Ish-Presidenti Bush përkujton 11 Shtatorin, në prani të policit shqiptaro-amerikan dhe vajzës së tij
Për të përkujtuar 21-vjetorin e tragjedisë së 11 Shtatorit, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W Bush, ishte ftuar të bënte hedhjen simbolike të topit të parë përpara një ndeshjeje bejzbolli në Texas.
Në mbarë Amerikën, ndeshjet e bejzbollit u paraprinë nga një gjest simbolik për të kujtuar viktimat e sulmeve terroriste dhe heroizmin e personelit të ndihmës së shpejtë që dhanë jetën atë ditë.
Ish-Presidentin e shoqëronte një oficer shqiptaro-amerikan i policisë, Gëzim Pollozhani dhe vajza e tij, 13-vjeçare Andita. Pollozhani shërben pranë Ft. Worth, një hapësirë ku bashkë me Dallasin dhe rrethina jetojnë shumë shqiptaro-amerikanë.
Oficeri Pollozhani ishte zgjedhur për të nderuar oficerët e policisë, zjarrfikësit, punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë në mbarë shtetin.
Ngjarja ishte zgjedhur për të kujtuar edhe momentin e ndeshjes së tretë në Serinë Botërore në 2001, kur George W Bush, i cili ishte President kur ndodhi sulmi I 11 Shtatorit, gjuajti në mënyrë simbolike topin e parë të ndeshjes. Terroristët kishin dashur të tmerronin Amerikën, por dhjetëra mijëra vetë vranë frikën dhe e mbushën plot Stadiumin e Yankees, në Bronx, New York.
21 vjet më vonë, ish-Presidenti Bush vendosi në minutën e fundit të mos e gjuante vetë topin por ja dha vajzës shqiptaro-amerikane Andita Pollozhani. Ish-Presidenti e përqafoi dhe i dha një këshillë me zë të ulët. Vajza pastaj u kthye dhe e gjuajti topin në drejtim të kapësit që në këtë rast ishte jo një lojtar por një zjarrfikës, Rocky Wolfe, nga qyteti Killen në Texas.
Ish-Presidenti Bush shkëmbeu pak fjalë dhe bashkoi grushtet me shqiptaro-amerikanin Gëzim Pollozhani përpara se të largohej nga fusha.
Ngjarja ishte simbolike për mbarë komunitetin shqiptar në SHBA. Në mesin e mijëra viktimave të kësaj tragjedie ishin edhe tre bashkatdhetarë tanë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj.
“Komuniteti Shqiptar në Dallas/ Fort Worth – Teksas, solidarizohet me familjet e viktimave të 11.shtatorit të vitit 2001!”, shkruhej në një postim në Facebook të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane, në Texas, që njoftonte gjithashtu ngjarjen.
Presidenti George W Bush ishte gjithashtu ai që njohu pavarësinë e Kosovës, që përkrahu anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe i vetmi president amerikan në detyrë që ka vizituar Shqipërinë
Gjatë interpretimit të himnit amerikan, ish-presidenti u radhit me ekipin e Texas Rangers që do të luanin me Toronton, në Stadiumin “Globe Life Field”. (Ruben Avxhiu)