Albspirit

Media/News/Publishing

Mitrush Kuteli: ÇAST LAMTUMIRE

Dhimitër Pasko-Mitrush Kuteli Lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Mësimet e para i mori në vendlindje, studimet e mesme në Selanik, në Shkollën Tregtare Rumune (1921-1928). Më 1931 u diplomua në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, seriozitetit dhe kapacitetit të veçantë intelektual, u emërua drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë.

Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe drejtimi drejt Frontit të Lindjes. Nga rruga e vdekjes së sigurtë e ktheu një telegram ku njoftohej se Nëna e tij ishte shumë sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në Shtator 1942, dy javë pasi Nëna kishte ndërruar jetë.

Në janar u emërua Drejtor i Drejtorisë Qëndrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk pranoi të firmosi kursin që pati caktuar shteti komunist mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav, dhe që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit tonë. Në maj 1947 e arrestuan dhe pasi i thanë “armik i popullit”, e dënuan me pesë vjet heqje lirie. Kuteli u dërgua në kampin e Vioçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit.

E liruan “me falje”, në prill 1949. Nga viti 1949, Kuteli nuk u mor më me ekonomi dhe punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri. Letërsisë i kushtoi kohën e pakët që i mbeti nga puna e normuar e përkthimit. Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj 1967.

Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja.

 

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies

Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz

Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar

Të mosqënies.

 

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan

Atje ku qenë – lanë prapa tyre

Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,

Si çdo qënie.

 

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta

Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur

Kur çasti i madh troket në derën tonë

Urdhëronjës.

 

Koprace është jeta në të mira

Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –

Të gjitha duhen hequr dhe duruar

Zemërkthjellët.

 

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,

Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur

Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh

Pa keqardhje.

 

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje

Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin

Tim trashëgim të ta le pas vdekjes

Siç e mora.

 

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:

Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh

As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,

Qofsh i lumtur!

Please follow and like us: