Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Shehu: Zjarri

Jam zjarri i zjarrit tim,

Më i hershëm se Prometeu.

Mos më shihni si hutinë!

U ndeza kur u ngjiz dheu.

*

Jam ushtari, që i binte bririt

rrotull zjarreve pagane.

Me Teutën verë kam pirë

Hoqa vallen mes Taulantëve.

*

Ngria dolli me ilirin Bato

Me Suljotët isha tamburxhi

Shpuz’ e flakë nëpër mote,

Gjersa mbërrita këtu tani.

*

Jam zjarr i zjarrit tim

Më i lashti i këtij dheu.

Mos më shihni me habi.

Linda më parë se Orfeu.

*

Jam zjarri i Shqipërisë

Purpuruar brez pas brezi

Mbi këtë tempull kaq të lartë

Bie dhe ngrihem si Anteu!