Së shpejti mbahet “Java Kulturore Shqiptare në SHBA”
Shkup, 18 shtator 2022 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, gjatë javës së ardhshme, 20 – 26 shtator 2022, organizon manifestimin “Java Kulturore Shqiptare në SHBA”, me një sërë aktivitetesh kulturore e shkencore dhe me promovimin e botimeve ekskluzive.
Kështu, më 20 shtator 2022 (e martë), ora 7 PM do të ketë vizitë dhe prezantim të aktiviteteve të ITSHKSH-së në Shoqatën Atdhetare DIBRA në Staten Island të Nju Jorkut. Më 21 shtator 2022 (e mërkurë), ora 7 PM, vizitë dhe prezantim i aktiviteteve të ITSHKSH-së në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdale të Nju Xhersit.
Më 22 shtator 2022 (e enjte), ora 7 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare VATRA, në Bronks të Nju Jorkut, do të bëhet promovimi i veprave: “Shkupi, vetë historia e Kosovës” (S. Asani, M. Prishtina, A. Ramaj); “Bisedime mbi – Historin bujqësore të Shqipnis“ (Eqrem bej Vlora); “Adresat e reja të një kujtese” (Skender Asani( dhe “Propozime për drejtshkrimin” I-II.
Më 23 shtator 2022 (e premte), ora 2 PM, në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island do të promovohet libri i ri: “Xhamitë dhe teqetë në Shkup (dokumente, fotografi dhe dëshmi)” i Skender Asanit dhe Nora Maliqi Zylalit.
Më 25 shtator 2022 (e diel), ora 1 PM, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, do të bëhet promovimi i revistës “Drita e Gonxhes – I” dhe veprave “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” (S. Asani, N. Maliqi-Zylali, A. Ramaj), “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’”, “Gonxhe Bojaxhiu-Mother Teresa: ‘I loved the other with the love of God”, “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” (Anton N. Berisha) dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” (Zef Noka).
Më 26 shtator 2022 (e hënë), ora 10 AM, do të vizitohet Seton Hall University – Departamenti i Religjioneve, me të cilin ITSHKSH ka nisur bashkëpunimin gjatë këtij viti.
Ekipi i ITSHKSH-së përbëhet nga drejtori Skender Asani, studiuesit Sefer Tahiri, Zeqirija Ibrahimi e Sevdail Demiri dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit, Izmit Nura.
Gjatë këtyre ditëve do të vizitohen edhe disa qendra kulturore e shkencore dhe misione diplomatike në Nju Jork. Personaliteteve, organizatave e shoqatave tëndryshme do t’u ndahen mirënjohje me simbolikën e paqes dhe dashurisë së shkupjanes Gonxhe Bojaxhiu – Nënës Tereze.