Albspirit

Media/News/Publishing

Eri, unë jam Turi që i shaj të gjithë! Por kam disa pyetje për ty

 

Nga Artur Zheji

Në rradhë të parë rrofsh për konfidencën zoti Brace. Tash e tutje po të thërras thjesht Eri.

Ti besoj e di, se ty, ashtu si edhe mua, të shajnë dhe të kërdisin webeve. Por kjo në kohë të sotshme është një provë e prekshme që egziston.

Pastaj ti e di, Ed Ramën e kanë sharë dhe e kanë kërdisur edhe më keq. E nxorën edhe cullak apo lakuriq. Dhe ata që e nxorrën ashtu, krejt si e kishte nxjerrë në dritë, zonja Neta, zonjë grua do mbetet për mua gjithmonë, jane sot miqtë më të mirë të kryeministrit.

Mirëpo shqiptarët, as që pyetën, menduan ndryshe dhe e bënë kryeministër.

Unë nuk po merrem me atë çka shkruan ti për Reformën, sepse kam shkruar gjërë e gjatë për të. Dhe sepse kam qenë për një Reformë në Drejtësi dhe personalisht, ti e di, që unë nuk kam krime për të fshehur, por habitem për kurajon që ke, kur thua që “Turi i shan të gjithë!” Kjo nuk kapërdihet dhe aq lehtë!

Prandaj tani Er, dëgjo e mba vesh ca gjëra.

Këto ditë, jam sulmuar paq, nga të gjitha anët, poshtë e lartë, majtas djathtas, mbi dhe nën brez. Me fyerje, kërcënime, krijime shumëplanëshe. Madje një farë Anri dhe ca pa emër, më kanë kujtuar se kam hesape për të larë, ca më pas.

Madje në nja dy raste, ja njoha penën edhe kryeministrit tënd. Që ti, besoj e di që është goxha grafoman dhe që kur do të shfryjë, por nuk i lejohet, përdor ca persona këllëf, ku ndërkall vrerin e tij, nën emrin këllëf të tyre. Por Edi, skicat e para letrare, i ka bërë nën drejtimin tim, vite më parë dhe e kam “zbuluar” dora vetë, dhe si shkrimtar nuk eshte aspak për tu sharë. Por stilin ja njoh si do qe ta sperdredhe mjeshterisht.

Ti besoj Er, ke qenë në zyrë të tij kryeministrore. E ke parë ti Er, se si e ka konceptuar tek marangozi i tij personal me porosi mobilimin e zyrës së vet?
Një poltronë të stërmadhe për vete, një skrivani gjigande, dhe ca karrige të vogla dhe të ulta për vizitorët. Ka një problem këtu Er, ka një delir. Apo ka një paqejfllëk këtu, si thotë populli. Ai tani vetëpandehet mbret! Dhe jeni ju të Partisë Socialiste të Re dhe të Rilindur, që ja keni shtruar qilimin e kuq!

Unë nuk shaj dhe nuk fyej kurrë kur shkruaj, andaj habitem që thua me kaq dashuri që : “Turi i shan të gjithë!”

Nëse ty të shan gjithë dynjaja, sidomos brenda qeverisë tënde, unë të këshilloj që ta bësh veten dhe të shahesh nga pleshtat dhe shushunjat, se kështu i bën mirë shqiptarëve.

Por ti Er, ke humbura ca beteja, që unë kam pandyer, se nuk i ke pasur retorikë politike, por dashuri për Lekun e Popullit tonë që ska bukë të hajë, në ca raste. Apo mos të duket se po shaj popullin tani?

E para, ti fillove një “betejë” për Bankers Petroleum dhe e humbe, ose ta mbyllën gojën. Thuhet se aty, u janë vjedhur shqiptarëve jo pak, por nja 2.000.000.000 dollarë.

Pra 2 miliard dollarë spitale, rrugë, shërbime, maternitete dhe varreza të reja. Ato para ikën Er, përgjegjës janë të gjitha qeveritë, ajo që iku dhe kjo që është. Tani kanadezët e shitën Bankersin Er, kinezëve thuhet, me gjithë naftën e Shqipërisë brenda. Edhe të paktën nja 10 apo 20 miliardë dollarë të tjerë, nën tokë vlla!

Do ta pijnë naftën flori të shqiptarëve dhe do ta bëjë shampanjë, havjar, Ferrari dhe kurva, kapitali ndërkombëtar, ndërkohë shqiptarët, si në Kongon e diamanteve, do lëpihen e do hanë supë, të mencat e Erit tjetër. Veliajt me një llaf, që mirë fort bëri që i sajoi ato menca, por kjo është shumë pak, për shqiptarët e pasur dhe të varfër njëkohësisht.

E dyta, kryeministri yt Er, sepse unë besoj se ty të dhemb paraja e popullit dhe nuk shtiresh, e cpoi dorën dhe dha vjet ca koncesione të turpshme. Ti je kryetar Komisioni në financa dhe e di, po aq mirë sa unë, që shteti jep leje zhvillimore dhe paratë duhet ti hedhë e ti investojë kapitali. Dhe le të të fitojë para mbi para, por të investojëe dhe të hapë vende pune!

Cfarë the dhe fole ti, Deputet i Popillit më të varfër të Europës, Er, kur u shpërndanë ca qindëshe milionë euro, si rrush e kumbulla?!

Nuk të kam dëgjuar Er, ndoshta edhe ke thënë ndonjë gjë. Apo Vilma Nushi është e jona dhe fap! le ta gëzojë një qindëeshe milion euro për 10 vjet, për të bërë check up-et? Të cilat ajo, si tregëtare që është dhe jo sipërmarrëse spitalesh i ka nënlicensuar për 2 grosh tek klinikat e të tjerëve, duke mbajtur 10 grosh për check up për vete?

Është kjo një sharje Er?

E njejta gjë u përsërit për hemodializën, rreth 86 milionë dollarë, që e fitoi koncesionin e madh, me letrat e një biznesi birrarie në Berat? Këtë nuk e them unë Er, por ca cuna e ca cupa të pafajshëm te BIRN-i.

E treta Er, ti je partiak dhe kjo është e drejta jote. Por, duke folur vetëm për Berishën dhe Lulin dhe “krimet e tyre”, a nujk po hutojmë dynjanë e të mos shohë krimet ekonomike, që po ndodhin sot e kësaj dite?

Apo hajdutëria dhe grabitja, ti mendon se është një sëmundje genetike vetëm e një partie?

Domethënë cfarë përmban Partia Demokratike janë hajdutë, vrasës, gënjeshtarë, mashtrues, të pandershëm, vrasës. Kurse cfarë ka përzgjedhur Partia Socialiste, janë genetikisht të vaksinuar me ndershmëri, aftësi, sinqeritet, fisnikëri, vetëpërmbajtje, e të tjera brockulla si këto?

Si mendon ti, se ne gazetarët, ashtu si ju partiakët, duhet të merremi vetëm me të shkuarën dhe ti lemë pa përmendur banditët që vjedhin Bankat në

Aeroport ditën për diell?

Apo Përgjimet shtetërore të komanduara dhe të turpshme?

Apo koncesionet, që janë dhurata financiare për financimet e djeshme dhe të nesërme elektorale?

Po Bilal Shehun e shpika unë Er? Zotërinë e dashur 80.000 dollarësh për një foto?

Po barcaletën e drejtoreshës së përgjithshme të tatimeve: “E ku qëndron problemi këtu?!” edhe atë e shpika unë? Unë nuk e kam sharë asnjëherë Edi Ramën dhe qeverinë e tij, vetëm e kam analizuar, shpresoj në mënyrë jo partiake.

Dhe kjo besoj është e drejta ime, të cilën nuk ma kufizon dot as shpotia dhe as ironia yte. As kërcënimet e tërthorta të kryeministrit, që po më vijnë tash sa ditë valë valë, si një tërbim dhe një mllef i papërmbajtshëm.

Ai, i Gjati, Er, është i mërzitur me ne gazetarët dhe me mua në krye të listës, sepse i kërkon të gjitha pushtetet.

Pushtetin vendimmarrës. Kryeministrin pra.

Pushtetin gjygjësor.

Pushtetin mediatik.

Por edhe pushtetin Mendor, mbi turmat dhe të vobegtët. Pushtet që ne gazetarët ja sfidojmë, më shumë se sa politikanët, pushtetet e tjera! Kjo është Cështja, Er!

Ndoshta u zgjata, por ka ditë nesër prapë.

Mirë u pafshim andej nga Liqeni. Dhë mos më mbaj mëri Er. Të vazhdojmë të përshëndetemi si gjithmonë. Ashtu, pak e sak, si prej shumë vitesh tashmë.

Dhe një gjë të fundit: “Mos e ul aciditetin ndaj këtyre burokratëve të superpasur të qeverisë tënde!”

Kur ta kanë frikën, të duan më shumë Er, dëgjo mua, në këtë botë jetojmë.

Please follow and like us: