Albspirit

Media/News/Publishing

Mozaik përkthimesh nga Harallamb Fandi

ANONIM
(Burkina Faso)

Kur bëhen bashkë,
milingonat shkulin nga vendi
edhe elefantin,
madje
e shtyjnë tutje,
tej e më tej.

IZET SARAJLIÇ: ENIGMË E RE

Ndjeshmëri njerëzore
ku je?
Në libra?
Askund tjetër,
vetëm atje?…

CARMELO CIRIBARREN: DASHURIA

Si era që gjen një të çarë
dhe futet në shtëpi
ku ngatërron gjithçka,
shkresa,
fatura,
libra,
poezi,       
ashtu futet në jetë
dashuria.

Asgjë s’është si më parë.
Rrokopuja që shkakton
sjell pa pushim lumturi.

Po një ditë do të duhet
që gjërat të vihen në vend
dhe ke për të qënë me fat
po nuk të takoi t’i bësh ti.

GIORGIO CAPRONI: SHËNIM I LËNË SI PËRPARA IKJES

Nëse, çuditërisht,
do të vini re
që do të mungoj, 
dijeni që nuk jam nisur.
Udhëtimi im
fillon e mbaron këtu,
ku shumë nga ju
s’kanë patur sy për të më parë..

PAUL ELUARD

Isha kaq pranë me ty
sa tani,
duke ndënjur afër të tjerëve,
kam ftohtë.

ALESSANDRA BUCCI: ÇDO MëNGJES…

…ia lë erës
gjithë mendimet
me shpresë
që në degët e mia
zogjtë të fillojnë të këndojnë.