Albspirit

Media/News/Publishing

Niko Mihali: Ulliri ‘Kadare’ në Berat, vendin e Perëndive

Në toponimastikën shqiptare gjen shpesh emra vendesh që mbajnë emra drurësh të llojeve të ndryshme që lidhen me persona që i kanë mbjellë ose i kanë patur në pronësi apo që lidhen me një individ të caktuar në rrethana të ndryshme, sikundër mund të përmendim Rrapin e Leskovikut apo të Libohovës, Kaçkën e Llukanit në Frashër të Dangëllisë, Ullinjtë e Zisos në periferi të Përmetit etj. Dhe këtyre emrave disi unikalë u është shtuar në rrethana të vecanta edhe Ulliri i Kadaresë. Ai nuk ndodhet në kodrat e Tiranës ku është vendosur edhe busti i poetit, por larg, shumë më larg në kodrën e Vezirëve në fshatin  e Roshnikut në Berat, në rrëzë të malit të Tomorit, nga duket mirë e bukur ai vend i shënjtë ku rrinë Perënditë dhe ku Baba Aliu edhe sot i bekon ata njerëz në ato vende të dëgjojnë Baba Tomor, që aq bukur u ka kënduar sa Naimi po aq edhe Çajupi e dhjetëra të tjerë . 

Nje ditë marsi të vitit 2008, Kadareja u ndodh jo rastësisht në ato kodra  në periferi të Beratit, po shkoi për të parë e prekur më nga afër rrënjët e Qyprillinjve, të cilët i kishte personazhe të veprave të tij e në veçanti të romanit “Pallati i ëndërrave” ku personazhi kryesor i romanit Ebu Qerimi (Mark Alemi) ishte djalë i familjes së Qyprillinjve, një familje të pushtetshme dhe të pasur që kishin qenë funksionarë kryesorë të Perandorisë Osmane në shekullin e XVII-XVIII, por që në ato momente nuk po kalonin një fazë të mirë. 

Në vjeshtën e vitit të kaluar në një nga ditët e festivalit ballkanik të klarinetës L. Bariu, m’u dha rasti që bashkë me mikun tim nga Brukseli Nicolla Wieèrs që edhe ai organizon festivalin “Ballkan Trafik” u ngjita  në ato kodra ku na priste me shumë dëshirë miku ynë Fitim Mimani, që kryeson një shoqatë kulturore me emrin e Qyprillinjve të Roshnikut. Pasi ndaluam për një kafe tek lokali i tij në rrëzë të kodrës, na ftoi të ngjiteshim në majë të saj të soditnim nga  ajo majë “çiflikun” e tij dhe krejt pamjen fantastike që ofrohej nga ajo majë e Kodrës së Vezirëve. Fitimi pretendon dhe e ka bindje, se ato kodra kanë qenë pjesë e çifliqeve të Qyprillinjve pasi edhe ashtu njihen edhe në banoret e kësaj treve dhe në  Berat. Ishte një malore që shkëputej nga rruga kryesore e cila shkonte në thellësi të fshatrave që shtriheshin rrëzë kodrave dhe ku Fitimi kishte hedhur themelet e një kalaje në miniaturë, ku djemtë e tij të kthyer nga kurbeti, mendojnë të ndërtojnë një hotel dhe aksesorë të tjerë ku të presin e përcjellin truristë.

– Këtu do të vendosim një teleferik që të marrë turistët e t’i çojë të zbresin tek ai liqeni atje poshtë e që andej të shëtitin fshatrat e tjerë të zonës ku organizohen panaire e festa të ndryshme e ka plot prodhime vendase, – më thoshte djali i Fitimit që ka një biznes me tre hotele-shtëpi brenda në Berat dhe është shumë i kënaqur me punën që bën. 

Në atë copë malore që po ngjitnim nuk mund të mos ndaloja e të interesoheshe për atë që po shikoja. Rruga nga të dy anët ishte me taraca ku vigjilonin si ushtarë ullinj dhe jo vetëm ullinj, por fiq nga ata fiqtë me emër të Roshnikut, thanë, vadhëza, bajame, qershi, kumbulla etj, tamam si kopshtet e Miçurinit. Në rrëzë të një ulliri sikundër e shikoni edhe në fotot që i bashkangjiten këtij shkrimi, shoh një pllakë mermeri ku ishte shkruar emri Kadare. 

– Po kjo pllakë këtu me këtë emër të Kadaresë, ç’është mo Fitim, ka ndonjë histori? 

Ai më ftoi të ngjitemi pak më lart tek qilari i tij që ndodhej në bodrumet e kalasë, u ulëm në sheshin e saj në disa tavolina hekuri dhe pamja që na shfaqej ishte befasuese, gjithë ajo hapësirë në rrëzë të malit të Tomorrit e gjer tutje në afërsi të Myzeqesë ku ndodheshin fshatrat Roshniku i madh, Roshniku i vogël, Çokollarët, Bogdani 1 dhe Bogdani 2, Vojniku, Miçolli, Qereshniku, Duhanasi, Kostreni etj, ishte parceluar bukur me blloqe ullinjsh, me rrugë ndërmjet tyre, me liqene apo rezervuar të mbushur me ujë që zbriste nga ato male dhe ku mijëra njerëz të urtë e punëtorë mblidhnin prodhimin e vitit të ullinjve, të cilët do shkonin nëpër fabrikat e zonës e do mbushnin bidona e bidona pafund me atë lëngun e artë që të zbukuron jetën, vajin e ullirit. Gjithë atij pejsazhi unikal që rritej e zbukurohej çdo ditë të vitit duket e besohet se e ka bekuar Perëndia, magjia e atij mali fantastik që shikon e bekon çdo ditë shqiptarët kur shkojnë në punët e tyre. Qilari i kalasë së Fitimit e mbushi tavolinën plot, me pak raki rrushi e thane e shumë fiq, rrush, arra e vadhëza sa e befasoi edhe mikun e ri të ardhur nga larg. Pasi shkëmbyem e bekuam malin e lartë ku kishte ende pllanga bore, Fitimi nis e më tregon historinë e ullirit të Kadaresë, nga i cili e hidhnim shikimin shumë herë.

…Ka qënë data 8 mars  e vitit 2008, një ditë e bukur ku natyra sa kish filluar të vishte ngjyrat e pranverës. Një ditë më parë televizioni shqiptar kish trasmentuar dokumentarin televiziv “Shkëlqimi dhe harrimi i Qyprillinjve“ me regji të kineastit Ibrahim Muça, me skenar të B. Lapi dhe kameraman A. Gura. Të dhënat  dokumentare të atij filmi ishin marrë nga arkivat e Stambollit, Muzeu i Qyprillinjve dhe Biblioteka e Qyprillinjve e cila sipas dokumentave të shkruara i fundit i kësaj familje Fuat Qyprilliu ia ka falur shtetit turk. Dokumentari kishte edhe intervista të marra nga figura të njohura të shtetit turk, pinjollë të së cilës  kishin arritur ta mbanin këtë emër e traditë gjer në ardhjen e Ataturkut në fillimet e shekullit të XX. Sigurisht ky dokumentar u realizua me insistimin e kontributin tim financiar pasi edhe unë jam dhe më njohin si një ndër pinjollët e kësaj dinastije këtu në Roshnik të Beratit dhe ky vend ku jemi e po rrimë e po bisedojmë ka emrin kodra e vezirëve, ka qenë pjesë e çiflikut të tyre sipas gojëdhënave. Unë  me ndryshimin e sistemit, me reformat që u bënë gjeta dokumentat e duhura dhe i kam bërë pronën time të regjistruar edhe në kadastër Berat. Goditi që Kadareja e pa këtë film dokumentar në shtëpinë e tij në Tiranë dhe ato që pa e dëgjoi i ringjallën kujtime të shkrimit të veprave të tij  jo vetëm “Pallati i ëndrrave” por edhe “Qorferrmani”, historitë e problemet që i kanë dalë pasi ato dolën nga botimi dhe kishte thënë: Tani më duket se i gjeta vërtet rrënjët e këtij fisi të njohur të Perandorisë dhe dua të vete t’i shikoj e prek nga afër. Të nesërmen mori zonjën e tij, Helenën dhe regjisorin e ish- Kinostudios Todi Bozo dhe afër drekës u ndodhën në Berat dhe u nisën për në Roshnik. Unë u ndodha aty, i prita, i sajdisa në atë lokalin tim atje majë kodrës dhe po bisedonim për këtë  fis të largët, drekuam dhe u befasua nga kjo pamje që po shikonte. I tregova ato histori që thuheshin e qarkullonin për këtë fis, kujtimet që ruhen brez pas brezi e tregohen, por edhe pretendimet e mia për këta emra që kanë bërë ferk si sundimtarë të Perandorisë në shekullin e XVIII, XII e më vonë…

Ndërkohë banorët e këtyre fshatrave ishin në punët e tyre, krasitnin, prashitnin, punonin tokën, mbillnin ullinj e pemë të tjera. Nga vendi ku rrinim dukej mirë kodra e taracuar ku mes ullinjve kishte edhe pemë të tjera. Pastaj më pyeti se çfarë ke mbjellë në ato  brezare. I them se kam mbjellë mbi 300 rrënjë ullinj, 200 thanë,100 qershi, 50-60 kumbulla, 40 vadhëza etj dhe qilarin e kam me fasule, patate, raki rrushi e thane, vaj ulliri, ullinj të kripur të llojeve të ndryshme, verë etj. I kam për vete, por edhe për miq e shokë, sepse me miq e mysafirë malli nuk bën kurrë fir! Vura re një farë ekzaltimi në fytyrën e tij dhe po prisja se ç’do më thoshte dhe pasi  e pa edhe njëherë mirë gjithë atë panoramë plot me kuadrate me ullinj më thotë: Mos kujto se do fitosh ndonjë gjë të madhe nga këto pemët, por me bukurinë që u ke dhënë këtyre kodrave shton jetën tënde… U befasua kur i tregova se ullinjtë e këtij fshati, më ka rënë rasti kur kam shkuar me asamblin folklorik të shoqatës që kryesoj i kam çuar gjer në Angli dhe i kam befasuar ata  njerëz me të cilët kemi lidhur edhe miqësi e dëgjohemi shpesh. Ndërkohë i them nëse keni dëshirë  që të  lini emrin tuaj në këtë pejsazh kaq të bukur e të mbjellësh një ulli, do na bëje nder. U tregua tepër i gatshëm. E kam merak vetë, më tha, këtë gjë po mendoja dhe hajde ta bëjmë këtë punë. Gjetëm një  fidan të ri për mbjellje, hapëm gropën dhe ulliri u mboll. U mboll me datën 8 mars 2008 dhe po  hedh rrënjë e nga viti në vit po rritet, sikundër e shikon ka hedhur shtat, kokrrat i ka shumë të mira dhe çdo vjeshtë pret të Zotin të vijë ta vjelë. E pashë se u ndje shumë mirë, mbolli një simbol në këto kodra të personazheve të veprave të tij dhe sa herë e shikoj unë apo shokë e miq që vijnë këtu tek ky qilari im, befasohen, lumturohen dhe duan të bëjnë edhe foto sikundër edhe juve dy Nikot, një nga Brukseli e një nga Tirana. Në ditët që pasuan edhe unë tregoja pak kujdes më shumë, veçan në stinën e verës dhe e ujitja që ai të bleronte e lulëzonte dhe të mbushej plot. Pastaj mora një pllakë mermeri, shkrova emrin e tij KADARE dhe e vendosa tek trungu i tij dhe që këtej ai duket sikur e shikon gjithë këtë hapësirë ku mund të jenë mbi 1 milion rrenjë ullinj dhe përcjell që andej mesazhin e paqes që simbolizon ulliri. Nicolasi, miku nga Brukseli, pasi u end për pak minuta nëpër fiqtë vjeshtakë që ishin shumë të veçantë, dëgjoi edhe këtë narrativë të Fitimit e falenderon atë si për pritjen e këtë pejsazh kaq të bukur vijoi: 

– U mbusha me plot impresione nga kjo pllakë mermeri me emrin e Kadaresë dhe më vjen po aq mirë që njoha edhe një dimension tjetër të këtij shkrimtari, vepra e të cilit qarkullon me dinjitet në shumë vende të botës 

Tek largoheshim nga ky mjedis sikur më erdhi në mend një poezi e herëshme me titull “Ullinjtë shqiptarë në Vietnam“ që më duket se ka për autor po Kadarenë mos gaboj, pastaj ai lokali  “Juvenilia” në kodrat e Tiranës ku portreti i tij derdhur në bronx prehet i qetë nën një ulli dhe e kujtojnë shokët e miqtë që  takoheshin, rufisnin kafen e mëngjesit e bisedonin me atë, ndërsa në këto kodra gati 120 km larg Tiranës,  tani ky vend e ka emrin: Tek ulliri i Kadaresë.

– Nuk dua të mburrem aspak, – vion Fitimi – por në këtë vend që përkon me pronat e Qyprillinjve vijnë shumë njerëz, shumë turistë, po vijnë e kanë ardhur dhe delegacione nga qeveria turke, zyrtarë të ambasadës së Turqisë në Tiranë, unë jam ftuar disa herë në Stamboll e kam vizituar muzeumin dhe bibliotekën e tyre, kam parë sarajet e tyre të brezave të fundit, në brigjet e Bosforit, kam shoqëruar e përcjellë shumë mysafirë e turistë e grupe kulturore sa nga Shqipëria por edhe nga Franca, nga Anglia, nga ambasadorët e paqes etj dhe ky vend dhe ky emër i impresionon.

-Tani, – thotë Fitimi, – ai, një nga njerëzit e mëdhenj të këtij kombi, ka pak kohë që ka vdekur. Sa ishte gjallë nuk mundi ta shikonte edhe njëherë atë fidan të vogël që në këto 26 vjet po bëhet sa një lis, por ky është ulliri i tij real, jo metaforik, ndaj unë e ftoj familjen e tij, vajzat, nipër apo mbesa që ta vizitojnë këtë  vend e të mbledhin prodhimin e tij çdo tetor. Unë i pres!

Torino, 20 maj 2026.