Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu, replikë me Vuk Jeremiq në “Wall Street Journal”

15 vjet më parë, “Wall Street Journal” botoi përgjigjen time kundër Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq.

Vuk po protestonte verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të cilës vetë i kishte kërkuar mendim duke hapur padi kundër Kosovës. Gjykata vendosi se Shpallja e Pavarësisë nga Kosova ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

8 gusht 2010

PËRKUNDRAZI: “Kutia e Pandorës” hapet vetëm nëse nuk njihet Kosova

Në opinionin e datës 28 korrik, “Precedenti shkatërrimtar i Kosovës”, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq shkruan se pavarësia e Kosovës vendos një standard të rrezikshëm për mbarë botën. Sipas tij, Prishtina ka hapur “Kutinë e Pandorës” dhe në këtë mënyrë ka krijuar “pasoja të thella problematike për komunitetin ndërkombëtar” sepse duke ndjekur shembullin e Kosovës grupe etnike në mbarë botën do të deklarojnë tani pavarësinë duke kërcënuar kufijtë shtetërorë kudo që të jenë.

Mirëpo, këtu nuk kemi asnjë vendosje precedenti; Kosova është rast i veçantë. Ajo e deklaroi pavarësinë e saj jo si një grup etnik ambicioz por si një komb që ka vuajtur një genocid të parapërgatitur, deportim masiv, vrasje masive dhe varfërimin ekonomik në mënyrë të organizuar nga shteti kolonial i Serbisë.

Çfarë e bën deklaratën e pavarësisë së Kosovës të ndryshme nga akte të ngjashme në botë është fakti se Serbia nuk ka as aftësinë dhe as dëshirën që ta ri-integrojë atë në gjirin e saj.

Serbia e ka humbur të drejtën morale që të qeverisë përsëri Kosovën dhe për më tepër Kosova është njohur tashmë si shtet më vete nga shumica e vendeve të rajonit si dhe shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ku ky rajon do të bëjë pjesë në të ardhmen.

Përkundrazi, duke i refuzuar njohjen shtetit të pavarur të Kosovës do të kemi hapjen e “Kutisë së Pandorës”. Sepse kështu do të krijojmë precedentin e rrezikshëm duke dërguar mesazhin në mbarë botën se mund të bësh genocid kundër një populli dhe gjithësesi të shpëtosh pa u ndëshkuar.

Ruben Avxhiu,

Kryeredaktor i gazetës “Illyria”, New York

(Botuar në The Wall Street Journal, faqe 12, në datën 2 gusht 2010)