Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Mevlan Shanaj e kishte për detyrë të na tregojë…
(Shënime mbi librin “Të fshehta jashtë ekranit”, të Mevlan Shanajt, Tiranë 2024,)
Libri i titulluar “Të fshehta jashtë ekranit” sjellë për lexuesin nga aktori i njohur i filmit shqiptar Mevlan Shanaj mendoj se është një libër i shumëfishtë, se në historinë e librave ka dhe libra të shumëfishtë. Është një libër që më së paku e shumëzon veten tek lexuesi në tre apo katër herë më shumë sesa ai ç’është. Ka shumë kohë që librin e Shanajt e kam lexuar, jo njëherë, por disa herë, për shkakun e një leximi fillimisht linear, pastaj herë pas here ai të kërkon, për shkakun e një numri të madh referimesh njerëzore, ngjarjesh, personazhesh dhe rastesh të tjera që ai ka. Pra është një libër që lexohet në mënyrë të integruar, dhe pse termi “lexim i integruar”, ngjan se nuk është përdorur deri sot dhe nuk përfshihet në terminologjinë e leximit.
Për shumë arsye, të cilat do të përpiqem t’i bëj të pranishme në disa mendime që unë kam për librin e Mevlan Shanajt, do t’i qëndroj termit në fjalë, për shkakun e natyrës që ka libri në fjalë dhe për arsyen se si ai të kërkon ta lexosh, ku bëhen bashkë, plazmohen dhe reflektojnë njëra-tjetrën magjia e rrëfimit, një aktor rrëfen përmes gjendjeve shpirtërore dhe kënaqësisë estetike, asaj shpirtërore dhe arti i të treguarit (rrëfimit) pasi çdo lloj ngjarjeje është pak dhe aktoriale, duke qenë dhe shumë komunikuese.
Mevlan Shanaj është aktori i qindra roleve dhe në historinë e filmit shqiptar, ai përbën plejadën dhe ajkën autoriale të roleve të mëdha. Rolet e mëdha, në historinë e një kinemaje (filmi) siç është filmi shqiptar, mendoj që lidhet me thelbin e saj, atë që kinemaja duhet të bëjë, duke kuptuar realitetin social-kulturor të vendit nga njëra anë dhe krijimi i një komunikimi, siç bën zakonisht kinemaja në kohë të caktuara, në kapërcim dhe ardhje epokash, ndërmjetës të cilave është filmi dhe heroi i filmit.
Dhe pse në librin e Mevlan Shanajt nuk ka film, kinema apo role (d.m.th. nuk ka protagonizëm kinematografik, aktoraliteti, filmi dhe kinemaja vijnë përmes një jehone të brendshme, në aromën e rrëfimeve, emocioneve dhe gjetjeve, për shkak se në një mori të madhe protagonistësh të librit në fjalë ka gjetje, dhe nuk janë gjetje të thjeshta, janë gjetje që nyjëtojnë momente të rëndësishme në jetën e aktorit, në jetën e kinemasë dhe po kaq interesante është apo që përbën prurja e karaktereve. Mevlan Shanaj ka zgjedhje të hollë për të zbuluar karakteret siç bëjnë romancierët, regjisorët përmes aktorëve që u besojnë projektin dhe shpërfaqjen e kohës përmes tyre. Në këtë pikëpamje, libri në fjalë zë një hapësirë kohore të rëndësishme, ku ka vend për historizëm, për aktualitet dhe një lloj përkujdesje për të ardhmen.
Pra, sado që të përpiqet t’i shmanget “zejes autoriale”, Mevlan Shanaj nuk i ikën dot, asaj pjese që e ka bërë kaq të njohur dhe si një pjesë e familjes shqiptare që në krye të herës, ndoshta që tek “I teti…”, kur jeta e tij shumëfishohej duke “udhëtuar mbi bronz”. Në këtë pikëpamje, as dhe ne që kërkojmë ta zbulojmë aktorin e njohur jashtë ekranit, përmes rrëfimeve, sentimenteve, kujtesës, ngjarjeve pikante, marrëdhënieve të tij me filmin dhe njerëzit e filmit dhe të librit, kontakteve dhe detajeve që Mevlan Shanaj i ka parë me një sy sa njerëzor aq artistik dhe sentimental, nuk i shmangemi dot ndikimit të tij si aktor i qindra roleve në kinema dhe raste të tjerë, dhe në këtë aspekt, ana autoriale e tij sikur nuk na ikën nga qasja sado që të mundohemi të ikim.
Libri zakonisht ka një marrëdhënie tjetër nga filmi dhe kinemaja, ai është më i ftohtë nga pikëpamja emocionale sesa filmi, por mbetet një mundësi për të komunikuar me njerëzit dhe të shtrirë në kohë. Libri në fjalë është një mundësi jashtëzakonisht e rëndësishme për një arsye të thjeshtë:- Mevlan Shanaj duhej ta shkruante këtë libër, për të treguar se jeta e një aktori sa ç’është emocionale, e shpërfaqur nën dritat e skenave të xhirimeve, të personazheve, të karaktereve dhe heronjve që mbart dhe jeta autoriale e tij, ajo po kaq njerëzore, është e thjeshtë dhe e lidhur me gjërat normale me njerëzit, kolegët dhe emrat e njohur të dijes dhe të kulturës. Ky libër është ndërtuar për të shpërfaqur dhe për të treguar një aktor si Mevlan Shanaj në jetën e zakonshme, në ditë të caktuar, në njerëz që ai nuk i ka harruar, në momente kur në jetën e tij ato kanë luajtur dhe lënë shenjën e tyre, në kushtet e shqetësimeve që një aktor ka në jetën e përditshme, për të treguar se madhështia, ajo rëndësia që mbart një njeri që komunikon me rolin, ekranin dhe filmin kalojnë përmes një thjeshtësie njerëzore.
Libri “Të fshehta jashtë ekranit” është ndërtuar me një strukturë interesante, komunikuese, dhe nën një qëllim mjaft domethënës. Pjesët komunikojnë me njëra-tjetrën përmes një metafore që zakonisht e kap një lexues i hollë, plotësojnë njëra-tjetrën për të krijuar një raport fondamental të autorit me kohën, kulturën, njerëzit që ka njohur, me kinemanë dhe magjinë e aktorit. Skrupuloz, i qetë, i qartë, i thjeshtë dhe i mbushur me mendim, libri është një punim shkencor për shumë fenomene të fushës, qoftë nga pikëpamjet teorike e deri tek ato të qëndrimeve të tij për gjëra të rëndësishme të artit.
Pjesën më të gjerësishme të librit, kreun e 2 të tij e përgatisin mjaft mirë një parathënie e rëndësishme dhe komplekse e personalitetit të filmit Kujtim Çashku, një sprovë në të cilën flitet për raportet e shumëfishta që libri mbart, duke qenë një rrëfim, një lloj zhanri në shpërfaqjen e një realiteti të gjerësishëm të filmit, kinemasë, njerëzve të kulturës dhe kinemasë në pjesën më të padukshme të tyre, që në njëfarë mënyrë kanë pasur lidhje me autorin e librit, i cili ka ndërmarrë një shërbim të madh për të treguar dhe rrëfyer për këta njerëz në rrethana dhe marrëdhënie të caktuara.
Mendoj se libri në fjalë është jo vetëm një “detyrim” shpirtëror që një personazh dhe personalitet si Mevlan Shanaj ka për filmin, kinemanë, regjisoren, plejadën e madhe të aktorëve të filmit shqiptar, që ai ka njohur dhe njeh, të historisë së filmit, të adhurimit njerëzor për të, që ai i ka krijuar përmes roleve dhe karaktereve që ka sjellë në kinemanë shqiptare, por është dhe shlyerja e një lloj pengu që një njeri me kaq barrë shpirtërore dhe emocionale mbart në jetë. Duke qenë një libër mes asaj që njohim dhe asaj që nuk njohim, mendoj se e bën atë të rëndësishëm dhe në mendimin estetik të fushës dhe marrëdhënieve që shpalos. Çashku ndoshta ka arritur të tregojë thelbin e kësaj vepre, duke kujtuar një term nga teknologjia, që gjithsesi e shpërfaq marrëdhënien që Shanaj ka me kohën, njerëzit, emocionalitetin e tij, pra me librin “Të fshehta jashtë ekranit”. Termi kaleidoskopik është një nyjë, një domethënie se ç’është ky libër, që nënkupton një ndriçim të thellë shpirtëror në një “arrati emigratore emocionale” dhe shumë-këndore, që pavarësisht se prurësi është një aktor dhe mjeshtër i aktrimit si Mevlan Shanaj, kjo mëvetësi dhe marrëdhënie personale merr dimension shoqëror. Aktori kurrë nuk i ikën dimensionit shoqëror.
Çashku e “mobilon” mjeshtërisht marrëdhënien që krijon çdo pjesë e librit, ndërsa zbulon memorien e Shanajt, “përmes të tjerëve dhe publikut”, ai na ka zbuluar vetveten, një lloj etniteti të vetvetes, që në këtë “arrati emigratore emocionale” ai e quan atë një arkiv shpirtëror. Dhe pikërisht në këtë pikë ai mendon se libri “Në këtë shtresëzim emocional të memories, duket se memoria te vetja, memoria njerëzore dhe hapësira e memories së mosqenies janë frymë, energjia lëvizëse e gjithë universit.” dhe në këtë pikë, libri e kapërcen vetveten dhe kohën e shkrimit të tij.
Kapitulli “Arti i kinemasë”, përveçse një para-hyrje në të është dhe një parashtresë që ndihmon në komunikimin që ka kinemaja dhe kuptimi i saj; parashtresa të tilla si “E para është fjala”, një kumt i ditur për “njohjen dhe historinë e botës”, e gjen mjaft mirë veten tek marrëdhënia dhe kumti që del nga goja e aktorëve të mëdhenj, pasi “Dhuntia e aktorëve të mëdhenj është një dëshmi e forcës së fjalës...”, e cila mbart gjenialitetin e komunikimit tek këta njerëz dhe që i shkon për shtat aktorëve në krijimin e dinjitetit dhe karakterit, që përthyhet në mendimet që sjell shqyrtesa “Detyra e aktorit është krijimi sa më dinjitoz i karakterit”, për të cilin ai është përgjegjës dhe jo për qëndrimin politik të veprës apo rolit.
Kinemaja është ëndrra që shton ëndrrat në çdo moshë, shkruan në një shqyrtesë tjetër aktori i njohur Shanaj në libër, në kërkim të motiveve që e përfshijnë atë në emocionet frymëzuese të filmit apo të talentit me të cilin aktorët, pavarësisht nga cilat fusha të veprimtarisë vinin, përcjellin tek spektatori, i cili nuk e ka braktisur kurrë kinemanë. Pastaj çështje të natyrës profesionale, që gjithsesi kalojnë nëpër një udhëtim emocional, si në shqyrtesën tjetër “Si lind një film”, Shanaj na ka afruar më shumë me botën e kinemasë dhe momentin ku fillon magjia e aktorit. Në këtë pjesë të librit, natyrshëm nuk shmang kontekstin e njohjes dhe përvojës së kinemasë botërore, aktorëve, regjisorëve, temave dhe profileve të përbotshme që ajo ka krijuar, e që në një formë apo tjetër kishin dhe ndikimin e tyre tek ai dhe kinemaja shqiptare.
Plot 57 profile, emra të njohur, prima aktorë dhe aktorë të roleve të dyta apo dhe më poshtë, poetë, skenaristë, operatorë, kameramanë, mjeshtër të kolonës zanore, shkrimtarë, mbushin 209 faqet e librit “Të fshehta jashtë ekranit” të Mevlan Shanajt. Mendoj se nuk ka qenë kaq vështirë për Shanajn të sjellë në kujtesë dhe të shfaqë “rinjohjen” përmes një libri të kaq personazheve të shquar të kinemasë dhe kulturës, të dijes dhe rolit në film, të cilit i duhet të përzgjedhë një “kampion” mes “kampionëve”, një yll mes yjeve. Emra të tillë si: Marie Kraja, Sandër Prosi, Pandi Raidhi, Naim Frashëri, Ndrekë Luca, Tano Banushi, Stavri Shkurti, Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Drita Agolli, Xhanfize Keko, Pirro Mani, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Ilia Terpini, Vaçe Zela, Çifti Luarasi, Rikard Ljarja, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Kujtim Laro, Bujar Lako, Pali Kuke, Timo Flloko, Kujtim Çashku, Shpëtim Gina, Gazmend Leka, Kastriot Çaushi, Rajmonda Bulku, Përparim Kabo, Llazi Serbo, Muharrem Fejzo dhe të tjerë. Nga 57 personazhet e përfshirë në libër, ata nuk janë vetëm emra, por të vendosur në kohë, të kuptuar dhe “lexuar” në kohë, të kuptuar në simbolikën e ndërtimit të një “godine” të shenjtë të artit, kinemasë dhe kulturës shqiptare, ata ngjajnë me gurët e çmuar me të cilët është ndërtuar ajo godinë, ku natyrisht secili prej tyre ka vendin e tij, peshën dhe rëndësinë e tij.
Duke e kuptuar kështu këtë plejadë të rëndësishme të artit dhe filmit, të duket se arti skenik nuk kuptohet dot pa Kadri Roshin apo Naim Frashërin, Tinka Kurtin e Margarita Xhepën, siç filmi shqiptar nuk kuptohet dot pa Sandër Prosin, Pandi Raidhin, Pirro Manin, Ndrekë Lucën, Sulejman Pitarkën, Bujar Lakon, Kastriot Çaushin, Rikard Ljarjën, Robert Ndrenikën, Roza Anagnostin, Llazi Serbon apo Timo Fllokon, ashtu siç nuk kuptohen filmat e shumtë shqiptarë pa regjisorë dhe skenaristë si: Natasha Lakon, Teodor Laçon, Xhanfize Kekon, Viktor Gjikën, Mihal Luarasin, Pali Kuken, Kujtim Çashkun, Shpëtim Ginën, Betim Muço, Muharrem Fejzo, Nasi Lerën, po ashtu pa kamerën dhe kolonat zanore dhe kompozimet që nga Ilia Terpini, Vaçe Zela, Marie Kraja, Gazmend Leka, Stefan Gajo, Kujtim Laro, qoftë dhe humori i Tano Banushit, Robert Ndrenikës, Kadri Roshit dhe të tjerë.
Në gjithë epokën që këta personazhe dhe personalitete shpërfaqen njëherësh, Mevlan Shanaj sjellë episode jetësore, jetëshkrime, role, përmbajtje dhe refleksione kohore, bashkëpunime, vlerësime, “vese” dhe “dobësi”, raste, premiera, sheshe xhirimi, dilema, shtegtime, stinë dhe vende të ndryshme nëpër gjithë Shqipërinë, duke krijuar mozaikun e një enciklopedie karakteresh. 57 profilet që “blerojnë” librin “Të fshehta jashtë ekranit” janë një enciklopedi e mrekullueshme e kësaj fushe, duke qenë njëherësh kujtesa, historia dhe vlera e saj.
Mevlan Shanaj ka “themeluar” një model të shkëlqyer, duke i treguar dijes së filmit dhe kinemasë, medias, publicistikës, kritikës së artit dhe kinemasë, historisë së artit, kinemasë dhe kulturës, se kinemaja mund të sillet dhe në këtë mënyrë, pasi profilet e shumë- fushave të artit dhe kinemasë që vijnë në këtë libër janë ndërtuar mjeshtërisht, që nënkupton atë parimin e rëndësishëm, i njohur si “parimi i ajsbergut”, se pjesa që duket, është po aq e madhe, ndoshta më shumë pjesa që nuk duket. Kapitullin në fjalë e përshkon një ndjenjë e mrekullueshme njerëzore, një kujtesë e larmishme, ku shfaqen njerëzit që sapo kanë hequr “maskën” e rolit në film, teatër apo në skenë.
Përveç asaj që quhet dije për kinemanë, aktoralitetin dhe elementët e tjerë që në libër autori ia ka afruar lexuesit në kreun e parë “Arti i kinemasë”, Mevlan Shanaj nuk ndjehet rehat pa treguar, ashtu siç mund të tregojë ai, momente, perceptime, gjendje, rrethana, refleksione, një kapitull të librit të titulluar “Meditime, reflektime dhe kujtime”, që siç kuptohet.
Nëse tek kapitulli i parë flet dhe shkruan aktori, regjisori, profesori i artit, në këtë kapitull shfaqet njeriu. Dhe njeriu në art përbën pjesë më të thellë dhe më komunikuese, ajo pjesa universale që e ka mbajtur artin dhe librin të gjallë dhe komunikues, që kur ai lindi për herë të parë në antikitet. Në libër ka një lloj perceptimi, që natyrisht lidhet me kinemanë, filmin dhe njerëzit e filmit dhe të kinemasë: Shanaj të takon me njerëz dhe ngjarje, momente dhe raste, sikur gjithçka ka ndodhur dje apo ndodh aktualisht, jo vetëm për shkakun e detajeve, por edhe të një ngrohtësie, të një lloj “arome taze” që mbartin përjetimet e tij, duke mëtuar t’i japë kinemasë dhe njeriut të filmit, d.m.th. aktorit, një ndjesi dhe gjallesë të përjetshme, siç është arti në përgjithësi. Kjo lidhet me një mjeshtëri rrëfimesh dhe gjetjes të mrekullueshme, të cilat ai i nxjerr nga gjendjet e tij shpirtërore dhe pse kanë ndodhur dhe para gjashtëdhjetë vite më parë.
Kapitulli në fjalë e ka zgjeruar librin, e ka bërë atë një libër më vete, pasi në të lëviz njeriu në marrëdhëniet njerëzore, në përditësinë e tij. Me këtë rast, Shanaj gjen rastin të shkëmbejë ide dhe të krijojë një shtresë tjetër të komunikimit. Shënimi “Meditim, reflektim apo konstatim” ka një përzierje të disa lloje emocionesh dhe një raporti social, duke reflektuar kujdesin dhe arsyetimin mbi disa medie dhe TV private, që u shfaqën në Shqipëri pas viteve ’90, duke mbartur një shqetësim intelektual të një njeriu që e njeh mjaft mirë fuqinë e një medie të tillë. Nuk mungon një nga gjërat më të rëndësishme, që një ditë shfaqet dhe troket në jetën e njeriut, krijimi i familjes, dilema e madhe që e shoqëron një njeri, që Shanaj e shënon me një kujdes të veçantë në shënimin “Mëdyshja si në jetë, edhe në krijimtari nuk na shqitet”.
Raportin me gjërat fondamentale, apo kapitale dhe të pashkëmbyera me asgjë, ai me atdheun përbën thelbin e shënimit “Meditim në mesnatë”, malli për Shqipërinë është një gjendje e brendshme e tij dhe kur ai ka shkuar në Amerikë, ashtu siç shfaqet ajo lidhja e fortë me njerëzit, dhe kur nuk është në skenë dhe në film, por puna në TV është një mundësi për të njohur njerëz nga gjithë vendi. Këtë tregon shënimi “Cimbisje nga puna në TV”. Aktorë dhe personazhe publike, si: Sandër Prosi, Kadri Roshi, Pirro Mani, Pandi Raidhi, Vangjush Furxhi, Bexhet Nelku, Vangjo Grabocka, Dhimitër Trajçe, Yllka Mujo dhe Ilia Terpini dhe Kujtim Laro, përveç kujtesës dhe hapit të parë në kinema, shënimi “Në pritje të viteve si dikur’”, Mevlan Shanaj përdor një sintagmë të mrekullueshme “në pritje” që do të thotë, se ai raport, ajo lidhje e fortë dhe pse janë mbi 50 vite të shkuara ende vazhdon. T’i duash njerëzit është dhuratë hyjnore, që nuk e ka kushdo, siç e ka Shanaj.
Shënime të tjera si “Grimca jete”, “Adoleshenca”, “Porosia e nënës” dhe ndonjë tjetër, janë sentimente të thella, janë copëza dashurie dhe përjetime që të mësojnë si është “ndërtuar” shpirti i fëmijës dhe aktorit nëpër filtrin e kohës dhe të jetës, pjesa më e rëndësishme e të cilave është ajo që ne njohim në profilin e aktorit, regjisorit, kineastët dhe krijuesit Mevlan Shanaj.
Libri “Të fshehta jashtë ekranit” është shkruar thjeshtë, herë si një rrëfim, herë si meditim dhe herë si dije e rëndësishme mbi filmin dhe njeriun e filmit.
Tiranë-Vlorë, mars 2026.