Albspirit

Media/News/Publishing

Sami S. Shatri: NË KUJTIM TË NJË BURRI PLISBARDHË


Sot, kujtojmë përvjetorin e pesëmbëdhjetë të ndarjes nga jeta, të axhës tonë të dashur, Isa Ahmet Shatri!
Një insert dhimbjeje, nga kujtimet e shumta me mixhën Isë!
Me 23 Mars, të vitit 1989, u rrënua autonomia e Kosovës nga Serbia, me masa represive ushtarake. Menjëherë pas marrjes me dhunë të autonomisë, pikërisht me 28 Mars, me një urdhër të veçantë federativ, u arrestuan shumë intelektual të Kosovës dhe u dërguan në izolim në Leskovc të Serbisë. Në mesin e të izoluarve ishte edhe familjari ynë, si-vëllau, Prof. Dr. Muhamet Shatri.
Prof. Dr. Muhamet Shatri, i njohur për opinionin e gjerë, punonte në Institutin e Historisë në kabinetin e Akademik Ali Hadrit, që deri atëherë ishte edhe Drejtor i Institutit. Të dy ishin përjashtuar për një ditë, në një mbledhje të drejtuar nga Kryetari i Komitetit Krahinor, në atë kohë…
Serbia burgosi me masën e izolimit, të gjithë ata që i shihte si akter të rrezikshëm për nxitjen dhe organizimin e kryengritjes popullore eventuale, pas rrënimit të autonomisë.
Pikërisht në këtë datë, si student i vitit të fundit, isha duke shkuar drejt stacionit të autobusëve, doja të udhëtoja për Tomoc, pas një provimi që pata në F.Elektroteknik.
Kur arrita në stacion, aty skaj peronit për Istog, takova gruan e Profesor Muhametit, Znj. Havë, me fëmijë. U afrova dhe ju fola, dukej shumë e mërzitur, me lot në sy më tha “Muhametin e kanë arrestuar në mëngjes, para orës 05 dhe mu lut të shkoja te babai i Muhametit, baca Emin (djalë axhe nga babai), t’i tregoj për arrestimin.
“Unë me fëmijë, më tha, po kthena në banesë, pasi e kam lënë djalin e vogël Kushtrimin, me vajzën e madhe Nexhmijen”.
U mërzita shumë dhe i thashë, “mos ke merak, do shkoj drejt e te baca Emin”…
Kur mbrrina në Tomoc, u ndala te rruga që të qon te baca Emin, më dridheshin këmbët kah ecja. Tek dera e oborrit që të qet në bahçe, e takova bacën Emin. Si më vërejti në fëtyrë, më hetoi që ka ndodhë diçka jo e mirë “Mos i ka ndodhë diçka Muhametit bre bacë, e kam parë në ëndërr mbrëmë”.
Me gjysmë zëri i tregova “E kanë marrë, i thashë pak në pyetje, sigurisht që do e lëshojnë”.
I tregova që lajmin e mora nga Znj. Havë, ajo është me fëmijë në banesë, do shkojnë tek Nexhati apo Hakiu.
Ma ktheu me gjysmë zëri: “Eh bacë, kanë me mbyt shkijet bre…”.
Më falenderoi dhe më përcolli, sytë e të dyve na lotonin…
Kur arrita në shtëpi, mixhën Isë e gjeta si zakonisht në parkun e oborrit, ulur në një shkëmb. U gëzua shumë që shkova, u ulëm dhe si zakonisht më tha “çka ka të re andej ka kryeqyteti, a u gëzuan shkijet që na morën autonominë. Nuk duhet të dëshpërohemi, kemi kaluar edhe ditë më të vështira, mos harro kurrë se sa herë mbyllen të gjitha dyert, qahet stena (muri)”.
Më vërejti që jam i mërzitur, mendonte mos kam ra nga provimi “mos ke dert më tha, e kryen herën tjetër, e di që ke mësuar”.
Jo i thashë, nuk kam ra nga provimi, kam një lajm jo të mirë “Bacën Muhamet e kanë burgos sot në mëngjes, nuk dihet ka e kanë dërgu” .
Është ngritë në këmbë, e ka heqë plisin e bardhë si bora “ah, lajm të rënd më ke dhanë bre mixhë”, mbrëmë e kam pa në ëndërr “livrojke në kodër, ish lloq i madh, kish sharru deri në shokë, u mundojke me i nxjerr këmbët por nuk mujke, unë mundohesha t’ja jap dorën, por nuk e mbërrija dot”.
E donin njëri tjetrin pa masë dhe pa rezervë…
(Koinçidencë e dhimbshme, të dy e kishin parë në ëndërr…)
Njëherë në jetë e kisha parë mixhën Isë duke qajtur me dënesje, në Nëntorin e vitit 1984, kur erdhi lajmi i kobshëm nga Tirana, për vdekjen e vëllait të tij, Sali Shatrit. Ishte hera e dytë, që filloi të qajë me zë. I thashë “po ndoshta nuk i mundojnë bre mixhë”. Kisha dëgjuar që në kohën e Titos, i merrnin disa në izolim njëjavor para se të vinte Tito në vizitë, dhe i lironin pa maltretime pas vizitës së tij, për shkaqe sigurie, ja përmenda këtë.
Ma ktheu “jo bre mixhë, shkijet Muhametin e kanë pasë halë në sy, e di unë çka dinë zi ata dhe fort tutna, që kurrë ma skemi me pa”.
Dhe vërtetë, Prof. Dr. Muhamet Shatri dhe të izoluarit tjerë kishin përjetuar torturat më çnjerëzore dhe poshtëruese në burgun e Leskovcit.
Këto ngjarje të tmerrshme, janë të dokumentuara nga të izoluarit, shtypi botëror në atë kohë dhe nga i ndjeri Kolë Berisha, profesori i izoluar i cili ka shkruar një libër për këtë skëterrë çnjerëzore. Libri mban titullin “Ditari i një Izolanti”.
(Mixha Isë kishte përjetuar vetë, burgun ndër më të rëndin në vitet 50-të, shumë ditë në qelitë e errëta e të ftohta, internimin në Banat të Vojvodinës, diferencimin e prap burgimin në vitin 1982).
Shoku i tij i burgut, Mulla Ramë Govori, tregonte për torturat ndaj tij, si duket ato ngjarje të hidhura ju rikujtuan në memorien e tij të kthjellët…
Pas pak më tha “po shkoj te baci Emin… “.
Të qoftë i lehtë dheu i Atdheut, mixha ynë i dashur!
Lavdi e respekt të gjithë dëshmorëve dhe gjithë atyre që dhanë shëndetin e mundin e tyre për lirinë e bashkimin e Kombit!