Istref Haxhillari: Magjia poetike e Rexhep Polisit
Përsiatje rreth vëllimit ”S’di ç’ngjyrë kanë ditët atje”!?
Autori me nisi para pak kohësh librin ”S’di ç’ngjyrë kanë ditët atje”!? pas mikut të përbashkët, Fari Muço. Nisa ta lexoj si obligim miqësor në respekt të dëshirës së tij për të më njohur me poezinë në mënyrë pak më të plotë, krahasuar me postimet internetike. Me njëfarë paragjykimi konservator të krijuar nga prodhimet e bollshme poetike gjer në ngopje, kalova poezinë e parë, po leximi diagonal dështoi, ndaj iu riktheva me tërë vëmendjen që meritonte. Pastaj faqe pas faqeje hyra në hullinë e vargjeve.
Rrallë më ka qëlluar të lexoj krijime të vërteta letrare, rezultat i një pune të mundimshme, që merr shtysë nga dëshira për të nxjerrë diçka të fshehur thellë nënvetëdijes, diçka që të lë shijen e bukës së arrirë në magje. Rexhepi shkruan thjesht, pa sforcime, apo ngarkesa të panevojshme metaforike, të fut vetiu në thelbin e vet poetik, të merr përdore dhe nuk të lëshon deri në fund.
Fjalët po më digjen së brendshmi…
Duan të dalin, të fluturojnë të lira,
Të marrin frymë, të përcjellin dashuri.
Tash gjithë këtë grumbull fjalësh,
Që kanë shpëtuar nga djegia,
Po i nis drejt kaltërsive…
Si pëllumba të fluturojnë hapësirave,
Që unë të marr frymë lirisht,
Dhe të ndjej se jam gjallë…
Nëse do të përcaktonim me pak fjalë këtë krijim poetik, mendoj se më së pari është një tog poezish të frymëzuara. Vajza nuk vjen në takim si më parë, djali digjet në heshtje për një palë sy, blu a të zinj, për një fjalëz, për magjinë e dashurisë dhe të gjitha i hedh në letër.
Kështu lindin poezitë, të pafajshme, të çiltra, ulëritëse…
Ka ditë që s’jemi parë
Dhe trishtueshëm
Mendoj:
Mos vallë ti s’je
Si më parë?
Apo ditët e mia janë
Tjetërsoj?
Sjell ndërmend kohën e shkuar,
Rrahjet e zemrës në arrati…
Çastet që fluturonin
Harbuar,
Mbështjellë
Në ëndrrat pa kufi…
Ka ditë që s’jemi parë
Dhe ku të kërkoj
S’e di…
Dhimbja vjen e freskët, me ngjyresa të llojllojshme dhe tingëllima të spikatura.
Teksa trokasin mbi lëvozhgën e ashpër të kohës që ik aq shpejt, si pa kuptuar, poezitë nuk të bëjnë të skuqesh apo të ulësh sytë. Ato të shtyjnë ta duash jetën, ta shijosh gjer në pikën e fundi, të kapesh me thonj e dhëmbë pas çdo rasti.
Në çdo kohë.
Dhe çdo moshë.
Zhdërvillu në ajër,
Shkërmoqe trishtimin
Në luginën e blertë,
Aty ku mjegulla përhumb
Në një pikë loti!
Shtigjet janë zënë,
Asnjë derë nuk çelet,
Veç loti pikëlon
Në mjegullën e hirtë!
Çdo poezi ka diçka ndryshe nga sa pret lexuesi, zgjidhje të vërteta e të thjeshta, pa shtirjet e zakonshme të autorëve që synojnë me çdo kusht interesanten, ekstremin.
Mund të vazhdoj gjatë të hedh këtu mbresat e leximit, po më duhet të ftoj lexuesin të shijojë vetë magjinë poetike të këtij libri.
Please follow and like us: