Albspirit

Media/News/Publishing

Kadri Tarelli: Hajdutët e historisë

Kadri Tarelli

DIKUR U VRAMË PËR HISTORI, SOT SEHIRXHINJ TË KËQINJ
Mbrojtja e historisë dhe vlerave kombëtare, është një temë që rikthehet shpesh në vëmendje të opinionit publik, për shkak të ndjeshmërisë që ka shoqëria ndaj ngacmimeve, ndodhive dhe dukurive, që si rastësisht kanë ndodhur e po ndodhin edhe sot, dhe që janë të paparnueshme për çdo shqiptar e atdhetar, në të gjitha kohët.
Nuk e ndjej nevojën e një debati, sepse në shumicën e herëve ato përfundojnë në fyerje, akuza të ndërsjellta dhe shumë fjalë që nuk i shërbejnë askujt e aq më pak çështjes, duke e lënë në hije problemin që shqetëson. Mendoj se është më me vlerë të sjell në kujtesë disa ndodhi, që na trishtojnë e na zemërojnë duke gjykuar të sotmen, që qëndrojmë e veprojmë si sehirxhinj kur na dhunojnë e na grabisin historinë, ndërsa më parë kur ishim të pushtuar e nuk kishim shtet, jemi vrarë e sakatuar për mbrojtjen e historisë kombëtare dhe monumenteve të saj. Mbase e teproj kur i bëj pyetje vetes, rretheve intelektuale dhe strukturave akademike dhe shtetërore: Pse ndodh me ne shqiptarët, ose ç’ka ngjarë me ne shqiptarët që sillemi kështu?
Po e filloj së pari, me një ngjarje tragjike të ndodhur në vitin 1916, kur forcat pushtuese ushtarake austriake pushkatuan tre oficerë shqiptar, Kamber Myrto Bënja, toger Abaz Ismail Taushani dhe toger Bexhet Manastirliu. Cili ishte shkaku? Kundërshtuan grabitjen e gjetjeve arkeologjike në Apolloni. Duke i’u referuar librit të studjuesit Hasan Ulqini, “Grabitës të monumenteve”, njihemi me ngjarje rrënqethse dhe grabitje të paimagjinueshme të pasurive arkeologjike dhe historike të Shqipërisë, si nga turqit gjatë sundimit qindra – vjeçar, nga malazezët në Shkodër më 1913, serbët në Durrës gjatë luftës Ballkanike, dhe më pas nga pushtues të tjerë me rradhë, austriakët, italianët dhe francezët. Na vjen keq që shumë objekte me vlera të rralla artistike dhe shkencore, zbukurojnë sot muzeumet e kryeqyteteve të botës, Stamboll, Vjenë, Romë, Beograd, Londër, Paris, Berlin, etj. S’ besoj se të huajt dhe fqinjët tanë e bënë këtë për hatrin tonë. Ata, pavarësisht se i kanë “Hambarët plot me histori”, na i vodhën dhe na i grabitën me forcë monumentet e kulturës sonë, duke dëmtuar rëndë historinë tonë kombëtare. Bëjmë mirë t’i kujtojmë që të mos harrojmë, se të huajt, bashkë me ta edhe antishqiptarët, na vjedhin, plaçkisin dhe na grabisin, sa herë t’u jepet rasti. Dhe fatkeqësisht raste ka patur shumë, aq sa vazhdojnë edhe kësaj dite. Po citoj pak fjalë nga patrioti dhe dijetari Shtjefen Gjeçovi, pioneri i parë i arkeologjisë shqiptare: “Visari jonë, historia jonë, gjinden të mbulueme nën dhe, kushedi sa pash e pllambë…. Mjafton një kuletë e mbushun me sende të vjetra, të gjetuna në tokën tonë prej nji të huaji, për të na lan në terr një pikë historie”. H. Ulqini. “Grabitës të monumenteve”. Faqe 108 – 109.
Ç’koment mund t’u bëhen këtyre shënimeve të trishta që na përcjell Çarls Telford Erikson, në librin “Pesë vjet në Shqipëri”, (1908 – 1913), ku shkruan: “Unë isha vetëm një dëshmitar i zymtë dhe i heshtur… Elbasani, si njëra ndër qendrat më të mëdha të Shqipërisë së Mesme, e ndjeu i pari goditjen mizore të Shefqet Turgut Pashës. … Atë që armata mblodhi si “Armë”, do ta detyronte një tregëtar të antikës ta çkulë mjekrën e vet nga mllefi… Qindra pushkë e allti… Shpata të stërlashta antike, disa ndër to të zbukuruara me xhevahirë…. U flakën në një grumbull të stivuar e të përziera si bujashkat e pyllit…. U ngarkuan në kuaj dhe u dërguan jashtë vendit, ku s’do të shihen kurrë”. Faqe. 54 – 55.
Vazhdimi është po kaq tronditës. Historianët tanë qëndrojnë të palëkundur në një datë historike që na e kanë vendosur të tjerët dhe që ka të bëjë me themelimin e Durrësit më 627 para Krishtit. I nderuar lexues gjyko në qetësi: Historia e Shqipërisë e kl. 12 të gjimnazit në faqen 29, shkruan: “Rreth vitit 627.p.e.s, korintasit së bashku me korkyrasit themeluan Dyrrahun…… në territorin e banuar nga ilirët”. Është kjo një thënie e Tukididit në shekullin e III-të p.e.s, që ka mbetur si “Gozhda e Nastradinit”, që s’e shkulën as historianët e monarkisë, as akademikët e diktaturës dhe s’po e shkulin as historanët e akademikët e sotëm. I bëj pyetje vetes dhe të tjerëve: Si e komenton pedagogu dhe mësuesi i historisë këtë thënie? Po nxënësi dhe studenti si e kupton? Le të lodhen historianët e Durrësit të studiojnë e të shkruajnë libra dhe të vërtetojnë me dokumenta historike dhe gjetje arkeologjike, se Dyrrahu i hershëm dhe Durrësi i sotëm, është themeluar nga mbretër ilir, shumë vite më parë se në brigjet e tij të dukeshin anijet e kolonëve grek. Kam përshtypjen se edhe llogjika më e pamësuar, nuk mund ta përfytyrojë se brenda një viti lind e formohet një qytet. Veç kësaj çdo kush mund të pyesë: Po kolonët që erdhen, ishin bujq e blegtorë apo tregëtarë e zejtarë, që i shtyu era rastësisht në Durrës? Po të ishin bujq apo blegtorë, ata do të formonin një fshat në tokën që gjetën “pa zot”, ndërsa tregëtarët dhe zejtarët lakmuan qytetin, që e njihnin mirë, sepse deshin që të prodhojnë e tregëtojnë mallrat e tyre. Megjithatë kemi mbetur aty ku ishim, pavarësisht se Prof. dr. Hava e dr. Sali Hidri, kanë publikuar librin “Historia e Durrësit”, me të dhëna shkencore mbi lindjen dhe zhvillimin e qytetit 3000-vjeçar. Pavarësisht se edhe shoqata “Durrësi”, para ca kohësh festoi 3000-vjetorin e themelimit qytetit, po historia jonë nuk po lëviz nga istikami, ndërsa Akademia mënjanohet, qëndron në heshtje dhe nuk e merr përsipër, së paku ta lëkundë “Gozhdën e ndryshkur” në historinë tonë kombëtare. Me dhimbje, por duhet ta pranojmë, se këtu nuk është faji i fqinjit tonë jugor. E kërkojmë dhe e gjejmë fajin mes nesh, që na ka humbur rruga në oborr, bëhemi sehirxhinj e dorëlëshuar me historinë, dhe s’i vemë në kandar gjërat e “vogla”.
Meritojnë përshëndetje atë çka thonë e shkruajnë të huajt për historinë tonë, kur bëhet fjalë për arkiva e ngjarje që kanë lënë pasoja në dokumentimin e historisë. Historiani francez Zhan Klod Faveirial, tek libri “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”. Faqe 334, shkruan mbi djegjen e arkivit 800-vjeçar në manastirin e Shën Naumit, pranë liqenit të Ohrit, me urdhër të patriarkut grek në vitin 1850-1851. Më tej ai vazhdon: “Murgu Serafin, autor i këtij akti vandalizmi, i thoshte më 1856, peshkopit Popov dhe tre shokëve të tij..: “Sa më ka kushtuar për t’i shkatëruar të gjitha këto. Por patriarku më ka urdhëruar tri herë radhazi. Më së fundi, ai më shkroi: Është hera e fundit që ne të urdhërojmë….”. Vetiu lindin pyetje të shumta që e kanë brenda edhe përgjigjen: Pse i dogjën? Ç’përmbanin këto dokumenta? Kush nuk duhet t’i lexone e t’i njihte ato? Kujt i prishnin punë, apo kujt i hapnin punë, po të hapeshin ato një ditë?
