Idriz Morina: Paralele historike dhe aktuale midis Skënderbeut dhe Zelenskit
Rusia tashmë ka rifilluar kërcënimet me goditjet më të rrezikshme me bomba bërthamore megatonëshe, me të cilat kërcënon zhdukjen e Finlandës apo me “Poseidonin” zhdukjen e Britanisë së Madhe. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg është shprehur i shqetësuar se Rusia po shkon drejt provokimit të NATO-s. Ai thotë se NATO-ja është duke e përcjellur me kujdes se çfarë po bën Rusia, dhe se është në gjendje gatishmërie për t’ju kundërpërgjigjur. NATO-ja shqetësimin e saj e bazon se Rusia dhe diktatori Putin po dështojnë në pushtimin e Ukrainës, pasi nuk arritën ta marrin Kievin, humbjet vazhduan, madje nuk po ia dalin ta pushtojnë as Donbasin, një krahinë nga më të mëdhatë në Ukrainë, territor jo administrativ, që përbëhet nga disa krahina administrative si onetski, Luhani etj. Po ashtu të dhënat e inteligjencës britanike konfirmojnë se Rusia ka pasur humbje të mëdha, madje edhe pse nuk jep numra të ushtarëve të vdekur, numri i humbjeve të forcës ushtarake tokësore, ajrore është rreth një e treta e saj.
Mësimet që ka nxjerrë Perëndimi, janë po ato që pat nxjerrë Skënderbeu. Për ta mundur vërtetë një përbindësh, pushtues të egër, duhet një bashkim, aleancë e përhershme, pa i pranuar intrigat e “Venedikut” dhe të tjerëve. Natyrisht që ndihmat e aleatëve të vërtetë nuk mungonin, edhe pse nuk ishin krejtësisht të mjaftueshme, siç ishin ato të Mbretërisë së Napolit, me të cilën marrëveshjet ishin të qarta dhe të konstituara, por edhe ato me meritë të Skënderbeut, sepse në çastet vendimtare, Skënderbeu ose ushtria e tij e dërguar për ndihmë, e përcaktonte fatin e mbretërisë. Kështu që ndihma ishte e detyrueshme. 554 vjet pas vdekjes së Skënderbeut apo 566 vjet, pas thirrjes (njërës prej tyre) për ndihmë të Papatit (Vatikanit), për ta bashkuar perëndimin përkrah Skënderbeut, në luftë kundër tiranisë lindore, mesazhet janë pranuar dhe gatishmëria për fitore, është thuajse deri në identifikim. Askush më nuk dëshiron ta lë fatin e luftës në duar të Rusisë, përkundrazi janë përcaktuar për ta mundur, madje deri në dërmim! Kjo tingëllon, sikur 566 vjet pas lutjeve dhe kërkesave të Skënderbeut ato u dëgjuan dhe u kuptuan sinqerisht! Të duket sikur të mos kishte ekzistuar Skënderbeu, nuk do të kishte mbijetuar as Zelenski!
Më poshtë letra që besohet se Skënderbeu ia dërgoi Papës së Vatikanit, në vitin 1956.
Letra që Skënderbeu i dërgoi Papës së Vatikanit
“Shumë i nderuar At dhe zotëri me Krishtin. I shkruaj zotërisë suaj shumë të nderuar që të ketë dijeni mbi ngjarjet që po ndodhin këtej. Turku ka bërë përgatitje jashtëzakonisht të mëdha. Thonë se ai sapo është duke u derdhur me 14.000 turq, ose kundër nesh ose kundër Danubit. Njoftohemi se i është afruar tani kufirit. Me forcat tona po marshojmë kundër tyre. Prandaj që edhe ne të mundim të mbrohemi edhe turkut vetë ti shkaktojmë humbje, i lutem me këmbëngulje zotërisë suaj shumë të nderuar të kujdeset së bashku me zotërinë tonë që të më sigurohet ndihma e popujve. Sapo në marrtë armiku /armiku/ rrugën drejt Danubit, ne do t’i qepemi prapa shpine. Por në ardhtë kundër nesh, ne do t’i rezistojmë. Të gjithë e dinë se, sikur të hiqet dorë nga plani që pat përgatitur kundër armikut, kjo është e dëmshme për fenë e krishterë. Për këtë arsye, shumë i nderuari zotëri, ndërmarrjen e filluar e paçi nën kujdesin tuaj: sepse, përndryshe, turku pak e nga pak po grumbullon forca. I dërgova shenjtërisë së tij zotërisë sonë përfaqësuesin tim, atin e nderuar zotin kryepeshkop të Krujës. Habitem se për ç’arsye nuk është kthyer dhe se nuk po marr përgjigje që prej kaq kohe. Prurësi i kësaj letre është miku im shumë i ngushtë zoti Pal Engjëlli këtë ja u rekomandoj në mënyrë të posaçme, zotëri shumë i nderuar. Mbettë pra zotëria juaj me shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë!
Gjergj Kastrioti i quajtur ndryshe Skënderbe
Zot në Arbëri, mbështetet tek ju