Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: KOMO, QYTETI I HISTORISË, LUFTËS DHE BUKURISË SË PËRJETSHME

Në Komo, në rrënjët e një qyteti historik të antikitetit

Në pjesën veriore të Italisë, pranë kufirit me Zvicrën, shtrihet qyteti i veçantë dhe plot mrekulli i Komos, një ndër qytetet më të vjetra dhe më elegante të trevës së Lombardisë. Qyteti është i vendosur buzë liqenit të famshëm që mban të njëjtin emër, Komo dhe është një bashkim harmonik i historisë romake, kulturës europiane dhe natyrës magjepsëse alpine. Historia e qytetit humbet në mjegullën e shekujve, zhytet dhe shfaqet aty-këtu. Nga të dhënat historike mësohet se vendbanimet e para në këtë zonë datojnë që në kohën e fisit kelt të Orobëve, shumë përpara ardhjes së romakëve. Ndërkohë, themelimi i vërtetë i qytetit të Komos lidhet me figurën e madhe të Jul Cezarit.

Në vitin 59 para Krishtit, Cezari urdhëroi zhvendosjen e qytetit nga kodrat drejt brigjeve të liqenit dhe krijoi qytetin e ri romak, me rrugë të drejta, mure mbrojtëse dhe forume publike sipas modelit klasik të Perandorisë Romake. Kështu, Komo u kthye shpejt në një qendër të rëndësishme tregtare, administrative dhe ushtarake. Pozicioni strategjik mes Italisë dhe Alpeve e bëri qytetin një nyje të rëndësishme komunikimi. Nëpër rrugët e tij kalonin tregtarë, ushtarë dhe udhëtarë që sillnin me vete kulturat dhe zakonet e Europës së hershme.

Gjatë Mesjetës, Komo njohu periudha lavdie, por edhe periudha konfliktesh. Luftërat me qytetin rival të Milanos lanë gjurmë të forta në historinë lokale, ndonjëherë edhe “gjurmë urrejtjeje”. Megjithatë, qyteti arriti të ruajë identitetin e vet duke ndërtuar kisha madhështore, pallate aristokratike dhe rrugica karakteristike prej guri, të cilat edhe sot mbartin frymën e kohëve të shkuara. Një nga simbolet më të rëndësishme historike është Katedralja e Komos, madhështore dhe e ndërtuar përgjatë disa shekujve, ku ndërthuren stilet gotike dhe të Rilindjes italiane. Fasada e saj prej mermeri të bardhë duket sikur ndriçon nën reflektimin e ujërave të liqenit.

Komo është gjithashtu qyteti i dijes dhe shkencës. Këtu lindi fizikani i famshëm Aleksandër Volta (18.2.1745–5.3.1827), shpikësi i baterisë elektrike, zbulim që i shërbeu mbarë njerëzimit. Emri i tij jeton ende në qytet përmes muzeve, monumenteve dhe shesheve që mbajnë krenarisht trashëgiminë e shkencëtarit që ndryshoi botën moderne. Për vizitorin, në çdo cep të Komos ndjehet fryma e histories: muret mesjetare, kullat e lashta dhe portat antike rrëfejnë për një qytet që ka ditur të mbijetojë ndër shekuj, duke ruajtur shpirtin e vet aristokratik dhe kulturor”.

Monumenti i Luftës – kujtesa e 750 bijve të rënë në betejat e historisë

Në brigjet e liqenit ngrihet një nga monumentet më prekëse të Italisë veriore: “Monumenti i të Rënëve”, që është ngritur në kujtim të 750 bijve të Komos që humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore. Lufta e Parë Botërore la plagë të thella në gjithë Italinë sikurse edhe në Komo, qytet që nuk mbeti jashtë kësaj tragjedie e kasapane kombëtare e botërore. Familje të tëra humbën djemtë, baballarët, vëllezërit në frontet e përgjakshme alpine. Italia nuk i harroi bijtë e saj, martirët e rënë nëpër luftra. Monumenti u konceptua krejtësisht ndryshe nga të gjithë monumentet e tjerët që shërbenin për një qëllim të ngjashëm; konceptuar sipas mendimit të asaj kohe për respektimin e të rënëve, pa gjeste e dekorime heroike. Inaugurimi u zhvillua më 4 nëntor 1933. Fjalimi zyrtar u mbajt nga Gjenerali Attilio Teruzzi, Shefi i Shtabit të Milicisë Vullnetare për Sigurinë Kombëtare. Gjithë shoqatat e veteranëve dhe ushtarake ishin të pranishme dhe me këtë rast, gjethe dafine u shpërndanë mbi monument, ndërsa Forcat e Armatosura zhvilluan një paradë ceremoniale. Monumenti i Komos është kulla e re, një nga më uniket në Itali. Ai qëndron në një shpat me pamje nga liqeni. Në bazën e tij ndodhet një gur i madh tetë metra i gjatë, mbi të cilin, brenda, janë gdhendur 750 emrat e të rënëve të Komos në Luftën e Madhe. Një pllakë mbivendoset mbi gur. Kulla ngrihet e konceptuar me dy shtylla të rrumbullakosura me pllaka guri monolite. Në anën veriore të Monumentit, përballë liqenit, është gdhendur fraza që Marinetti ia atribuon Sant’Elias: “Sonte flemë në Trieste ose në Parajsë me Heronjtë”. Monumenti madhështor ishte projektuar nga arkitekti Giuseppe Terragni, një nga figurat më të njohura italiane të kohës.

Frymëzimi i tij lidhej me një skicë të lënë nga artisti futurist Antonio Sant’Elia, i cili vetë kishte rënë gjatë luftës. Monumenti ngrihet si një kullë e fuqishme prej guri pranë liqenit si dhe ka një formë vertikale dhe duket sikur sfidon kohën dhe heshtjen. Në muret e tij janë gdhendur emrat e gjithë ushtarëve të rënë të Komos, dëshmi e sakrificës njerëzore dhe e dhimbjes së një qyteti të tërë, që pavarësisht idealeve dhe qëllimeve politike çdo komb nderon të rënët e vet dhe brenda monumentit një llambë ndriçuese përngjason si të jetë një flakadan zjarri të ndezur që ndriçon si pishtar dhe që duket se atje janë shpirtërat e të rënëve, tek zjarri i përjetësisë së kujtesës, pasi çdo komb nuk harron lumenjtë e gjakut në luftra për kombin. Vizitorët që afrohen pranë monumentit ndjejnë një solemnitet të veçantë dhe më tej era që fryn nga liqeni përzihet me heshtjen e gurit monumental, ndërsa flamuri valëvitet si kujtim i sakrificës kombëtare.

Në çdo mbrëmje, kur dritat e qytetit pasqyrohen në ujë, monumenti i Luftës merr një pamje edhe më madhështore edhe më emocionale. Monumenti nuk është thjesht një strukturë arkitekturore, por një simbol i kujtesës historike dhe i respektit për jetët e humbura në beteja, për njerëzit e dashur që nuk u kthyen kurrë nga betejat por ngelën përjetësisht të trupëzuara me gjakun e kombit. Në këtë monument ka rreth një shekull ku çdo vit zhvillohen ceremoni përkujtimore ku qytetarët vendosin kurora me lule në nderim të të rënëve, ku nuk mundgojnë sigurisht familjarët e tyre. Brezat e rinj mësojnë kështu historinë e qytetit të tyre dhe çmimin e rëndë të paqes. Komo, me këtë monument madhështor, i kujton Europës se pas çdo lufte mbeten plagë mjaft të thella njerëzore që koha nuk i fshin kurrë plotësisht. Këtu në Komo ndoshta nuk gjetëm gjurmët e Luftës së Dytë Botërore, fundun pa lavdi trë fashizmit dhe boshtit Romë-Berlin -Tokio, ose koha në dispozicion nuk na premtoi, por edhe kur ligjin e bënte fashizmi kjo mortajë e përbotshme pjesë e drejtuesve politiko-ushtarakë këtij populli, drejtuan lakminë dhe hodhën vështrimin e erdhën edhe në truallin arbëror më 7 prill 1939, por që në përballjen italo-greke u shkërmoqën aq shumë sa që nderin e tyre e mbrojtën gjermanët me ndërhyrjen në Greqi dhe më tej edhe me përballjen e forcave partizane shqiptare. Por më 8 shtator 1943 kapitulluan dhe e lanë rrugëve një ushtri “madhështore” mbretërore, aq sa një pjesë e tyre u ushqyen nga bujaria e fshatarsisë shqiptare, ose një pjesë e tyre mbeten të nderuar pasi u përbashkuan me partizanët shqiptare për të luftuar fashizmin dhe në fakt 114 luftëtarë italianë janë sot dëshmorë që ranë për çlirimin e Shqipërisë dhe nderohen e respektohen sikurse gjithë dëshmorët e tjerë shqiptarë.

“COMO 1907”, një krenari e përligjor futbollistike e qytetit buzë liqenit në Komo

Në zemër të qytetit të Komo, përveç historisë, monumenteve e bukurisë së liqenit, gjendet dhe pasioni i madh për futbollin. Ky pasion mban emrin “Como 1907”, skuadra historike e qytetit, e themeluar në vitin 1907 dhe që për më shumë se një shekull ka qenë simbol krenarie për banorët e Komo-s. Klubi lindi si Klubi i Futbollit “Como”, në një kohë kur futbolli sapo kishte filluar të përhapej vrullshëm në Itali. Fanellat blu të ekipit u bënë shpejt pjesë e identitetit të qytetit dhe stadiumi historik “Giuseppe Sinigaglia”, i ndërtuar pranë ujërave të liqenit, u kthye në tempullin sportiv të tifozëve. Historia e “Como 1907” ka njohur periudha lavdie, por edhe vështirësi të mëdha. Klubi kaloi dekada mes kategorive të ndryshme të futbollit italian, përjetoi falimentime financiare dhe rikthime dramatike. Megjithatë qyteti nuk e humbi kurrë dashurinë për skuadrën e tij të zemrës. Të duruar, por të fituar. Pas vitit 2019 filloi ringritja e madhe e pandalshme e klubit. Investimet e reja, organizimi modern dhe ardhja e figurave të njohura të futbollit europian i dhanë Como-s një identitet të ri ambicioz. Nën drejtimin e trajnerit spanjoll Cesc Fàbregas, skuadra arriti rezultate historike dhe u kthye në surprizën më të bukur të futbollit italian. Sezoni futbollistik 2025–2026 hyri përgjithmonë në historinë e qytetit të Komo.

Për herë të parë në ekzistencën e klubit në 119 vite, Como siguroi pjesëmarrjen në “UEFA Champions League” pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Serie A, duke lënë pas emra të mëdhenj të futbollit italian si Juventusi dhe Milani. Fakt është se i gjithë qyteti shpërtheu në festë. Sheshet e Komos u mbushën me flamuj blu, këngë tifozësh dhe fishekzjarre që ndriçonin qiellin mbi liqen. Për banorët, kjo arritje nuk ishte thjesht sukses sportiv, por triumfi i një qyteti që kishte ditur të ringrihej pas shumë sfidash. Dhe ne të gjendur në Komo u bëmë pjesë e këtij peizazhi ngjyrash mahnitës, e këtij gëzimi  që u demonstrua fuqishëm në të gjithë rrugët e Komo ku ekipi kishte hipur në dy autobuza të hapur dhe shoqërohej me këngë e thirrje gazmore për triumfin futbollistik.

Tifozët e “Como 1907” njihen për lidhjen e fortë emocionale me ekipin. Në çdo ndeshje, stadiumi buzë liqenit krijon një atmosferë unike: nga njëra anë dëgjohen thirrjet e tifozëve, ndërsa nga ana tjetër shfaqet panorama mahnitëse e ujërave shpërthyese alpine tejet të kristalta. Është ndoshta një nga stadiumet më romantike të futbollit europian, fare pranë me monumentin madhështor të Monumenti madhështor të të rënëve, të 750 të rënëve në vitet 1915-1918. Aktualisht, “Como 1907” nuk është vetëm një klub futbolli. Ai është bërë pjesë e identitetit modern të qytetit, një simbol i rilindjes sportive, i ëndrrave që mund të realizohen edhe pas shumë vitesh pritjeje të gjatë. Për qytetin e Komos, futbolli tashmë është një tjetër arsye e madhe krenarie, krahas historisë së lashtë, monumenteve dhe bukurisë së famshme të buzëliqenit, kaq të vizitueshme në të gjitha stinët e vitit.

Liqeni i Komos, kryefjala poetike e natyrës dhe turizmit italian

Komo-destinacion turistik nga më të bukurit dhe nga më të kërkuarit e Europës

Për qytetin e Komos është shkruar e folur shumë. Më shumë ka folur historia, por sot flet më shumë lëvizja turistike, ku fakt është se Komo nuk është vetëm histori dhe kujtesë. Ai është edhe një nga destinacionet turistike më të bukura të Europës. Liqeni i Komos shtrihet mes maleve alpine si një pasqyrë gjigante ku qielli dhe toka bashkohen në qetësi. Liqeni ka formën karakteristike të një “Y”-je të përmbysur dhe prej shekujsh ka tërhequr aristokratë, artistë, shkrimtarë dhe udhëtarë nga e gjithë bota. Në brigjet e tij gjenden vila elegante me kopshte ekzotike, porte të vegjël me varka shumëngjyrëshe dhe fshatra që duken sikur kanë dalë nga pikturat italiane. Qytete si Bellagio, Varenna dhe Menaggio janë ndër perlat turistike më të vizituara të rajonit, ku anijet cdo ditë cojnë mijëra turistë.

Ata prekin një prej destinacioneve mahnitëse pas vetë liqeni në hartë përngjason me një “vrapues” që nuk ndalet kurrë, një marathonomak i përjetshëm i shekujve dhe që ka pothuaj gërmën e gërmës “A”, gërmën që është fryma e parë e gjuhës njerëzore, tingulli që hap portën e fjalës dhe të mendimit, porta që çel alfabetet si agimi i mëngjeseve, si drita e parë që lind mbi horizontin e planetit tonë. “A”-ja është zanafilla, klithma e parë e njerëzimit kur prek jetën, thirrja instinktive e njeriut për dashuri. Kjo formë e liqenit të Komo-s në çdo gjuhë të botës duket sikur mban brenda vetes një kujtesë të lashtë njerëzore, një tingull që i paraprin historisë, qytetërimeve. Forma e saj ngjan me një majë mali (si malet që rrethojnë liqenin e Komos), me dy këmbë që kanë për kulm qiellin dhe një urë në mes që bashkon tokën me ëndërrat e njerëzimit, një simbol force dhe ekuilibri. Këtu në Komo na shkon ndër mend se me “A” fillojnë fjalët më të bukura të njerëzimit: dashuria që në shumë gjuhë nis me një frymëmarrje të saj, si: alma, agimet, atdheu, arsyeja, aroma, arti, arkitekturë, etj. Forma e liqenit shumëkush e krahason me gërmën “A” që është vetë ylli i parë, porta e parë hyrëse e dijes, hapi i parë mbretërinë e dijes të librave. Fakt është se “A”-ja nuk është vetëm një gërmë, pasi është zëri i parë i qytetërimit dhe i civilizimit kudo në botë. Transporti në liqen është një përvojë më vete, me tragete dhe anije turistike lëvizin qetësisht mbi ujërat blu të kristalta, duke lidhur qytetet dhe fshatrat përreth. Turistët udhëtojnë mes maleve të gjelbëruara duke shijuar peizazhe që ndryshojnë në çdo kthesë të liqenit.

Një mrekulli është edhe transporti me funikular nga Komo në “Brunate Funicular”, i cili ngjit vizitorët nga qyteti i Komos drejt fshatit malor të Brunate-s. Gjatë ngjitjes, panorama është sa madhështore, aq dhe mahnitëse. Në këtë rast liqeni duket si një fjongo argjendi mes malesh dhe çatitë e kuqe të qytetit humbasin gradualisht në horizont. Nga Brunate, vizitori mund të sodisë një peizazh që të lë pa frymë, si të jetë në avion dhe jo në një majë mali.

Në ditët me kthjelltësi duken majat alpine dhe deri fusha e Lombardisë. Ajri është i pastër, kambanat e kishave dëgjohen nga larg dhe natyra krijon një udhëtim poetik dehës. Rrugët tokësore që përshkojnë liqenin janë një udhëtim krejt artistik, pasi trë shoqëron kënga e valëve dhe kalimi në tunelet shkëmbore, në urat e ngritura plotë elegancë dhe rrugët e ngushta që ndjekin brigjet e ujit.

Çdo kthesë zbulon pamje të reja: vila të bardha, veranda lulesh, pyje gështenjash, restorante, aroma e kuzhinës italiane përzihet me freskinë e liqenit. Por mbrëmja në Komo është krejt romantike dhe e qetë. Dritat pasqyrohen mbi ujë si yje, shëtitorja buzë liqenit në të dy krahët mbushet me turistë që shijojnë peizazhe mahnitëse. Komo është një vend ku historia dhe bukuria bashkëjetojnë harmonikisht.

Qyteti i lashtë i romakëve, katedralja mbresëlënëse, monumenti solemn i luftës, qyteti i Aleksandër Voltës dhe liqeni magjepsës krijojnë një mozaik emocionesh që mbeten gjatë në kujtesën e çdo vizitori, në këtë qytet që nuk vizitohet vetëm vizualisht por edhe shpirtërisht, qytet që të fton ta rivizitosh atë.