Ismail Xhaferi: PRITJE…
Pret pranvera të dalë dimri,
me fustan të lehtë të vishet,
pret e pret dhe një fole,
që të kthehen dallëndyshet…
Në një mbrëmje të bekuar
për takim një djalë po ngutet,
pret një vajzë në anë të rrugës,
pret qershia që të skuqet.
Pret një mal e pret një kreshtë,
që mbi sup t’i ulen retë,
pret një lumë të bjerë shi,
që të mbërrijë më shpejt në det.
Pret një bletë të çelë tërfili,
përmbi fletë të shkojë të ulet,
në çdo dorë të dashuruar,
pret t’i shohë mimoza lulet.
Pret fëmija të hedhë shtat,
si i rritur do të duket,
pret një zemër t’i trokasin,
pret një mollë që të këputet.
Pret një trandafil i brishtë,
që të mbushet me burbuqe,
pret një yll të bjerë muzgu,
pret një vajzë të bëhet nuse.
Pret pranvera të dalë dimri,
me fustan të lehtë të vishet,
pret e pret dhe një fole,
që të kthehen dallëndyshet.