Biblioteka që i jep shkëlqim qendrës së Vitisë
Komuniteti i Vitisë ka arritur ta vendosë një bibliotekë në qendër të qytetit e cila ngjason me një kabine telefoni, duke i dhënë shkëlqim sheshit të qytetit. Në këtë bibliotekë lexues, nxënës e studentë mund të marrin libra për lexim dhe më pas t’i kthejnë sërish pas leximit, shkruan Fol Drejt.
Shkruan Gëzim Olluri
Shoqata e Shkrimtarëve të Vitisë “Ramadan Musliu” në krye me organizatoren Xhezide Selimi dhe aktivistë politikë, qytetarë si dhe kabinën që e ka siguruar kafiteria “Bar’on”, kanë arritur të japin shembull të mirë për nxitjen e kulturës së leximit. Vitiasit e kanë vendosur një kabinë telefoni në sheshin “Njazi Azemi” dhe në të kanë vendosur një sasi librash të grumbulluar nga vullnetarët.
Kjo bibliotekë është vendosur pasi komuniteti vitias ka siguruar lejen nga Komuna e Vitisë, rrespektivisht nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë. Leja për bibliotekën ka filluar nga 20 janari i këtij viti dhe do të vazhdoj deri më 20 janar të vitit 2024 me mundësi vazhdimi.
Xhezide Selimi, e cila është organizatore në vijimësi për dhurim librash në bibliotekat shkollore në Viti, ka thënë për “Fol Drejt” se një nismë të tillë do ta vazhdojnë edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Sipas Selimit, që në fillim të vendosjes së saj ka pasur interesim të nxënësve për të marrë libra ngase janë mbledhur edhe libra për nxënës e fëmijë falë dhuruesve e donatorëve.