Natasha Lako: Problemet sotme para kinematografisë shqiptare
Për t’ju afruar disi më pranë problemeve të sotme të krijuara para kinematografisë shqiptare, dëshiroj t’ju kujtoj se kamera e parë e prodhimit të filmit u krijua, sipas parimit të dritës së syrit, prej nga lind vështrimi njerëzor.
Sigurisht që në botën e sotme, ku ndërhyn TikToku dhe një realitet gjithnjë e më neurotik, i cili nuk ka durim të lexojë një libër deri në fund, edhe mundësitë e keqkuptimeve të mëdha mund të interferojnë deri te problemet e krijimtarisë kinematografike. Përfshirja brenda një bote të përbashkët mund të na çojë edhe drejt marrezirave të mëdha.
Mbi të gjitha, le të lumturohemi që jemi pjesë e çdo kinematografie tjetër, mos o zot njësoj si Qybrilinjtë e dikurshëm!
Sigurisht që brenda vendit tonë të vogël do të ketë njerëz që do të integrohen me çdo vend të botës që dëshirojnë, ashtu siç do të ketë njerëz që nuk do të dëshirojnë kurrë të shuhet kinematografia shqiptare, e cila nuk e humbi dritën e syrit as në kohët më të zymta.
Vokacioni krijues i kineastëve që mbrojtën dhe zhvilluan kinematografinë shqiptare, disa madje të shuar në kohën e pritshmërive të tyre më të mëdha, nuk ishte thjesht një inerci që buronte nga ekzistenca e dikurshme e Kinostudios “Shqipëria e Re”, por një burim force kreative që nuk shteret kurrë, të cilin, më mirë se kushdo, madje edhe mbi politikanët e sotëm, e kupton bota e një biznesi të talentuar të konkurrencës së ndershme.
Kjo botë e autorëve shqiptarë vazhdon të triumfojë dhe të dijë të shprehë veten, më tepër se kudo, në letërsi, në vazhdim të një rruge të konsoliduar prej qindra vjetësh prej autorëve shqiptarë, krijimtaria e të cilëve së pari lindi prej përkthimeve të mëdha. Le të kujtojmë këtu vetëm Bogdanin dhe Nolin.
Kinematografia as mund të mendohet se mund të arrinte vështrimin e vet të drejtpërdrejtë nëpërmjet përkthimit, duke kaluar përmes një rruge edhe më të mundimshme, por duke u mbështetur në dirigjimin autorial ndaj të gjitha arteve të tjera shqiptare, ku nga shqiptarët kanë lindur talente të sigurta, si deri më sot.
Është e natyrshme që diskutime të hapura do të vazhdojë të ketë gjithmonë. Por në momentet e sotme nuk është fjala për diskutime të hapura, por për vendosjen e opinionit shqiptar përballë një projektligji të ri mbi prodhimin audiovizual, i cili, në vend që t’u japë përparësi autorëve, gjithnjë e më tepër rëndësi i jep prodhuesit shqiptar të filmit. Kjo është diçka që grupit të formulimit të ligjit të miratuar nën drejtimin e Dhimitër Anagnostit dhe Ministrisë së Kulturës së asaj kohe as që mund t’i vinte në mendje.
Nuk mund t’u vijë në mendje as komisioneve të Euroimages sot, ku Shqipëria ka fatin të ketë përfaqësuesit e vet.
Sigurisht që të gjitha këto nuk janë thjesht beteja estetike, por beteja të grupeve të caktuara interesi, të natyrshme edhe këto, ku autorët shqiptarë gjithnjë e më tepër konsiderohen si minoritet i papërfillshëm.
Në rast se disa shoqata mbështesin këtë projektligj të ri, pa menduar se disa amendamente mund t’i bëhen ligjit që Joni Shanaj e quan “Ligji Anagnosti”, jam e bindur se është e pamundur që parlamentarët tanë të mbështesin ligjin e ri, ku nuk është fare e qartë se cilët janë autorët që e kanë nxjerrë si asin e tyre nga xhepi.