Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: KUR DALLGËT RRAHIN SHKËMBIN

S’ka pak orë që jam ndarë edhe me Leonard Bixhilin, që më erdhi për vizitë nga larg, edhe ai, pas Isak Vlashit nga Belgjika, me dëshirën e tyre njerëzore të urimit të çiltër të rikthimit tim në jetë, kur isha nisur për “andej”, nga moskthimi! Ndofta, ngaqë mosha bënë edhe të sajën, brenda cakut që ka caktuar Jezu Krishti, bashkë me shenjtorin Mihail, të cilit i kisha marrë emrin pa e ditur fare se do të vinte edhe kjo “ditë kalendarike”, kur papritur ranë edhe tërmete, pandemira e rrufera, si këto dy të fundit, që më përjashtuan nga rradha “e përtejme”, sikundër rrodhi e më gjetën gjallë: Merita, Brikena, Eda, Librandi, Festimi, Tasua, Isaku e tani Leonardi. Ju falenderoj që të tetëve, pa përjashuar të afërmit e familjes sime, që më “ripranuat” përsëri në rradhët e të gjallëve, për t’u thënë se nuk do pranoj më vizita të tilla, ngaqë nuk besoj më se Perëndia e shënjtori përkatës do të merren përsëri me mua…
Po ky i fundit, Leonard Bixhili nga Dhërmiu, që punoi 30 vite në Greqi e u largua për ta kaluar ciklin e fundit të jetës, mbi shkëmbinjtë e Dhërmiut, ku vetë Perëndia e ka vendosur atë fshat të bekuar, që na dha edhe Petro Markon e Madh. Dhe ku kishte ndërtuar dhe një shtëpi të re për vete, për grua e fëmijë dhe për të atin 91-vjeçar që nuk ka pranuar kurrë të largohet nga ai vend i çuditshëm, mbi shkëmbinj, midis malit e detit. Mirëpo ky njeri, emigrant si gjithë ne të tjerët që ikëm prej këtyre viseve të begata, ku ka hyrë befas dhe betoni i vilave e resurseve turistike atje poshtë shkëmbinjëve, mezi e ngriti një strehë, kur vajza i mbeti Amerikës e djali Greqisë, pa i shkuar fare ndër mendje se atje, i ka të “sigurta” vetëm ato dy metra vend, atje lartë, ku prehet edhe Usta Petroja i Librave… Ngarkuar i gjori Nardi, jo më me rraqe, po me tre libra me poezi të botuara dhe me të katërtin në dorëshkrim, që nuk i gjente dot titullin, emrin si ta “pagëzonte”?! Tre të parëve i kishte quajtur: “Val’ e bregut valë” (2017), “Pentagramet e shpirtit tim” (2018) dhe “Kur malli bëhet mal” (2020). Po i katërti? Ah… thashë me vehte, unë rri disa net pa gjumë, për të gjetur një titull libri, si edhe një natë të tërë për çdo shkrim që më “troket në mendje”, si të kishim të bënim me ato “fije” të jetës që na mbajnë gjallë akoma. Dhe “zhytemi” me Nardin pësëri, midis atij reljevi shkëmbor të fshatit të tij, që nuk ishte më i tij, as i Perëndisë, po i “ujqërve që i janë sulur!”, për ta betonar edhe atë, gjer afër shkëmbinjëve, ku prehet edhe Barba Petrua që i “sheh vëngër” e nuk flet dot më! Sepse këta shkëmbinj i “rrahin” pambarimisht edhe dallgët e egërsuara të detit. Edhe në ditët e netët më të qeta, kur këtij Nardit që erdhi tek unë, i vijnë në shpirt edhe vjersha të tilla, të përafërta me këtë titull që vendosëm ta “pagëzonim” librin e ardhëm, si të ishte njerëzor!
Athinë, më 30 qershor 2022.
Please follow and like us: