Ambasadori i Kinës, Zhou Ding: Të forcojmë solidaritetin për të përballuar sfidat në një botë të trazuar
Ambasadori Zhou, Kina ka zhvilluar me sukses Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore Pekin 2022, duke e bërë Pekinin “Qytetin Olimpik të Dyfishtë” të parë në botë që organizon si Lojërat Olimpike Verore dhe Dimërore, cili është komenti juaja mbi Lojrat dhe performancën e Skuadrës Shqiptare?
Së pari, ju falenderoj për intervistën. Siç e ka dëshmuar e gjithë bota, Lojërat Olimpike dhe Paralimpike dimërore të Pekinit 2022 përfunduan me një sukses të plotë, duke përfaqësuar triumfin e sportit dhe solidaritetit, duke sjellë dritë uniteti dhe bashkëpunimi në botën që po përballet me sfida të shumta. Presidenti i KON Thomas Bach i komentoi si “Lojra Olimpike Dimërore vërtet të jashtëzakonshme”. Ai u shpreh se shpirti olimpik shkëlqeu kaq shumë, sepse populli kinez e ngriti skenën në një mënyrë kaq të shkëlqyer.
Pata nderin të marr pjesë në Ceremoninë e Dorëzimit të Flamurit të Skuadrës Shqiptare në Lojërat Olimpike të Pekinit, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi dhe Presidentin e Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli ku ndjeva krenarinë dhe gëzimin e popullit shqiptar. Jam shumë i kënaqur që Skuadra Shqiptare kaloi mirë në Pekin dhe skiatori Denni Xhepa dha një paraqitje të mrekullueshme, siç të gjithë e prisnin.
Olimpiada e Pekinit është një sukses i madh si për Kinën, ashtu edhe për të gjithë botën. Pas eventit të suksesshëm, mbi 300 milionë kinezë tani merren me sporte dimërore. Lojërat Olimpike të Pekinit demonstrojnë edhe një herë se, duke u përballur me sfida të jashtëzakonshme, bota mund të jetë e bashkuar nën frymën olimpike, e cila promovon të vepruarit më shpejt, duke synuar më lart, duke qëndruar më të fortë, dhe mbi të gjitha, duke qëndruar së bashku.
Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ekonomia e dytë më e madhe, Kina ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë ka zgjatur për më shumë se dy muaj, çfarë mund të bëjë Kina për të përmirësuar situatën?
Lufta në Ukrainë është shumë tragjike. Kina dëshiron që lufta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë miq të Kinës dhe partnerë të rëndësishëm tregtarë. Që nga shpërthimi i saj, Presidenti kinez Xi Jinping, Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Jashtëm Wang Yi u takuan ose shkëmbyen telefonata me udhëheqës të shumë vendeve, duke u bërë thirrje të gjitha palëve përkatëse të qëndrojnë të qeta dhe të ushtrojnë përmbajtje dhe të arrijnë një armëpushim nëpërmjet bisedimeve të paqes. Kina ka ofruar gjithashtu ndihma të shumta humanitare për Ukrainën.
Pozicioni i Kinës është shumë i qartë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet, duhet të respektohen qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të merren seriozisht dhe të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës duhet të mbështeten.
Jo shumë kohë më parë, në Forumin e Boao për Konferencën Vjetore për Azinë 2022, Presidenti kinez Xi Jinping propozoi një Iniciativë të Sigurisë Globale, e cila thekson se vendet duhet të qëndrojnë të përkushtuara ndaj vizionit të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme, të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit, të mbështesin mosndërhyrjen në punët e brendshme, t’i përmbahen drejtimit të nxitjes së bisedimeve të paqes dhe të kërkojnë zgjidhje politike për çështjet e konflikteve, të punojnë së bashku për të ndërtuar një arkitekturë të ekuilibruar, efektive dhe të qëndrueshme të sigurisë botërore, etj. Kjo është një nismë e rëndësishme e cila u është përgjigjur pyetjeve si: “Çfarë lloj koncepti sigurie i duhet botës dhe si mund të arrijnë vendet sigurinë e përbashkët”. Si përfundim, Kina do të veprojë si një ndërtuese e paqes botërore, një gardian i rendit ndërkombëtar dhe një ndërmjetës i çështjeve të konflikteve.
Kina dhe BE-ja janë partnerët më të madhenj tregtar të njëri-tjetrit. Udhëheqësit e të dy palëve mbajtën takime dhe ndoqën Samitin e 23-të Kinë-BE jo shumë kohë më parë. Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve Kinë-BE?
Kina është vendi më i madh në zhvillim dhe BE-ja është bashkimi më i madh i vendeve të zhvilluara. Marrëdhënia Kinë-BE është vendimtare për rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin e botës. Të dy palët kanë pikëpamje të ndryshme mbi disa çështje, megjithatë, partnerët më të madhenj tregtar të njëri-tjetrit, me një tregti dy-palëshe që tejkalon 800 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021, interesat e përbashkëta midis të dy palëve janë shumë më të mëdha se dallimet.
Më herët gjatë këtij muaji, Presidenti kinez Xi Jinping pati një shkëmbim të thellë pikëpamjesh në një konferencë virtuale, me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Të dy palët ranë dakord se në kuadrin e situatës ndërkombëtare të tanishme, është jetike për Kinën dhe BE-në që të punojnë së bashku në mbështetjen e paqes dhe prosperitetit botërore dhe të kompensojnë pasiguritë e botës me një marrëdhënie të qëndrueshme Kinë-BE. Për të siguruar qëndrueshmërinë e marrëdhënieve, Kina i bëri thirrje BE-së të formojë një perceptim të drejtë për Kinën, të ndjekë një politikë pozitive të Kinës. Kina mirëpret bizneset dhe investimet evropiane dhe pret që BE të ofrojë një mjedis transparent dhe jodiskriminues për investimet dhe bizneset kineze në Evropë.
Pavarësisht pandemisë së Covid-19, ekonomia e Kinës pati një normë të lartë rritjeje. Ndërsa pandemja po përhapet ende në disa vende të Kinës, cili është komenti juaj mbi perspektivën ekonomike të Kinës?
Pavarësisht sfidave si brenda dhe jashtë vendit, ekonomia e Kinës mbajti një vrull të rritjes dhe arriti rezultate të jashtëzakonshme. Në vitin 2021, Kina arriti një normë të lartë të rritjes ekonomike prej 8.1%, me PBB-në e saj që arriti 17.7 trilionë USD. Në vitin 2022, ekonomia kineze pati një fillim të mbarë, me një rritje prej 4.8% në tremujorin e parë. Kina vazhdon të shërbejë si një motor i rëndësishëm i ekonomisë botërore.
Për të injektuar vitalitet në ekonominë kineze, qeveria kineze po punon për një model të ri zhvillimi, i cili i jep më shumë rëndësi tregut vendas dhe konsumit vendas, ndërsa vazhdon të nxisë tregtinë e jashtme dhe investimet. Kjo i shërben zhvillimit afatgjatë të Kinës dhe gjithashtu do të sjellë mundësi dhe përfitime më të gjera për vendet e tjera.
Sa për situatën e Kovidit në Kinë, masat e parandalimit dhe kontrollit në disa qytete kineze kanë pasur vërtetë ndikim në jetën e përditshme të njerëzve. Do të doja të theksoja se masat ndaj Kovidit në Kinë janë në përputhje me realitetet e Kinës dhe parimet udhëheqëse të OBSH-së, bazuar në analizën shkencore dhe këshillat e ekspertëve mjekësorë. Ata jo vetëm që kanë garantuar efektivisht sigurinë dhe shëndetin e shtetasve kinezë, por kanë dhënë gjithashtu kontribut në luftën globale kundër pandemisë së COVID-19. Është një fakt i njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe OBSH-ja se masat e Kinës ndaj Kovidit kanë arritur efektin maksimal me kosto minimale, dhe kanë shpëtuar miliona jetë. Shumica dërrmuese e kinezëve e kuptojnë dhe mbështesin politikën e COVID-19 të qeverisë kineze. Përballë variantit Omicron, Kina do ta fitojë betejën.
Miqësia e Kinës dhe Shqipërisë është çmuar shumë nga dy popujt tanë. Në një botë që përballet me shumë sfida, si duhet të konsolidojmë më tej marrëdhënien Kinë-Shqipëri?
Kina e konsideron Shqipërinë si një mike të çmuar prej kohësh dhe një partner të rëndësishëm. Shqipëria është midis vendeve të para që vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën e re. Gjatë viteve 1960 dhe 1970, një sasi e madhe ndihme u dërgua nga Kina në Shqipëri, më shumë se 100 projekte industriale u ndërtuan nga Kina, gjë që ndihmoi ndjeshëm në mbështetjen e ekonomisë së Shqipërisë në ato kohë të vështira. Pas gjysmë shekulli, njerëzit e të dy vendeve po tregojnë ende histori prekëse të lidhjeve vëllazërore në ato vite. Do të doja gjithashtu të përmendja se në 30 vitet e fundit, Kina ka vazhduar mbështetjen për Shqipërinë. Ne kemi sponsorizuar programe të ndryshme nëpërmjet granteve të qeverisë kineze, të cilat vlejnë dhjetëra milionë dollarë amerikanë. Vlen të përmendet se vizita e suksesshme në Shqipëri e Këshilltarit të Shtetit dhe Ministrit të Jashtëm SH. T.Z. Wang Yi tetorin e kaluar i dha shtysë të fortë bashkëpunimit tonë dypalësh. Të dy palët kanë punuar nga afër që atëhere për të zbatuar konsensusin që arritëm gjatë vizitës.
Në vitin 2021, volumi vjetor i tregtisë dypalëshe Kinë-Shqipëri u rrit me 26%. Eksportet e Shqipërisë në Kinë në tremujorin e parë të vitit 2022 u rritën ndjeshëm me 67% dhe importet nga Kina u rritën me 9%. Të dy vendet janë tani në kontakt më të ngushtë në çuarjen përpara bashkëpunimin në fushat e tregtisë, bujqësisë, turizmit, arsimit etj. Kam besim se marrëdhënia jonë do të gëzojë një të ardhme të ndritur.
Kam vënë re se për të nxitur marrëdhëniet dypalëshe duke përfshirë shkëmbimin e njerëzve, Ambasada Kineze në Shqipëri ka sjellë vazhdimisht projekte të ndryshme. Cili do të jetë fokusi i punës suaj në të ardhmen?
Sikurse ambasadat e tjera, ne jemi këtu për të shërbyer si një urë lidhëse midis dy qeverive dhe dy popujve. Ne bëjmë sa mundemi dhe çfarë na kërkohet nga miqtë tanë shqiptarë. Ambasada jonë dhe unë personalisht kemi komunikim shumë të mira me qeveritë qendrore dhe lokale, komunitetet e biznesit, OJQ-të, institucionet arsimore etj. Do të vazhdojmë përpjekjet tona për të forcuar bashkëpunimin në fushat e interesave tona reciproke. Ndihem veçanërisht i nderuar që kam bërë miq dhe kam bashkëvepruar me shumë njerëz të zakonshëm dhe kam qenë në gjendje t’u jap ndihmë atyre në nevojë, si dhurimi i ndihmave në zonat e prekura nga tërmeti, sigurimi i pajisjeve personale mbrojtëse në shpërthimin e hershëm të COVID-19 për spitalet dhe komunitetet. Kam patur gjithashtu nderin të vizitoj Jetimoret, familjet rome dhe gratë me aftësi të kufizuara dhe tu jap ndihmën tonë. Ambasada jonë u bashkua gjithashtu në Fushatën e Shqipërisë së Pastër duke ndihmuar pastrimin e parqeve dhe brigjeve, të cilat na bëjnë të ndihemi si në shtëpi në Shqipëri.
Një udhëtim i largët vë në provë forcën e një kali dhe një mik në nevojë është një mik i vërtete. Ne jemi të gatshëm për të punuar ngushtësisht me miqtë tanë shqiptarë për prosperitetin tonë të përbashkët./gazeta shqiptare