Afrohemi sot në kohët moderne, në trajtimin e historisë ndaj Aleksandrit të Madh të Mqedonisë. Në vitin 2014 janë disa gazeta që publikojnë shkrime lidhur me Aleksandrin e Madh, të cilin bota e njeh me emrim Aleksandri i Maqedonisë. Në testamentin e zbuluar nga studjuesja italiane Lucia Nadin, (një dokument të zbuluar kohët e fundit), “ai me gojën e tij ka thënë se, është pjellë e racës Ilire”. Maqedonasit i ngritën në mes të Skupit një përmendore të lartë e të bukur, pavarësisht se nuk është i racës së tyre, veç që mban emrin e Maqedonisë. Ndërsa ne, Akademia, apo katedrat e historisë pranë universiteteve, nuk kemi guxim të bëjmë një diskutim, apo kuvend shkencor lidhur me këtë zbulim të madh, që e nderon racën tonë. Nuk i shaj, as nuk i mbaj inat maqedonasit, që na grabisin heronjtë tanë. Ata po ndërtojnë historinë e tyre, me pjesë të historisë sonë dhe mburren. Një individ mund të thërrasë deri në kupë të qielli, po ësht vetëm një dhe s’e dëgjon njeri. Ai mund të shpojë e mallkojë institucionet shqiptare që heshtin, në mënyrë që të shkunden nga plogështia, të ngrihen nga rehatia e të lëvizin, që t’i dalin për zot historisë sonë.
Kërkojmë më tej në trazirën tonë shqiptare dhe gjejmë çudira. Bie fjala për qëndrimin pndaj figurës më të madhe e më të ndritur të kombit, për Nënë Terezën. Të gjithë e mbajmë mend zhurmën që u bë para pak vitesh, mes nesh dhe maqedonasve, kur Vatikani vendosi që, Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza shqiptare, të shpallej shenjtore. Besoj se bëmë mire, që u ngrit opinioni intelektual e politik, që Nënë Tereza të mbetej shqiptare, ashtu siç ishte dhe është në të vërtetë. Nuk ka vlerë për përgjigje një pyetje që mbetet mes buzëve: Pse vrapuan maqedonasit ta përvetësonin emrin dhe veprën e saj, megjithse e dinë mirë se ajo është shqiptare?
Ashtu si shumë të tjerë, kam shkuar shpesh në Shkup dhe jam prulur me nderim para monumentit madhështor të Lekës së Madh, para shtatores së Nënë Terezës, dhe të prijsit tonë legjendar Skënderbeut, figurave të ndritura të racës iliro-shqiptare. Unë i vlerësoj për nderin dhe vlerësimin që u bëhet këtyre figurave me përmasa botërore, pavarësisht se ata nuk e bëjnë për hatrin dhe lavdinë e shqiptarëve e të Shqipërisë. “Çudia” qëndron tek ajo çka po bëjmë ne, që po tregohemi dorlëshuar me heronjtë dhe historinë tonë.
Afrohemi në ditët e fundit. Pak muaj më parë u bë pak zhurmë mediatike, lidhur me alarmin që dha gazetari ynë Marin Mema, lidhur me “Zambakun shqiptar”, që biollogët serb po duan ta quajnë të tyren, pasi është gjetur edhe në rrethinat e Mitrovicës. Me një goditje vrasin dy zogj, sepse edhe Mitrovicën shqiptare po e quajnë territor serb. Shumë mirë për ta, por shumë keq për ne, për shkencën tonë dhe për emrin e Shqipërisë, pasi edhe kjo lule e rrallë është pasuri kombëtare e njohur në thesarin botëror. Do ta quaj veten fatlum, nëse unë nuk e di, që ka dalë ndonjë deklaratë, mbase studim i akademisë apo e katedrave të Universiteteve tona, që të përballet shkëncërisht, të dënojë veprimin serb dhe të mbrojë pasuritë tona kombëtare.
Dikush, ashtu si edhe për ndodhitë e tjera, mund të shprehet pa u menduar gjatë, “S’u bë qameti për një lule”. E di që s’kanë të drejtë, ndaj i pyes për t’i dhënë edhe përgjigje: Po ne pse nuk vemë mend duke mësuar nga të tjerët dhe nga makutëria e fqinjëve tan, që nuk falin veç na grabisin? Për të vazhduar edhe një herë me pyetjen: Vallë ç’po ndodh me ne shqiptarët që po venitet nervi i vetëmbrojtjes?

 

Please follow and like us: