GJENEALOGJIA E VLLAZNISË DIZDARI TË FISIT HOTIT NË MALSINË E GJAKOVËS DHE NË TREVAT E KOSOVËS
Labinot Dizdari
Për mua është një nder i veçantë që sot, në cilësinë e studiuesit, të paraqes para jush një pjesë të studimit tim mbi shpërnguljet dhe vendosjen e vëllazërisë Dizdari të fisit Hoti në trevat e Kosovës.
Ky studim nuk është vetëm një përmbledhje faktesh historike, por një përpjekje për të ruajtur kujtesën kolektive dhe rrënjët tona familjare e kombëtare.
Ky libër dhe ky hulumtim, për Dizdarët e Kosovës, janë mbështetur kryesisht në dëshmitë dhe kujtimet e nënës Ryve Dizdari, motrave të babës Ali, si dhe në rrëfimet e gjeneratave më të moshuara të fisit tonë, të nipave dhe mbesave të gjyshërve tanë.
Për mua ka qenë me rëndësi që çdo e dhënë të trajtohet me kujdes dhe përgjegjësi, duke krahasuar informacionet nga dy apo më shumë burime, duke marrë parasysh që lufta e Kosovës gjatë viteve 98-99 okupatori serb ka shkatërruar të gjitha të dhënat materiale të cilat kemi mundur që t’i përdorim si referencë, ne jemi mbështetur në tregime nga të moshuarit që i janë bartur në formë të tregimeve brezav të rinj, në mënyrë që ky botim të mbetet një burim sa më i besueshëm për gjeneratat që do të vijnë.
Përmes këtij studimi kam kuptuar edhe më shumë sakrificat, lëvizjet dhe qëndresën e familjes sonë ndër dekada e shekuj.
Për më shumë se dyqind vite, një pjesë e vëllazërisë sonë jetoi në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër në Kosovë dhe në treva të tjera shqiptare. Megjithatë, pavarësisht kufijve dhe rrethanave historike, lidhja shpirtërore dhe kombëtare nuk shkëput kurrë.
Kjo lidhje u dëshmua sidomos në periudhat më të vështira për kombin tonë. Vëllazëria jonë dha kontribut të çmuar në çështjen kombëtare, duke mbështetur grupet guerrile dhe rezistencën për liri. Kontributi i axhës Shefqet në mbështetjen e grupeve të rezistencës, si dhe rënia heroike e dëshmorëve të vllaznis së Dizdarëve të Shqipërisë në luftën për lirinë e Kosovës, mbeten faqe krenarie për fisin tonë.
Po ashtu, edhe pjesa e familjes sonë në Kosovë ishte e përfshirë drejtpërdrejt në organizimet dhe celulat e para që nga viti 1994, në shërbim të idealit të lirisë.
Me fillimin e luftës, burrat e fisit tonë në Kosuriq, Pejë, Krushec, Zllopek, Smolicë dhe në shumë treva të tjera, së bashku me nipërit dhe pasardhësit e fisit, u rreshtuan nën armë për lirinë e Kosovës, ku vlen të theksohet se të gjithë meshkujt nga mosha 16-vjeçare deri në ata mbi 60 vjeç, ishin në vijat e para të frontit, duke vazhduar rrugën dhe amanetin e të parëve tanë të fisit Hoti, të cilët ndër shekuj u ngritën për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të identitetit kombëtar.
Në këtë frymë sakrifice dhe qëndrese, edhe brezi ynë ndoqi rrugën e stërgjyshërve, me idealin për bashkimin kombëtar dhe për një Shqipëri të lirë e të bashkuar.
Një meritë të veçantë në bashkimin dhe afrimin e familjes sonë ka axha Sherif, i cili me përkushtim të jashtëzakonshëm arriti të mbledhë dëshmi, dokumente dhe kujtime që sot përbëjnë një trashëgimi të çmuar për të gjithë ne; falë punës së tij, jo vetëm që u dokumentua historia e vëllazërisë sonë, por u forcuan edhe lidhjet mes brezave dhe degëve të familjes sonë.
Ky libër është më shumë se një botim, është një urë mes së kaluarës dhe së ardhmes, një dëshmi e identitetit tonë dhe një kujtesë se rrënjët tona jetojnë përmes brezave, besoj se çdo familje që ruan historinë e saj, ruan një pjesë të historisë kombëtare, ndihemi krenar me fisin tim duke e njohur të kaluarën dhe trashëgiminë kombëtare, kulturore, artistike dhe bujarinë që kemi trashëguar.
U bëftë Shqipëria e bashkuar, e fortë dhe e bekuar, ashtu siç e kanë ëndërruar dhe për të cilën kanë sakrifikuar brezat ndër shekuj.