Albspirit

Media/News/Publishing

Alket Veliu: Patriotizmi i vërtetë, servilizmi dhe çmimi i heshtjes

Në ditët e sotme, fjala “patriotizëm” është kthyer në një term të konsumuar, shpesh i zbrazët nga kuptimi i tij i shenjtë. Për disa, ai është një mantel që vishet vetëm në fushata elektorale. Për të tjerë është një barrë e turpshme, diçka që duhet fshehur nga frika e talljes. Për disa të tjerë është një kërcënim real që duhet asgjësuar me çdo kusht. Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë me patriotizmin shqiptar? Kush dhe pse po punon për ta vrarë atë?

Patriotizmi i shëndoshë nuk është ksenofobi, as nuk është urrejtje ndaj të tjerëve. Ai është dashuria për vendin ku lindëm, për gjuhën, historinë dhe kulturën tonë. Është ndjenja që na bën të kujdesemi për të ardhmen e fëmijëve tanë në këtë tokë. Është shtylla që mban bashkë një komb, veçanërisht në kohë krizash. Pa të, ne bëhemi thjesht një grumbull individësh që kujdesen vetëm për vete, të gatshëm të shesim çdo gjë për një përfitim të menjëhershëm. Në një shoqëri pa patriotizëm, lulëzojnë korrupsioni, emigracioni masiv dhe indiferenca.

Megjithatë, pikërisht kjo lidhje e shenjtë me atdheun po sulmohet sistematikisht. Nuk është një armik i huaj ai që po e vret patriotizmin shqiptar, por duar të brendshme, të veshur me kostume elegante dhe tituj gazetaresk.

Politika ka krijuar një model shkatërrues, patriot bëhesh vetëm tre muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë, gjatë katër viteve të tjera, flamuri shqiptar përdoret si mbulesë tryeze në takime me të fortët e rajonit ose të botës. Kush guxon të flasë me zë për sovranitetin, për interesin kombëtar apo për mbrojtjen e burimeve tona natyrore, tallet nëpër studio televizive si anakronik që nuk e kupton dinamikën e politikës rajonale e më tej.

Media, e ndarë në kampe dhe e urdhëruar nga interesa të errëta, luan rolin e saj tinëzar. Ajo e ka kthyer debatin patriotik në një makth semantik. Çdo zë që kërkon llogari etiketohet menjëherë me fjalë të mëdha: ekstremizëm apo nacionalizëm i dëmshëm. Opinionbërësit e ditës, ata që ndryshojnë mendje si gravatat, kanë monopolin e së vërtetës. Me ironi dhe cinizëm, ata e kanë bërë si të dalë mode dashurinë për atdheun. Janë këta opinionbërës që vrapojnë të promovojnë investitorin e tyre për cfarë këta të fundin kanë shprehur ndër rreshta apo kanë dashur të thonë për interesat kombëtare por kurrë nuk thonë çfarë kanë bërë apo nuk kanë bërë për kombin, shtetin dhe ruajten e identitetit dhe dinjitetin kombëtar.

Pas këtij intimidimi të vazhdueshëm, lind qëllimi i vërtetë: servilizmi. Një shoqëri e dekurajuar për të dashur veten, është një shoqëri e lehtë për t’u manipuluar dhe për t’u nënshtruar. Duke na bërë të besojmë se patriotizmi është anakronizëm, kanë hapur rrugën për t’u bërë roje te porta e të tjerëve.

Kështu lind një klasë e tërë njerëzish, për të cilët ti flet. Janë ata që heshtin kur nuk duhet heshtur. Kur shpifet për historinë tonë, ata heshtin. Kur shkelet sovraniteti territorial dhe ekonomik i vendit në emër të europianizmit dhe të “investimeve të huaja të mëdha”, ata duartrokasin. Por kur vjen 28 Nëntori, ndeshje futbolli i skuadrës kombëtare apo zgjedhjet elektorale ata me flamurin në dorë na çudisin me nacionalizmin e tyre ekstrem ndërkohë që prej tyre është pritur atdhedashuria e të jetë në çdo ditë të jetës së tyre politike.

Ky është patriotizmi i rremë, është mallkimi ynë. Ai nuk ka asnjë lidhje me sakrificën ose me interesin kombëtar. Është një kredo politike në shërbim të pushtetit të ditës. Ai përdoret si maskë për të mbuluar grabitjet, lidhjet e dyshimta dhe mungesën totale të parimeve. Është pikërisht ky patriotizëm i rremë ai që vret patriotizmin e sinqertë. Sepse ata që duan vërtet vendin, nuk bërtasin më, ata ose janë larguar prej kohësh, ose janë tërhequr në heshtje.

Për të kuptuar më mirë se sa e shtrembëruar është situata jonë, mjafton të shohim sesi e trajtojnë patriotizmin vendet që ne i konsiderojmë modele. Aty, dashuria për atdheun nuk është tabu, aty nuk tallen nëpër studio, por është pjesë e sistemit arsimor dhe e jetës së përditshme.
Në SHBA, patriotizmi është në ADN dhe fillon që në shkollë. Fëmijët bëjnë betimin e besnikërisë çdo mëngjes para flamurit. Librat shkollorë i mësojnë të jenë krenar për kombin dhe që për të luftohet.
Në Francë, patriotizmi quhet “vlerë republikane”.
Ndërkohë, Gjermania ka një histori të ndryshme. Pas nazizmit, fjala “patriotizëm” ishte për dekada e dyshimtë. Por gjermanët nuk u dorëzuan në cinizëm. Ata ndërtuan një model tjetër: “patriotizëm kushtetues” dashuri jo për racën por për Kushtetutën dhe vlerat demokratike. Sot, Gjermania e ka rizbuluar patriotizmin e shëndoshë. Në shkolla, mësohet historia e ndarjes dhe ribashkimit, duke krijuar krenari për atë që u arrit paqësisht në 1990.
Vendet e mësipërme do të reagonin ndaj çdo cënimi të mundshëm të interesave të tyre kombëtare, qofshin këto politike, ekonomike, historike apo kulturore.
E kundërta ndodh me ne, rasti i fundit i shpalosjes së flamurit të vorio epirit në festivalin kulturor ne Zakynthos ishte një provokim i rëndë ndaj shqiptarëve për te cilin nuk reagoi asnjë institucion shtetëror asnjë parti politike dhe asnjë deputet. Imagjinoni reagimin e Francës nëse gjermanët të pretendonin me simbole Alsacën dhe Lorenën, i gjithë shteti do të ishte në këmbë në mbrojtje të sovranitetit. Për reagimin e Greqisë lidhur me simbolet apo edhe vet emrin Maqedoninë nuk kemi çfarë imagjinojmë pasi e kemi parë veton greke në NATO.
Kush është qasja e drejtë? Heshtja shqiptare apo patriotizmi europian?

Patriot nuk është ai që flet më fort për flamurin, por ai që nuk e lë askënd ta përdhosë atë në sytë e tij. Ndershmëria ndaj atdheut nuk është populizëm, ndërsa heshtja kur atdheu është në rrezik, është tradhtia më e madhe.
E ndërsa aspiratat tona kombëtare janë drejt bashkimit europian duke besuar fortë te vlerat europiane, zgjedhja e shqiptarëve duhet të jetë patriotizmi europian dhe jo nënshtrimi apo servilizmi ballkanik, ku për ca të shkoqura apo për të shpëtuar kokën bën ç’të thotë i forti.

https://5pyetjet.al/2026/05/02/alket-veliu-patriotizmi-i-vertete-servilizmi-dhe-cmimi-i-heshtjes/?fbclid=IwY2xjawRj5pZleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEe9UhrAfSUwyrPheuvYRf0Sb04Cq–Bj4SUroBFj7w5vQI_YGIo86ghPQJ4ZI_aem_w_PPm1y_6hm3y5QE5gQb6g