Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: KOZMOS

Tregim
Kur jetoja me tim bir, përballë shtëpisë së tij dhe përtej rrugës, ishte edhe një familje indiane. Ishte një çift në moshë mesatare dhe dy bijat e tyre. Ne jetonim në fund të bllokut, pikërisht brenda trekëndëshit, ose në korne. Ata na kishin ne si në pëllëmbë të dorës, më saktë si në një sini, sepse i tillë vjen relievi. Prej dritares së kuzhinës së tyre, ku ata rrinin shpesh, shihnin kur hynim e dilnim, çfarë tip makinash përdornim dhe sa njerëz na vinin për vizitë. Kjo nuk na shqetësonte fare, sepse ata ishin të sjellshëm e të respektuar, rob Zoti. E zonja e shtëpisë, sa herë kishte zbritje të artikujve në dyqanin ku ajo punonte, na lajmëronte me gëzim, sidomos për lodrat e fëmijëve. Në pesëmbëdhjetë vjet, nuk mbaj mend kurrë të na kishin pyetur për emrat. Më vonë mësova se burrin e thërrisnin Sid, ndërsa ai më thërriste mua duke shtuar një “j” në fund të emrit tim.
Pas librave, mua më pëlqejnë shumë bimët, sidomos lulet. Pëlqej jo vetëm bukurinë e tyre, por edhe dinamikën e zhvillimit. Në gjashtë muajt e vitit, një ose dy orë në ditë, pasi lodhesha nga shkrimet e leximet, e kisha bërë zakon të mbillja, prashitja, ujitja dhe krasitja bimë a pemë. Thirrjet ritmike që dëgjoheshin nga brenda shtëpisë, në drejtimin tim ishin: “Na grive me ujin, kushedi sa do të vijë fatura këtë muaj…”. Megjithatë, duke përfituar edhe si më i madhi në moshë, bëja një sy qorr e një vesh shurdh, vazhdoja sipas rradakes sime. Kënaqësinë më të madhe e ndjeja kur nxënës shkolle, apo qytetarë të zakonshëm të bllokut, ndaleshin dhe më kërkonin lejë për të bërë foto. (Më qejflitë e fotove qenkishin japonezët). Me humor, të rinjve u thoja të mos harronin t’i futnin shkrepjet në istagram.
Në atë sezon, lulet që kisha mbjellë, kishin shpërthyer me të gjithë ngjyrat dhe bukurinë e tyre, çifti indian përballë, erdhi e u ndal tek “fronti im i punës sime”.
– Na ndihmo edhe ne të mbjellim ca lule tek hyrja e shtëpisë, – m’u lutën të dy, në një zë, me një përulësi më të madhe se ajo e kinezëve.
– Me kënaqësi, nisemi, që tani, – u thashë – më pëlqen tej mase kjo që doni të bëni.
– Ta paguajmë punën, – tha e shoqja.
– Jo, e bëj vullnetarisht dhe me kënaqësi, – iu përgjegja shumë seriozisht.
U zunë ngushtë, ishin të papërgatitur dhe nuk e mendonin që do të tregohesha aq i gatshëm e bujar, por sidomos që nuk kërkoja shpërblim. “Ves” ky që na ka mbetur trashëgim nga koha e komunizmit.
– Nesër, – thanë – të pyesim edhe vajzat se çfarë mendimi kanë ato.
– Ok.
Të nesërmen që binte ditë e shtunë, u fanepsën përsëri. Familja ishte, në një mendje, në unison. I porosita që në portobagazhin e makinës të shtronin një fletë plastmasi. Nuk kishin. U huajta unë një nga të miat. As nuk pyetën pse duhej ajo fletë plastmasi. Dyqanin e luleve e kemi afër dhe ato ditë ai kishte bërë ca ulje, ishte në mes të sezonit të shitjeve. U rashë rrotull tezgave. Zgjodha lule me një çmim të arsyshëm dhe afatgjata. Mora edhe një thes pleh. Shtrova plastmasin dhe i vendosa të gjitha blerjet në portobagazh. Ata më ndiqnin syshqyer në
çdo hap e lëvizje që bëja. U kthyem në shtëpinë e tyre. Mora veglat e mia dhe rrëmiha tokën nga të dy krahët e daljes së shtëpisë. Veçova barërat e këqia dhe baltën e bëra të hollë si miell. Ah, kjo tokë e begatë e Kanadasë, të ishte në vendin tim! E trazova baltën me pleh dhe bëra gati gropat për mbjellje. Ata më ndiqnin pa folur, gjithë sy e veshë dhe dukeshin të habitur, megjithse kjo nuk është ndonjë mjeshtëri kushediçë. Me sa dukej nuk ishin marrë kurrë me bujqësi. Para mbjelljes njoma gropat me ujë dhe futa fidanët duke matur distancat midis tyre.
– Ke pasur mbjellë në vendin tënd? – më pyeti burri.
– Kurrë.
– Pse?
– Sepse kam jetuar në apartament.
– Po si e ke mësuar këtë mjeshtëri? – vazhdoi ai të pyesë.
– Nga interneti, kur kam mbërritur këtu në Kanada, çfarë nuk gjen në internet, jo vetëm si të mbjellësh lule e perime, por edhe si të ndërtosh një shtëpi nga e para.
– Si nuk na e kanë thënë vajzat tona këtë?! – pyeti gruaja.
– Se nuk i kemi pyetur, – ia priti i shoqi aty për aty.
Pas ca ditësh, lulet e tyre, pasi u rrënjëzuan mirë, morën hov dhe po harboheshin njëra pas tjetrës. Pastaj për habinë time varën kryet. Çfarë u kishte ndodhur? Ah, po, nuk dëgjuan këshillën time, por nga kënaqësia, apo zelli i tepërt, u shtuan ujitjen pa kursim. Lulet varën kryet si të zemëruara. “Na u sëmurën, syri i keq”, më tha afër veshit burri. Me sa duket ishte besimtar i thekur, ndoshta hindu.
Buzëqesha dhe shkova të shoh, lucë e gjallë, kënetë. “Mos u hidh ujë çdo ditë, or mik, por njëherë në tri ditë, lëri të marrin frymë, po ua kalb rrënjët, sër Sid, janë delikate. Mos mendo se ti je më dorëlëshuar sesa unë me ujin”. Sidi më dëgjoi si një nxënës shkolle. Them se i binda të dy, sepse tundën disa herë kokën në shenjë miratimi. Ata i vështronin lulet plot dashuri, sikur të ishin fëmijë të tyre, u kishin hyrë në zemër. Numuronin gonxhet, petalet, u merrnin erë, dallonin aromat dhe për çdo ndryshim, plot kënaqësi, vinin e më tregonin me sy rrezëllitës.
Erdhi muaji qershor, me nxehtësi dielli, kur lulet janë në kulmin e vegjetacionit të tyre. Kurorat ishin të dendura, të kërleshura dhe toka e zezë nuk dukej poshtë tyre, ishte e mbuluar me gjethe jeshile, të errëta dhe petale gjithfarë ngjyrash.
– Tani duhet pleh kimik me kokërriza që të përmirësojë strukturën e tokës, – u sugjerova. Dhe nuk e bënë fjalën dysh. Të nesërmen blenë plot dy thasë, nga 8 kg secilin.
– Ah, ju keni marrë pleh kimik për një fermë të tërë, o derëbardhë. Duhen vetëm dy qese nga 350 gram. Shkoni i ktheni këta dy thasë. Ka rrezik të digjni lulet, më lejoni mua t’ua shpërndaj plehun.
– Po ne duhet të mësohemi vetë.
– Ok, fillimisht më ndiqni mua.
Treta plehun kimik në një ibrik me ujë, një me njëzet njësi dhe ua shpërndava luleve, leh pas lehe.
– Kemi bërë një gabim – tha e shoqja – më mirë t’i kishim mbjellë domate e speca. Mbjell dot ti speca djegëse nga ato të Indisë?!
– E çfarë nuk mbjellin këta europianët, mendja prej këtyre ka dalë, gjithë shpikjet këta i kanë bërë – tha Sidi si më i ditur e më i lexuar sesa e shoqja. (Mua m’u bë zemra mal që edhe ne shqiptarëve na quajti europianë, pavarësisht që nuk na kanë futur ende në Bashkimin Europian).
– Posi jo, por perimet duhen mbjellë në kopësht të rrethuar, me sa di, ju nuk keni vend të tillë. Këtu, në anë të rrugës, siç keni ju pamjen ballore, nuk mbillen perime. Natën këtu kalojnë kafshë të egra, sidomos qelbësa dhe rakunë. Ata nuk ua varin luleve, ama perimeve po, për specat djegëse nuk jam i sigurt.
Gruaja zuri hundët me dorë. Me sa duket iu kujtua era e padurueshme e qelbësave (skunks), ky mekanizëm perfekt, era e qelbur, për t’u mbrojtur ata nga kafshët e tjera agresive.
Pas disa ditësh sër Sidi, indianët para çdo emri mashkull vënë epitetin anglez sër, po vinte i qeshur drejt meje:
– Të lutem Sër, ktheje kokën dhe shiko mbi parvazin e derës sime, e sheh atë si zog të bardhë? – më pyeti.
– Po, e shoh.
– Është kamera me rezolucion të lartë, kap deri tek parkingu juaj. Diçka më këput lulet natën, kafshë apo njeri, do ta gjej.
Dhe unë që çdo ditë e pyesja me gjysmë humori, “gjete gjë, Sër?”. Një prej atyre ditëve u afrua si një gjuetar në pyll, duke parë djathtas e majtas. E paskishte seriozisht. E ndijeva se diçka të rëndësishme do më kumtonte. Uli zërin në maksimum, por sytë i rrotullonte nga të katër anët e horizontit.
– Kamerën ma ka marrë policia … Po të lutem, mos e bën fjalë me njeri tjetër, Sër, kisha kapur hajdutin që grabiti bankën këtu tek Pllaca, mbrapa. Dinaku-hajdut, makinën e kishte parkuar ngjitur me parkingut tuaj. Ka kontrolluar që aty nuk ka pasur kamera dhe vërtetë që ju nuk keni vënë kamera, por nuk dinte se unë e mbuloj edhe territorin tuaj.
U habita. Siç mësova më vonë, kjo ishte e vërtetë. Filmimet e kameras së tij shërbyen si dëshmi në gjyq. Ishte një zezak që kishte vjedhur bankën e nivelit të dytë, tek Pllaca. E tradhëtoi targa e makinës që kishte fshehur në anën tonë.
E ja kështu, as i besohet të nesërmes dhe as planifikimmeve, ka të papritura kjo jallane. Në pranverën tjetër, anëmbanë globit ia grahu pandemia. Ndryshuam mënyrën e punës, të jetës, fqinjësinë, deri edhe mësimin në shkolla. Zoti Sid me të shoqen u mbyllën brenda shtëpisë së tyre dykatshe, sidomos zoti Sid. Pikërisht kur lulet u hynë aq shumë në qejf dhe kishin thurur dhjetra plane se ku e si t’i mbillnin ato, shteti doli me urdhëra të prerë. Shumë dyqanë u mbyllën, edhe ata të luleve. Jeta mbi të gjitha, jeta e njeriut është më e çmuar sesa ajo e luleve. Ngjeshur me maska pas fytyrës, shiheshim shumë rrallë dhe nga larg. Shteti udhëzonte të rrinim tre metra larg njëri-tjetrit, ne, për siguri, rrinim gjashtë, shtatë metra larg, ndoshta dhe do na duhej të flisnim me stilin shqiptar, majekrahut.
Nganjëherë, të shoqen e Sidit, unë e pyesja nga një anë e rrugës në tjetrën, se si është ai me shëndet.
– Ka fizik shumë delikat, është me probleme në mushkëri. E kam izoluar në katin e dytë, nuk ka çelës të hyjë e të dalë. Po u sëmur, na merr në qafë të gjithëve, – më përgjigjej ajo gati me lotë në sy.
– Po me ushqimin si ia bëni?
– Ia lëmë tek dera.
U kujtova se tek dera e tyre e jashtme, sipër parvazit, me shkronja të mëdha kapitale, është e shkruar “Kozmos”. Dhe siç pohon e shoqja, Sidi, që i ka gdhendur vetë ato shkronja me dorën e tij, tërbohet nga inati e ikën nga fiqiri po ia prishi kush. Tani ai ka punë vetëm me Kozmosin.
Vras mendjen; kur e kam parë për herë të fundit? As më kujtohet si datë. Vetëm mbaj mend fytyrën e tij pa gjak, ngjyrë shtufi. Kam idenë se duhet të jetë para tre muajsh. Ishte pikërisht ai kur më kaloi në një kryqëzim, por nuk isha i sigurt nga që kishte në kokë një xhup me kapuç (hud). Me siguri, derisa e kam parë në rrugë, është hedhur nga dritarja. Ka shpëtuar nga izolimi. Nuk i fola se nuk isha i bindur. Tani ai më ndjek mua këmba-këmbës tek publikimet në facebook. Edhe pse nuk di shqip, punon me translate dhe komenton për të njëjtën gjë një herë, dy, tri, sa t’i dojë e bardha zemër. T’ia bllokoj?! Më vjen shumë keq për të, më dhimbset. Ende është i izoluar, tani jo prej pandemisë. Nuk është mirë prej sistemit nervor. Në azil nuk e çojnë dot sepse shërbimi kushton sa të gjitha rrogat e familjes. Kur shkoj tek shtëpia e tim biri, i bie rrotull, fare së prapthi, andej nga nuk më kap kamera e Sidit. Nuk duhet të më shikojë sepse i zgjohen kujtimet e kohës së para pandemisë dhe mund të hidhet nga dritarja. Nuk dua të bëhem shkas për ndonjë të pabërë. Tani as bëhet më fjalë për lule, por për KOZMOSIN, vetëm për Kozmosin.
Mississauga, 18 nëntor 2022.
Please follow and like us: