos harroni se mbas atij cakut vjen edhe një Gjyq tjeter, që nuk ju lejon ndoshta pergjithmonë, me u pendue per të gjitha ato që i keni sjellë tjerve në këte jetë me shpifjet tueja!
Po më kujtohet tashti: Një prift i rinj i shuguruem nga Imzot Çoba aty nga viti 1962, që takon në rrugë At Pjetër Mëshkallen dhe, i tregon se ato ditë do të hynte përherë të parë me ba Ushtrimet e Shpirtit me Imzot Çoben, i cili i kishte mësue priftit edhe gjashtë arësyet që njeriu duhet me heshtë.
At Mëshkalla i thotë atij priftit të rinj: “Shko e thuej Imzot Çobës me të mësue gjashtë arësyet që duhet me folë, se, s’asht koha me heshtë ma!”
Kur e pata ndigjue këte ngjarje aty nga viti 1964, njëditë unë ia kujtova At Mëshkallës në një bisedë që po banim me Té, sigurisht qeshëm pak dhe vazhdueme bisedën tonë. At Pjetër Mëshkalla më ka thanë këto fjalë: “Ai e përfundonte bisedën me respektin ma të madh për Imzot Ernesto Çoben, e kryesisht për mos tolerancën e Tij në çeshtjet dogmatike dhe, e mbyllte bisedën me mendimin se: “Vetëm Imzot Çoba asht fakt, që asht kenë adapt për këte kohë, se asnjë tjetër nuk do të kishte dijtë as muejtë me veprue si Ai, në kushtet që janë kenë në Shqipni nga shtypja e diktatura komuniste!”
***
Lexues i nderuem! Labirintet e Sigurimit të shtetit terrorist komunist, janë kudo plot me mistere dhe procese që ndoshta, edhe nuk besohen! Tek na në Shqipni ata ia kalojnë edhe fantazisë së terroristit, sepse vrastari asht i paknaqun me vdekjen e viktimës mbasi e ka torturue. Ai kerkon me i zgjatë vuejtjet e masakrat e tij derisa, njeriu i shkrryem pertokë të dishprohet.
Fatmirsisht, kur Klerikët tanë, nuk mujshin as me u ngritë ma nga vuejtja e as nga torturat e bame mbi trupin e Tij, Ata forcoheshin Shpirtnisht, gja që edhe sot mbetet një mister i madh ajo forcë e pathyeshme e Shpirtit Tyne.
Ma mirë se kudo, mosdorzimin e viktimës në tortura ju, do ta kuptoni këtu:
Në mbyllje po persërisë fjalët e daltueme në gurt e Kishës së Vaut të Dejës, daltue nga vet Martiri Imzot Ernesto Çoba, kur ishte pa u rrenue në 1969:
“Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirtë me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”. (Dosja 3359/1 Arkivi i Min. Mbrendshme, 1998). Vetëm Ky ishte Imzot Ernesto Çoba, Zamak i vertetë i Flamurit Kastriotit!
Melbourne, 22 Prill 2022.