Albspirit

Media/News/Publishing

Drita Ademi vjen para lexuesit me romanin “Dritë e Burgosur”

Letër

E dashura ti, që ke mbajtur dhimbjen brenda vetes, që ke heshtur kur zemra jote bërtiste, që je përkulur nën barrë por s’je thyer kurrë…

Romanin tim ia besova një gruaje si ti me emrin Dalina. Ajo mbajti mbi shpatulla plagët, heshtjet, shpresat e thërrmuara. Dhe në fund, ajo zgjodhi të ikte nga kjo botë – jo sepse ishte e dobët, por sepse mbante brenda dhimbjen e shumë grave të harruara. Por sot dua të të them ty, dhe çdo gruaje si ti: unë nuk do ta lë fundin e saj të jetë fundi yt.

Ti meriton të dëgjohesh, të çlirohesh, të jetosh. Historia jote nuk mbyllet me dhimbje. Historia jote vazhdon me dritë. E lashë personazhin tim të pushojë, por ty dua të të ngre.

Dua të të them: je e fortë, edhe kur ndihesh e thyer. Je e bukur, edhe kur ke qarë me ditë. Je e gjallë, edhe kur jeta është dukur si vdekje.

Kjo letër është për ty. Për të gjitha gratë e përvuajtura, që më mësuan se nga errësira lind drita, dhe se asnjë fund nuk është fund përderisa zgjedhim të jetojmë.

Me respekt dhe dashuri, autorja e romanit “Dritë e Burgosur” Drita Ademi.