Kastriot Kotoni: Një ditë e trishtë, Birçe Hasko iku në përjetësi!
Birçe Hasko aktor, profesor, prind, i cili do na mungojë fizikisht, por jo në memorjen tonë. Shkolla e artit shqiptar nxorri yje të aktrimit dhe në mes tyre Birçe Haskon. Ai krijonte figura tipike shqiptare me lojën e tij aktoriale, saqë thuhej nga studentët e tij aktorë, me mburrje: “Jemi studentë të shkollës së profesor Birçes”.
Përmasat e mëdha të galerisë së roleve karakteriale të tij kanë qenë një pasuri për brezat e aktorëve shqiptarë. Birçe Haskon e ndeshim në fillim të karrierës së tij tek filmi “Kur zbardhi një ditë” me rolin e ballistit, teksa mbante makinën me batutën: “Mbaje ore vëlla, se më shpëtoi!”, pastaj do kujtohet në filmin “Njeriu me top” me batutën “Partizanët qëllojnë me top edhe me pambuk…” ose në filmin “Radiostacioni” ku partizani thërriti me sa kishte në kokë “Ju flet Tiranaaaa!”, ose në filmin “Përrallë nga e kaluara”, kur godiste me shkop fshatarin që thoshte se “ishte gdhë”, dhe i thoshte: “Si lum ti që e di ç’je”, Tellallin në filmin “Koncert në vitin 1936” e plot të tjerë role në teatër, si, në teatrin “Shi në plazh” me batutën e babait të vajzës Milos.
Birçe Hasko njihet për aktrimin me origjinalitet dhe ndjenjë të thellë aq të besueshme, sa që e kishte përthithur mjeshtërisht personazhin të mbështetur thellë në tabanin kombëtar. Atij i shkonin rolet e të gjitha planeve, por ato ku dukej më thellë mençuria e intelekti i popullit shqiptar, ai dinte të ishte mjeshtër i kontrasteve me kthimin e batutës ose ironikes, sarkazmës, pa kaluar në humor bajat, drejt cinikes, pa ofendim, të shprehur nga gurra e popullit apo folklori ynë i pasur popullor. I ngjiste, si të thuash e folura me gjuhën e trupit dhe portretit të tij fizik, rast ky i rallë edhe në kinematografinë botërore. Mbeti dukaqot i ndershëm dhe idealist i artit të popullit të cilit i qëndroi besnik deri në detaje. Lundra e tij e jetës tashmë po pushon në një liman të pavdeksisë. Faleminderit Birçe, o lundëtar i artit shqiptar e, që nga sot, do të kujtojmë edhe më shumë!