Albspirit

Media/News/Publishing

“KANDIL I SHPIRTIT” I AUTORES RUDINA MUHARREMI – BEJA

REXHEP SHAHU
Mori udhën drejt lexuesit libri “Kandil i shpirtit”, botuar nga Klubi i Poezisë, Tiranë, i njëmbëdhjeti libër nga Rudina Muharremi – Beja dhe si botues e redaktor i tij i them me zemër udha e mbarë. Libri i mirë është pasuri e bekim.
Udha e mbarë librit dhe njëherësh urimin më të përzemërt autores për çfarë ka shkruar në libër. Për dritën që bën fjala e vargu i saj që digjet nga malli, dhimbja e dashuria. Për mesazhet e kumtet që përcjell. Për bukurimin e shpirtit e të çastit që do të ndjejë lexuesi kur të lexojë vargje të këtij libri që bën dritë si kandil i shpirtit të poetes që digjet në udhë si dritë semafori për udhëtarët e të ardhmen. Dritë nga shpirti gazpaktë i poetes, se poetët janë të dënuar të djegin shpirtin në vend të gazit a vajgurit të kandilit që të bëjnë dritë për ne, për botën, për të ardhmen, t’i bëjnë dritë udhës së terrtë të njerzve ashtu si yjet e largët edhe në rënien e tyre.
Kandili i shpirtit të poetes ndriçon sot e nuk do të shuhet sa të jetojë libri, shkrimi e letra.
Unë pa mundë të jem kritik a studjues letërsie, shkruaj këto fjalë përcjellje e urimi si fjalë që shkruhen në letrën që shoqëron me adresën një buçetë lulesh kur ia dhuron dikujt.
Se ky libër është vertetë një tufë lulesh shumëngjyrshe erëmirë që kanë aroma të këndshme. Një tufë lulesh që për çdo ndjenjë kanë përshkrimin e duhur për ata që dinë të lexojnë lulet e ngjyrat e jetës.
11 libra ka botuar Rudina Muharremi – Beja bashkë me këtë kandil shpirti që bën flakë në udhën e shpitrtrave të bukur nga kalon bota.
11 libra janë 11 jetë që zhurmojë, këndojnë, lëngojnë, ëndërrojnë, janë 11 kate shpirti, 11 planete të pafundme, 11 botë plot ngjyra.
Ky kandil shpirti i ndezur për dritë në natën e terrtë ku diku pranë nesh flakërijnë në qiell raketa vdekje dhe shuhen jetë njerzore, poetja lutet për paqe dhe beson se lutja e saj bashkohet më miliona lutje për paqe nëpër botë, paqe në zemra. Ajo beson se vargjet e saj janë lutja që duhet dhe i bashkon vargjet e këngët e saj me Amazonën e lutjeve dhe këngëve për paqe. Poetet besojnë dhe luftojnë me fjalë më shumë se kushdo për paqen e shpirtit.
Në 11 katet e planetit të saj Rudina Muharremi – Beja ka ndërtuar parajsa. Por kati i 11 i saj është më i ndriçuari prej kandilit të shpirtit që bën dritë, ndërsa Orfeu këndon këngën e trishtimit për humbjen e shtëpisë që kishte dikur në atdhe.
Nga drita hyjnore e kandilit që digjet shihet lart e larg hëna e zbehtë e trishtimit dhe gratë që vrapojnë nëpër hënë si vargje poezie… autorja që vë shkallët e shpirtit për tek shpresa ku nuk mbërrijnë korbat që të ngrenë fole në ëndrrën e tyre të çmendur për tu zbardhë…
Miq, dhuron kënaqësi të epërme të ngrohesh zemrën në dritën e këtij kandili shpirti.
Please follow and like us: