ARTISTI ANDRIAN MELKA DHE FAMILJA MBRETЁRORE BRITANIKE
Kristaq Balli
Andrian Melka, skulptori i talentuar e i suksesshëm me origjinë nga Dardha e Korçës, qytetar dhe krijues profesionist në Britaninë e Madhe është një nga artistët e rrallë shqiptarë që ka patur njohje dhe bashkëpunim me familjen mbretërore në fushën e artit monumental antik e dekorativ. Siç duket edhe në foton e parë, ai është takuar me ish princin e kurorës, sot Mbreti i saposhpallur i Mbretëris së Bashkuar, Charles III, ku ky i fundit diskuton me skulptorin mbi instalimin e reliefit mitik “Laokonti”. (Sipas mitologjisë greke e romake, Laokonti, një prift trojan me dy djemtë e tij u sulmua nga gjarpërinj gjigantë të dërguar nga Zotat). Për këtë qëllim Andriani ka shkuar në rezidencën princërore në Highrove House, Wells ku vendosej kjo vepër. Andriani kujton se si u takua me princin, i cili, veç të tjerash, i tregoi vepra nga koleksioni i tij e prej të cilave Andriani u befasua për nivelin e veçantë të shijeve të princit. “Kur shkova në Highgrove – kujton Andriani, pashë një sërë veprash që Princi Charles kishte koleksionuar dhe disa nga ato ishin plotësisht moderniste. U befasova nga niveli i shijeve të tij”.
Fotoja e dytë paraqet skulptorin Melka me princeshën Anne (vajza e vetme e Mbretëreshës Elisabeth II), kur ajo i akordon atij në emër të Fondit të Diturisë së Mbretëreshës QEST një burse ekselence, të shoqëruar me këtë motivacion: “…Puna e Andrianit përfshin porosi për klientë të ndryshëm në të gjiithë botën, restaurimin e mermerit dhe veprat prej bronzi, si dhe artin e tij origjinal. Në çdo projekt ai ka synuar të zhvillojë dhe të perfeksionojë stilin e tij…”.
Midis të tjerash Andrian Melka ka realizur edhe kokat e mbretëreshës Elisabet II dhe bashkëshortit Filip – Duka i Edinburgut, të vendosura në katedralen e Chichester.
Një shkrim më të plotë timin mbi jetën dhe krijimtarinë e skulptorit me origjinë dardhare Andrian Melka do të gjeni në postimin e ardhshëm.
Please follow and like us: