Shefqet Meko: Jam nga fshati…
-Një “avokati” e detyruar për njeriun ëndërrimtar. Fshatarët janë njerëz që “ushqejnë qytetin”. Fyerja ndaj dikujt që “nuk jeton ku jeton ti” është “fshatarizëm i qytetëruar”. ”Rracizmi” shqiptar ka rrënjë të thella, por në thelb është e zezë e atij që i shterin ëndrrat-
Edhe kafshët ëndrrojnë, por nuk na i tregojnë “ëndrrat që shohin”, mbase sepse “nuk flasin shqip”. Kjo frazë më mbiu në mendje, kur ndoqa një shënim të një shqiptaro-amerikani që “kishte vizituar Shqipërinë”. Jam ndjerë i fyer dhe i poshtëruar se si një njeri i tillë që për dekada jeton në Amerikë, nuk ka mundur ta mposhtë “ instiktin racor” kur këtu “të tredhin” po e shfaqe publikisht. Me sa duket ndihet edhe në Amerikë “Pishtar Demokracie”…
Unë jam nga fshati dhe jam krenar ta kem lindur atje, duke filluar “jetën nga zero” në mos nën zero. Jeta në fshat është “stazhi” i vërtetë për çdo krijesë njerëzore sepse je përherë përballë natyrës. Atje zgjohesh me këngën e këndezit dhe kajarisjen e pulave, dëgjon blegërima qingjash e hingëllima kuajsh, pëllitje lopësh e “gomarllëqe gomerësh”. Shkurt nuk ka fat më të madh se sa ta fillosh jetën në fshat: Aty njeriu është “lakuriq”. Aty njeriu fillon dhe ëndërron “të ikë nga tufa”, të shohë qytetin, të shëtisë në kalldrëme e asfalte me “shollat me baltë”…
Fshati është “shkolla e vërtetë” e njeriut jo se është parajsë, (atje shpesh jeta është lloj-ferri) jo se është më i mirë se qyteti, por sepse është një “fole ëndrrash”… Kur rastësisht je lindur në fshat, ëndërra e parë është “të vizitosh qytetin”… Kur ke lindur në fshat fantazia jote fluturon kodrinave e maleve, dhe ti si fëmijë shijon “zbulimet natyrore”: Ngjitesh majë një kodre dhe kujton se “kap diellin me dorë” ani pse ai vijon perëndimin e vet të pandalshëm…Besoj së këtu buron “energjia fshatare” pikërisht tek bredhja nëpër kodra dhe përpjekja “për të kapur Diellin”…
Unë ndihem me fat të kem lindur në fshat, sepse aty kam shijuar aromën e familjes e kam nuhatur “kundërmimin e djersës”; kam parë si gatuhet buka, si mbillet jeta në tokë, si bëhet djathi e gjiza, si shtohet bagëtia, si vjen dimri dhe pranvera, si çelin manushaqet dhe si “zgjohen” bletët që nuk flenë gjumë. Vetëm në fshat njeriu vrapon si çamarrok rrugëve dhe “nuk e shtyp makina”. Aty rrëfimet e të moshuarve tingëllojnë “kryevepra letrare” dhe fjala e urtë kthehet në një lloj “busull” që nuk gabon kurrë.
Fshati është shpikja e parë e njeriut që u “arratis” nga shpellat e guvat e hershme… Pastaj lindi “kasabaja ”, qytetet, metropolet dhe “vetë Amerika”…Mos u habisni: fshatarët janë përherë të sukseshem sepse “kanë lindur në fshat”. Aty ata i kanë parë të gjitha: të mirin dhe të keqin, engjëllin dhe dreqin, punën dhe hilenë, ëndrrën dhe të vërtetën,shiun dhe breshërin, jetën dhe vdekjen…
Kot përpiqen njerëzit “ shterpë” në ëndrra që çdo gjë të keqe në Tiranë apo kudo në Shqipëri, t’ia faturojnë “fshatarit” që erdhi në qytet! Jo fshatari i vërtetë që ka fatin të vijë në qytet,vjen me një “thes me ëndrra” jot “torbë me baltë” siç thoshte poeti Agolli në “Shekullin që shkoi”… Agolli fliste për Tjetër kohë, Tjetër ideologji… Sidoqoftë, “balta” e Agollit ishte, thellë-thellë një tallje me kohën.
Unë jam me fat të kem lindur në fshat sepse e kam parë jetën “Nga viti zero”… Mos më fyej me egon tënde idjoteske duke më quajtur “fshatar” ty që të rren mendja se je “qytetar”. Qytetari i sotëm ka tiparin fisnik të mosfyerjes të tjetrit që “nuk është si Ai” por ndihmon sa mundet që të shtohet “ klasa e qytetarisë” me “fshatarë të civilizuar”, sepse asnjë qytetërim nuk “merr hua nga kozmosi”… Nuk ka ndodhur ende…
Nuk e mohoj se prej andej vij, por më vjen keq kur shoh “qytetarë” që nuk dinë “si lidhet gomari “. Unë i di të gjitha dhe dua të mësoj edhe “Nga jeta e qytetit”: teatrot, bukevardet me drita, bibliotekat, shatërvanet, pallatet e larta, aerodromet dhe universitetet…
… Pas kaq vitesh i kam parë të gjitha. I kam provuar të gjitha dhe kam mësuar se kam mbetur “po ai fshatar” që nuk lëndoj kënd, nuk fyej kënd,nuk vras kënd dhe nuk më gëzon “fati i hidhur i tjetrit”…Kjo më trishton, por nuk kam forcë…Po të ishte për “shpirtin e fshatarit” nuk do kishte as luftra, as diktatura, as nazizëm, as socializëm, as superfuqi, as “botë në krizë”…
Të gjitha këto janë “gatuar” nëpër qytete dhe metropole, aty ku thuhet se “jetojnë qytetarë”…
Në këto radhë nuk mund t’i them të gjitha,por tironsin që jeton në Amerikë si puna ime do ta pyesja thjesht: Ishte nga fshati apo nga qyteti Enver Hoxha?!…Po “shokët e byrosë” a nuk ishin gati të gjithë nga qyteti?… Të moshuarit e fshatit tim thoshin “Nuk ka pyll pa derra”. Unë dua t’u ngre lavde e kulte të mirës e virtytit njerëzor, që më duken sikur janë “nga fshati tim”. A nuk mbahet Perëndimi nga “Kulti i Krishtit”?… Kjo është “leva e Arkimendit” që mban Lirinë e njeriut “në lëvizje”…
Unë jam nga një fshat shqiptar, por jetoj në Amerikë! Unë jam nga fshati Pretushë, që i përket Pogradecit lasgushian. “Njeriu nuk mund ta zgjedhë vendlidjen, por vendin ku jeton”, thonë amerikanët. Unë , duke njohur “klonet” shqiptare do shtoja “…nuk kontrollon dot ku lind, por jetën që do të jetosh”. Sa mirë me qënë nga fshati edhe pse “qytetarët e fshatarizuar” nuk mund ta kuptojnë!
Minneapolis, Minnesota USA, 27 Janar 2023.
Please follow and like us: