Cikël poetik nga Odise Kote
Dashuria
Dashuria s’është kujtim që mund ta urresh,
As frikë lëndimi për besimin që s’e kishe.
Është fantazi hyjnore, krijohet si do vetë,
Duke lënë gjithë pyetjet pa përgjigje.
Dashuria është e mbushur përplot iluzione,
brenda vetes lindin e përbrenda fshihen.
Është fantazi hyjnore, kufijtë i vë vetë,
Duke lënë gjithë pyetjet pa përgjigje.
Dashuria nuk është kurrësesi një braktisje,
Zemra e nënës e syri zotit, janë aty përjetë.
Nuk është një plagë që dhuron veç dhimbje
Por fantazi hyjnore që të mbush me shpresë,
Dashuria nuk ka imitim, është krejt origjinale,
Nuk është kujtim, kurrësesi s’mund ta fshish.
Dashuria i lë gjithë pyetjet pa përgjigje,
Fantazi hyjnore, vendos vetë për kufijtë.
Kaq mote larguar…
Kaq pranë qëndruar,
Kaq mote larguar,
A nuk e ndjen nga ky i ftohtë?
Krejt hapësira,
Antraktidë, – oqeani,
Mbretëri e bardhë qiell – tokë,
vetvete e lodhur.
Vizatime dëshirash që shfaqen,
arratisen,
si fantazma në horizont.
E pambërritshme ngjan dhe një ëndërr,
që rri e pret,
e ma shndërron nē stalagtit dhe mallin.
Tej për tej më shpon,
Thikë në kraharor.
Për ty,
E ikura nga zjarri…
Ujk i zi në dëborën e bardhë…
Një ujk i zi vjen rrotull, atje në dëborë të bardhë,
Është mjergull e keqe, llurbi, nuk ka çfarë të hajë.
Duhet patjetër të gjejë, pritë hileqare, një vend,
Kurthëruar, i fikur, prej hirit vrastar që çmend.
Dhimbë stomaku, britmë ulëritëse që s’humb,
Shuar, shterur, gremisur thellë, thellë në shkrumb.
Pamje e përzitur dhe dhëmbë, mahi e huti rituali,
Fund i rrëfimit pa fund, heshtak i vdekur, i gjalli.
Përndezur e truar bisha, teknikë inverse dhe gjak,
Gjerb mbi gjah harresash – dëshmi, rrëfim opak.
Plojë e mite e kohë, që ecin kuturu dhe mbrapsht,
Shkrepëtima në sy rri pezull, sqimë dhe after life.
Një ujk i zi vjen rrotull, atje në dëborë të bardhë,
Është mjergull e keqe, llurbi, nuk ka çfarë të hajë.