Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: 30 Maj 1913 – Njohja ndërkombëtare e Shqipërisë “Londineze”

Traktati i Londrës u nënshkrua 113 vjet më parë, më 30 maj 1913, në përfundim të Konferencës së Londrës (1912–1913).

Ky traktat lidhej me armëpushimin ndërmjet palëve pas Luftës së Parë Ballkanike dhe me rregullimet territoriale në dëm të Perandorisë Osmane.

Traktati i Londrës i vitit 1913 përbënte një pikë kthese për Ballkanin, sepse shënoi fundin e dominimit osman në rajon dhe lindjen e Shqipërisë si shtet i pavarur, por gjithashtu la hapësirë për konflikte të reja, të cilat shpërthyen menjëherë me Luftën e Dytë Ballkanike.

“Personazhet” e Traktatit të Londrës ishin Liga Ballkanike, e përbërë nga Serbia, Greqia, Mbretëria e Bullgarisë dhe Mali i Zi; Fuqitë e Mëdha (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia); si dhe Perandoria Osmane.

Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën fuqishëm krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, për të frenuar ambiciet serbe dhe greke.

Rusia mbështeti pa rezerva Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar mbajtën një qëndrim më të rezervuar dhe kryesisht neutral.

Sir Edward Grey, Sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve në St. James’s Palace në Londër, ishte figura qendrore që drejtoi diskutimet dhe ndërmjetësoi mes Fuqive të Mëdha.

Konferenca njihej si “Konferenca e Ambasadorëve”, sepse çdo Fuqi e Madhe kishte dërguar ambasadorin e saj në Londër:

• Austro-Hungaria – ambasadori Albert von Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein.

• Franca – ambasadori Paul Cambon.

• Gjermania – ambasadori Karl Max, Princ Lichnowsky.

• Italia – ambasadori Raffaele Guariglia (në atë kohë përfaqësues i Italisë në Londër).

• Rusia – ambasadori Alexander Benckendorff.

• Britania e Madhe – vetë Sir Edward Grey si kryetar, me mbështetjen e diplomatëve britanikë.

Delegacioni osman mori pjesë deri në janar të vitit 1913, por u tërhoq pas grushtit të shtetit të Enver Pashës në Stamboll. Pas kësaj, traktati u nënshkrua pa praninë e tij.

Delegacionet ballkanike ishin palë kërkuese, por vendimet përfundimtare u morën nga Fuqitë e Mëdha:

• Serbia – përfaqësues të qeverisë së Beogradit, që kërkonin dalje në Adriatik.

• Greqia – delegatë që mbronin pretendimet mbi Epirin dhe ishujt e Egjeut.

• Bullgaria – përfaqësues që kërkonin pjesën më të madhe të Maqedonisë dhe Trakës.

• Mali i Zi – delegatë që mbronin pushtimet në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe.

Ambasadorët e Fuqive të Mëdha

• Austro-Hungaria – Albert von Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein, ambasador në Londër. Ai ishte mbrojtësi më i fortë i krijimit të Shqipërisë, për të penguar daljen e Serbisë në Adriatik.

• Franca – Paul Cambon, ambasador në Londër. Franca shpesh mbështeti interesat serbe dhe greke, duke e konsideruar Shqipërinë një shtet të dobët.

• Gjermania – Karl Max, Princ Lichnowsky, ambasador në Londër. Gjermania mbështeti Austro-Hungarinë në ruajtjen e ekuilibrit, por nuk ishte aq aktive në çështjen shqiptare.

• Italia – Raffaele Guariglia. Italia, ashtu si Austro-Hungaria, ishte në favor të krijimit të Shqipërisë për të frenuar Greqinë dhe Serbinë.

• Rusia – Alexander Benckendorff, ambasador në Londër. Rusia ishte mbështetëse e fortë e Serbisë dhe Bullgarisë, duke kundërshtuar shpesh projektin shqiptar.

• Britania e Madhe – Edward Grey, me diplomatë britanikë si Arthur Nicolson. Britania u përpoq të ruante ekuilibrin dhe të shmangte një konflikt mes Fuqive të Mëdha.

Roli i Kontit Leopold Berchtold (1863–1942), Ministër i Jashtëm i Perandorisë Austro-Hungareze në këtë periudhë, ishte vendimtar për njohjen e shtetit të ri shqiptar, por jo për ruajtjen e kufijve etnikë të tij.

Pa ndërhyrjen e tij dhe të Austro-Hungarisë, ekzistenca e Shqipërisë si shtet do të kishte qenë shumë më e rrezikuar.

Falë qëndrimit të Berchtoldit dhe diplomacisë austro-hungareze, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur në Traktatin e Londrës, më 30 maj 1913.

Ai arriti të bllokonte projektin serb për dalje në Adriatik, duke i lënë Serbisë vetëm territoret e brendshme, si Kosova dhe Maqedonia.

Berchtold këmbëngulte se dalja e Serbisë në Adriatik do të prishte ekuilibrin e Ballkanit dhe do të rrezikonte interesat e Austro-Hungarisë. Ai e paraqiti Shqipërinë si një “shtet tampon” të domosdoshëm. Gjithashtu, bashkëpunoi ngushtë me Romën, duke krijuar një front të përbashkët kundër projektit rus për ta shndërruar Serbinë në një fuqi detare.

Për të fituar mbështetjen britanike, Berchtold pranoi që Shqipëria të kishte kufij më të ngushtë, por këmbënguli që ajo të mos humbiste daljen në det.

Rusia dhe Franca dëshironin që Kosova dhe Epiri të mbeteshin jashtë Shqipërisë. Berchtold nuk arriti t’i mbronte këto territore, por siguroi që shteti shqiptar të mos zhdukej nga harta.

Personazhi më agresiv kundër Shqipërisë në Konferencën e Londrës 1912–1913 ishte, pa dyshim, Rusia, përmes ambasadorit të saj në Londër, Alexander Benckendorff.

Rusia e konsideronte Shqipërinë një projekt artificial të Austro-Hungarisë dhe Italisë, që synonte të pengonte daljen e Serbisë në Adriatik.

Benckendorff dhe diplomacia ruse këmbëngulën që Shqipëria të mos përfshinte Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe Epirin, duke i lënë këto territore Serbisë dhe Greqisë.

Rusia gjeti aleate Francën, e cila gjithashtu favorizonte Serbinë dhe Greqinë, duke e bërë frontin antishqiptar edhe më të fortë.

Alexander Benckendorff ishte figura më aktive kundër Shqipërisë, duke e konsideruar atë një shtet të panevojshëm dhe duke shtyrë për copëtimin e saj në favor të Serbisë dhe Greqisë. Pa kundërpeshën e Berchtoldit dhe Austro-Hungarisë, Shqipëria do të kishte rrezikuar seriozisht të mos njihej fare.

Është një turp i madh që në Tiranë ende nuk kemi një monument kushtuar Leopold Berchtoldit. Jemi mjaftuar me emërtimin e një rruge në një zonë periferike të kryeqytetit, që lidh Brrylin me rrugën “Ali Demi” (emërtim i vendosur në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë), si dhe me një bust në Shkodër.

Anëtarët e Ligës Ballkanike ishin kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar dhe kërkonin ndarjen e territoreve shqiptare mes tyre.

Shqiptarët e kundërshtuan vendimin e Fuqive të Mëdha, duke e konsideruar atë një padrejtësi të rëndë kombëtare, pasi rreth 40% e popullsisë shqiptare dhe më shumë se gjysma e territoreve etnike mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri.

Kosova, Çamëria dhe vise të tjera shqiptare iu dhanë Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Sikur të mos mjaftonte kjo padrejtësi, përcaktimi i kufijve sipas Protokollit të Firences (17 dhjetor 1913) u kundërshtua nga një pjesë e popullsisë greke në jug të Shqipërisë, e cila u ngrit në revoltë dhe, me mbështetjen e plotë të kryeministrit grek Elefterios Venizellos, shpalli Republikën Autonome të Epirit të Veriut, të drejtuar nga Jorgos Zografi.

Kjo republikë u njoh si rajon autonom sipas termave të Protokollit të Korfuzit (17 maj 1914).

Megjithatë, këto dispozita nuk u zbatuan kurrë për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe u shfuqizuan nga Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1921.

Në Konferencën e Londrës 1912–1913, Shqipëria nuk pati një delegacion zyrtar të pranuar nga Fuqitë e Mëdha.

Delegatë shqiptarë u përpoqën të paraqiteshin në Londër për të mbrojtur kauzën kombëtare, por nuk u njohën si palë zyrtare.

Ismail Qemali, kryeministër i Qeverisë së Vlorës, dërgoi përfaqësues për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Mehmet Konica (vëllai i Faik Konicës) ishte një nga figurat që veproi në Londër për të lobuar në favor të Shqipërisë.

Turhan Pashë Përmeti, Rasih Dino dhe diplomatë të tjerë shqiptarë u angazhuan në kontaktet diplomatike, por pa status të barabartë me delegacionet e shteteve ballkanike.

Rasih Dino përfaqësonte interesat e krahinës së Çamërisë, e cila më vonë iu dha Greqisë. Ai ishte pjesë e një familjeje të njohur çame që u përpoq të mbronte kufijtë e Shqipërisë, por pa fuqi vendimmarrëse përballë ambasadorëve të Fuqive të Mëdha.

Shqiptarët ishin të pranishëm si zëra lobues, por jo si palë vendimmarrëse.

Komunistët shqiptarë, pas vitit 1945, si fitues të luftës, duke injoruar mësimet e historisë, u lidhën ngushtë ideologjikisht, politikisht dhe ekonomikisht me shtetet sllave, të cilat historikisht kishin qenë kundër krijimit të një shteti të pavarur shqiptar.

Në vitin 1960, “vëllai i madh i popullit shqiptar” dhe “Qytetari i Nderit i Tiranës”, lideri sovjetik Nikita Hrushov, pas një takimi me politikanin dhe ish-kryeministrin grek Sofokli Venizellos, birin e Elefterios Venizellosit, i kërkoi Enver Hoxhës t’i jepte autonomi minoritetit grek.

Pavarësisht kundërshtive dhe padrejtësive, Traktati i Londrës njohu pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë që, me disa korrigjime të mëvonshme, përbëjnë bazën e kufijve të sotëm shtetërorë.

Prandaj, mund të themi se 30 maji 1913 është dita e Shqipërisë londineze dhe e njohjes zyrtare ndërkombëtare të shtetit shqiptar.

Shqipëria fitoi njohjen ndërkombëtare si shtet i pavarur, por humbi një pjesë të madhe të territoreve të saj etnike.

Vendimet e Konferencës së Londrës dhe më pas të Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve (1913–1914) i shkaktuan Shqipërisë humbje të mëdha territoriale:

• Kosova dhe Sanxhaku i Novi Pazarit iu dhanë Serbisë.

• Maqedonia Perëndimore (Tetova, Kumanova, Gostivari, Struga dhe Manastiri) iu dha Serbisë.

• Çamëria dhe Janina iu dhanë Greqisë.

• Plava, Gucia, Tivari dhe territore të tjera shqiptare iu dhanë Malit të Zi.

• Shqiptarët e Shkupit dhe të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë.

Arsyeja kryesore pse Shqipëria humbi një pjesë kaq të madhe të territoreve të saj etnike pas Konferencës së Londrës 1912–1913 ishte balanca e fuqive ndërkombëtare dhe rivaliteti mes Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën interesat e tyre strategjike mbi parimin etnik dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje.