Albspirit

Media/News/Publishing

ZANA TAKO: SURROGACIA PRO APO KUNDËR JETËS?!

Surrogacia, kjo fjalë manipuluese që zgjon mijra pyetje duke marrë shumë pak përgjigje. Po kujt i shërben surrogacia?

Është dallimi midis reales dhe irreales, ndërmjet një nëne dhe një pseudonëne.

Nëna i shërben familjes së saj, po një nënë surrogate, kujt i shërben? Çfarë krijon dhe përse e krijon?

Njohim ligjin e familjes, kujdesemi për këtë ligj që të formëzohet dhe t’i shërbejë shoqërisë dhe qelizave të saj.

Familja është shtylla e jetës. Embrioni i familjes është fëmija, i cili vjen në jetë nga ngjizja e dashurisë, duke u rritur dhe frymuar brenda saj, çel filiza të rinj, e pema dhe trungu i familjes kanë identitet, trashëgimi, prodhojnë jetën në krijim brenda ligjeve dhe formave të tij, të cilat gjithmonë janë në shërbim të jetës, të kulturës, të zhvillimit dhe mirëqenies së mbarë shoqërisë. Por sot një nënë surrogate nuk i shërben familjes, por deformimit të saj, thënë kjo në bazë të kushteve që ajo lind, në bazë të qëllimeve të lindjes, në bazë të marrëveshjes që ajo arrin të kryejë.

Por çfarë kërkojmë të arrijmë me surrogacinë? Përveç përfitimit, keqpërdorimit të inisiativave manipulative të shpërbërjes së moralit njerëzor, (trashëguar ky në kohë), sot kërkojmë që tregu i surrogacisë të lulëzojë në emër të legalizimit të këtij proçesi sa korruptiv aq edhe i dëmshëm për mbarë shoqërinë.

Kemi arritur pikën më të lartë të shpërbërjes shpirtërore, atë të pazarit me jetë njeriu. Kjo mënyrë e hapur kundër ligjit të mirëfilltë të jetës në krijim, është devocioni me të cilin njeriu i shërben antiligjit, që do të thotë: të sulmosh çdo frazë të ligjit të krijimit, të shpërdorosh çdo të mirë që vjen nga vënia në zbatim e ligjit pro dhe jo kundër jetës.

Mëkatet e njeriut janë të përbindshme. Njeriu vret dhe krenohet, njeriu fyen e nuk pendohet, njeriu shkatërron dhe ndjen triumfin brenda vetes e me rradhë, pasi bëmat e njeriut nuk kanë të sosur!

Të ndërtosh një ligj për të mbrojtur jetën njerëzore, nuk do të thotë se mjafton dija njerëzore, e cila në zanafillë ka mëkatin. Por të ndërtosh një ligj në mbrojtje të jetës njerëzore do të thotë, që në bosht të tij të ketë drejtësinë dhe bazën ligjore të ligjit në krijim, i vetmi vend nga ku shohim të zbatuar përsosmërinë e lindjes së diellit dhe të perëndimit të tij.

Nëse mbështetemi fort në Shkrimin e Shenjtë nuk mund të lëkundemi nga detajistë tokësorë.

Armikut ruaju si në ditë të mirë ashtu edhe në ditë të vështirë. Errësira nuk e mund dot dritën, por drita e mund errësirën, pasi forca e dritës është drita, e forca e errësirës është nata.

Kur njeriu të kuptojë se cila forcë e zotëron krijimin, nuk do të ketë kohë as të lutet për mëkatet e tij. Forca e ligjit do të mposhtë çdo mendje të mbrapshtë që punon për të mbjellë farë me erë të keqe.

Kjo farë e keqe kërkon të mbijë në zemër të familjes për të shkatërruar atë që Zoti e krijoi nga dashuria.

Surrogacia, kjo farë me erë të keqe që kërkon të mbijë nëpërmjet ligjit, është shenjë që tregon se si punohet kundër ligjit të krijimit, që do të thotë: të luftosh me Zotin krijues, të luftosh kundër ligjeve të tij, pra shkurt dhe qartë, kundër jetës dhe begatisë së saj.

Çdo nënë, grua dhe motër, sot gjendet në kufijtë e skllavërisë, të shitblerjes dhe manipulimit njerëzor. Gjithçka tjetër është tullë që vendoset në murin e shkatërrimit të asaj çka Zoti e ndërtoi për njeriun dhe na e dhuroi për ta jetuar në paqe dhe begati!

Tetor 2024.