Albspirit

Media/News/Publishing

EFTHIM NATSI, VATRANI DHE EDITORI PAK I NJOHUR I DIELLIT

– Me rastin e 110 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA”-
– Qerim Panariti: Sotir Peci s’mund ta kishte filluar gazetë”Kombi” pa Efthim Natsin dhe Efthim Natsi s’mund të kish nisur gazetën pa Sotir Pecin
NGA DALIP GRECA
Efthim Nasi(Natsi) ishte një ndër shqiptarët e parë të Amerikës që vuri kursimet e tij, shpirtin dhe zemrën në themel të Lëvizjes Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ai kishte hyrë në Amerikë më 1905 dhe kishte zbritë në portin e Nju Jork-ut. Më pas ishte çvendosur në Boston, ku jetonin shumë prej bashkatdhetarëve të tij korçarë.
Fillimisht Nasi kontribuoi me të gjitha mjetet e mundshme për t’i ndihur gazetës” Kombi ” që themeloi Sotir Peci. Ishte pjesë e “Kombit” që më 6 Qershor 1906 në numrin e parë dhe nuk u nda nga ai deri në numrin e fundit të 10 Janarit 1909, edhe pse Sotir Peci ishte larguar që në Vjeshtën e dytë të vitit 1908, por gazeta vazhdoi të dilte nën përkujesjen e Efthim Nasit, George Konda Gjoleka e Fan S.Noli.
Vatra dhe Dielli ia kanë njohur meritat dhe kontributet që Nasi dha për “Kombin”, “Diellin” dhe “Vatrën”. Në festimet e 50 vjetorit të gazetës Dielli, në buletin special të 2 shtatorit 1959, Editori I Diellit, Qerim Panariti shkruante” Në lidhje me Sotir Pecin, duhet të përmendim me mirënjohje dhe adhurim Zotin Efthim Natsi, i cili që në fillim dhe gjer në mbyllje të KOMBIT ish dora e djathtë e Sotir Pecit…Në fakt, mund të shënohet pa frikë, kundërshtimi që Sotir Peci s’mund ta kishte filluar gazetë”Kombi” pa Efthim Natsin dhe Efthim Natsi s’mund të kish nisur gazetën pa Sotir Pecin.”
Kur iu bashkëngjit Noli Kombit, e gjeti aty Efthim Natsin duke shtypur gazetën,duke punuar paralelisht në dy makina.
Shkëpus këtë fragment nga “Historia e Diellit”, projekt në vijim imi: “Fan S. Noli e la fabrikën në Bufalo ku punonte dhe me 20 korrik 1906 shkoi në Boston pranë Pecit që të merrte detyrën e redaktorit. Puna ishte e vështirë. Redaksia dhe shypshkronja ku shtypej “Kombi” ndodhej në adresën Hadson 100. Një tip hauri ku mbizotëronte lagështia. Kushte tepër të vështira. Gazeta përgatitej dhe shtypej nga Efthim Natsi.Të rinjët vinin dhe e merrnin gazetën për ta shpërndarë tek bashkatdhetarët. Për ta kuptuar gjendjen e vështirë ku shtypej gazeta, mjafton të sjellim në mendje atë çfarë shkruante Kostandin Demo në libërthin e tij ”Shqiptarë n’Amerikë”: “Përfytëroni po të mundni, Nolin në të djathtë duke ushqye me letër shtypshkronjën, Thimaqin (Efthim) në mes duke pompu maqinën me këmbë, dhe mandej fill duke u vërsulë që të kontrollonte shtypjen, ndërsa Peci në të majtë, nxirrte nga maqina fletët e shtypura të gazetës…”
Emrin e Efthim Natsit e ndeshim përherë e më shpesh gjatë shfletimeve të Kombi-t dhe të Diellit si dhe në veprimtaritë e Besa-Besën dhe Vatrës.Ai ishte pjesë e Shoqatës kombëtare Besa-Besë që në themelimin e saj me 6 Janar 1907, edhe pse nuk ishte pjesë e kryesisë ne fillimet e Shoqerise, por ai ishet pjese e Komisionit drejtues ne Pleqesine qe u zgjodh me 25 Mars 1910.
Ne zgjedhjet e diktuara te parakohshme te 29 Prillit 1910 ai ishet kandidat per sekretar te Shoqerise Besa-Bese ne Listen nr 1, por humbi perballe listes qe kryesonte Josif Pani-Kryetar. Kundwrshtari i Efthim N asit ishte Xheli Sotir me 113 vota, nderkoh qe Natsi fitoi 83 vota.
Fjalë mirësie për kontributin e Efthim Natsit në gazetën Dielli gjejmë edhe në shkrimin redaksional të drejtorit të Diellit, Faik Konicës, në numrin e përvjetorit të parë, botuar në gazetën e 11 shkurtit 1910.
Gazeta “Kombi”përgatitej dhe shtypej nga Efthim Natsi dhe George Konda Gjoleka.Të rinjët shkonin në shtypshkronjë dhe e merrnin gazetën për ta shpërndarë tek bashkatdhetarët. Për ta kuptuar gjendjen e vështirë ku shtypej gazeta, mjafton të sjellim në mendje atë çfarë shkruante Kostandin Demo në libërthin e tij ”Shqiptarë n’Amerikë”.
Citoj:“Përfytëroni po të mundni,Nolin në të djathtë duke ushqye me letër shtypshkronjën, Thimaqin në mes duke pompu maqinën me këmbë, dhe mandej fill duke u vërsulë që të kontrollonte shtypjen, ndërsa Peci në të majtë, nxirrte nga maqina fletët e shtypura të gazetës…”
Emrin e Efthim Natsit e ndeshim përherë e më shpesh gjatë shfletimeve të Kombi-t dhe të Diellit si dhe në si veprimtaritë e Besa-Besë e VATRA,që kishin në administrim”Diellin”.
Konica shkruante plot ngrohtësi për kryetarin e Besa-Besë, Kristo Kirka, për pleqësinë e nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, …menaxherin George Konda… Drejtori i Diellit, Faik Konica, nuk harron që të përhirojë Efthim Natsin me vëllezër:”…Dhe s’mund të heshtim emrin e zotit Efthim Natsi, i cili nga atdhesia ka marrë gjurmët e dy vëllezërve të njohur të Tij, dhe z. Ilo Zografi”, shkruan Konica në numrin e 11 shkurtit 1910.
Efthimi ishte pjesë e gazetës”Dielli” dhe kontributor i saj edhe kur gazeta e Besa-Besë dilte me dy emra”Dielli dhe Flamuri, (25 Shkurt 1910 deri me 28 Shtator 1911).
Efthim Natsi ishte pjesa e padukshme e Diellit, veçanërisht në dekadën e parë. Ai nuk e shënoi emrin si editor i Diellit, edhe pse shpesh herë e kreu këtë mision.Kështu ndodhi në Dhjetorin e vitit 1912, kur Faik Konica shkoi në Evropë, në gazetë mbeti emri i Faik Konicës, edhe pse gazeta defakto drejtohej nga Efthim Natsi, si editor. Kjo e dhënë dokumentohet në gazetën”Dielli” të 19 dhjetorit 1912, ku botohet lajmi”Faik Konica Largohet nga Amerika.”
Lajmi informon për largimin dhe mesazhin e Konicës:”Atdhetarë, Shqiptarë të Amerikës; me qenë që më përcjellin me urimet e tyre të ngrohta, u lë shëndet. U pjekshim të gëzuar, dhe për së afërmi në Shqipëri!. Si zyrtarëve të Vatrës, si anëtarëve dhe këndonjësve të dashur, u jap pjekje për së afërmi në Shqipëri”. F.K.
Nën këtë përshëndetje të kryetarit të Vatrës dhe kryeredaktorit të Diellit, bëhej ky shënim i redaksisë: ”Ndonëse Faik Konica shkojë n’Evropë, emri i tij qëndroi për një kohë të gjatë si redaktor i DIELLIT. Punën si redaktor e bënte z.Efthim Natsi.”(Citimi nga gazeta “Dielli, 19 dhjetor 1912.)
Efthim Natsi, jo vetëm që bënte punën e editorit, por edhe kontribuonte financiarisht, si shumë shqiptarë të tjerë të Amerikës. Ai iu bashkua thirrjes që u drejtoi lexuesëve të Diellit dhe vatranëve, menaxheri i gazetës,Vangjel Gjika, më 30 shtator 1913. Njoftimi u publikua në Diellin e 14 tetorit:” …Me datë 30 shtator menaxheri Vangjel Gjika, lëshoi thirrjen për të blerë shtypshkronjë për Diellin. Gjika kërkonte 100 shokë të jepnin nga 15 dollarë ose më tepër (sipas mundësive) për të blerë makineritë e shtypskronjës. Për këtë qëllim ai shkoi nëpër kolonitë, ku jetonin shqiptarët, dhe dha konferenca duke argumentuar se përse duhej kjo shtypshkronjë, si do t’i ndihte ajo jo vetëm gazetës”Dielli”, por edhe çështjes kombëtare duke botuar libra për Shqipërinë.
Efthim Natsi ishte nga të parët që iu bashhkua këtij grupimi, madje ai ishte pjesë e komisiont që u caktua për të blerë makineritë e shtypshkronëjs së re.
Gazeta Dielli njoftonte në numrin e 12 dhjetorit 1913 se”Më 23 nëntor, 1913, Komisioni i Vatrës (i brazvlershëm me Kryesinë e sotshme) mbajti mbledhje dhe vendosi të blerë makineritë për shtypshkronjën. Komisioni i zgjedhur për këtë qëllim përbëhet nga Efthim Natsi, Paskal Aleksi, Nick Dishnica dhe Harry Kaçka.”
Si rezultat i blerjes së makinerive për shtypshkronjën e Diellit, gazeta në numrin e 6 janarit 1914, u zmadhua; nga katër kolona, që dilte më parë, doli me pesë. Dielli në këtë kohë kishte për editor Paskal Aleks, i cili me 17 shkurt 1914, u nis për në Shqipëri dhe shkroi reportazhe nga Durrësi. Në vend të tij, Diellin e drejtoi Denis Kamburi(Dennis Kambury). Atë kohe Diell i dërgoi në Shqipëri 400 copë gazeta.
Efthim Natsit iu ngarkua sërish barra e editorit të Diellit në kuvendin e 4 Korriku 1914. Arsyeja ishte se u hoq nga pozicioni i editorit Denis Kamburi.Natsi e pranoi detyrën. Ai e drejtoi gazetën Dielli deri në nëntor 1914. Komisioni Drejtues i vatrës kishte vendosur në mbledhjen e 11 tetorit të thërriste për pozicionin e editorit Kostë Çekrezin, i cili aso kohe ndodhej në Brindizi, Itali, në kampin e refugjatëve. Çekrezi nisi ta drejtojë Diellin, që nga numri i 10 nëntorit 1914. Gazeta botohej 2 herë në javë, që nga 11 marsi i vitit 1913. Pas tri javësh, Kostë Çekerezi realizoi botimin 3 herë në javë të Diellit. Me 7 nëntor 1915 Dielli nën drejtimin e Çekrezit u bë e përditshme, duke shënuar rekordin e së parës gazetë shqiptare të përditshme.
Dielli do të vazhdonte të botohej nën drejtimin e Kostë Çekrezit deri në numrin e 20 Dhjetorit 1915. Pas atij numri Dielli u editua vullnetarisht, pa pagesë nga Fan S Noli, deri në numrin e 6 korrikut 1916. Në Janar 1916, Vatra emëroi ndihmës editor Andon Frashërin, një ndër vatranët që kishte përfunduar shkollën e mesme në Natick, Massachusetts. Frashëri qëndroi ndihmës editor për disa vite. Ai punoi në këtë pozicion edhe pas Kuvendit të 4 Korriku, kur Bahri Omari, fitoi pozicionin e editorit përballë kandidaturës të Kostë Çekrezit. Andon Frashëri u emërua editor në Kuvendin e 11 Korrikut 1920. Ai e mbajti këtë pozicion deri në tetor 1923, ku Faik Konica e pushoi.
Me këto radhë, në kuadër të 110 vjetorit të themelimit të Vatrës, solla në kujtesë një nga vatranët dhe editorin e paekspozuar të Diellit, Efthim Natsi(Nasi), edhe për faktin se për të shkruhet për herë të parë.
Me këtë rast kujtoj të ndjerin kryetar të Vatrës, Inxhinier Agim Karagjozin, i cili në mometin që mora drejtimin e Diellit, më porositi: Mos shkruaj vetëm për Nolin dhe Konicën se për ta shkruajnë shumë studiues, por shkruaj dhe për vatranët e thjeshtë, për të cilët është thënë fare pak.Vatrën dhe Diellin e kanë mbajtur vatranët, jo vetëm kryetarët.”
Nju Jork, Maj 2022
Please follow and like us: