Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: NËSE ENDE HEZITOJ

Më ka qëlluar rasti këto ditë të flas për protestën me njerëz të ndryshëm. Madje kam takuar e folur edhe miq të mitë që janë munduar t’i vënë një emër hezitimit të tyre. Ndonjëherë edhe të justifikuar. I imagjinoj si rehatohen darkave në divanin e shtëpisë, me njërën dorë tek kokoshkat dhe tjetrën tek telekomanda, me njërin sy tek botërori dhe me tjetrën tek protesta. Nuk dua të përmend asnjërin me emër, më pak se u mbetet hatri dhe më shumë se mund të më akuzojë qeveria se u paskam ulur “yjet” e intelektualitetit të tyre.

Ekziston një çast kur njeriu duhet të vendosë nëse do të numërojë pafund arsyet e hezitimit, apo do të gjejë një arsye të vetme për t’u bërë pjesë e protestës. Meqë pretendoj të kem edhe unë ndonjë yll si intelektual, po marr veten si shembull. Vendosa të ndërtoj një pyetësor me 10 pika, ku pas 9 pyetjeve të para vura një “por”, ndërsa pas pyetjes së 10 një “sepse”.

Pyetja e parë: A ka në protestë njerëz që nuk më pëlqejnë?

Përgjigje: Po, por… protestat nuk bëhen kurrë vetëm me njerëzit që na pëlqejnë. Askush nuk hyn në shesh me duar krejtësisht të pastra dhe me ndërgjegje krejtësisht të qetë. Për më tepër a kam unë të drejtë t’u kërkoj të tjerëve një certifikatë pastërtie për t’u bashkuar me ta? Nëse protesta do të më kërkonte mua një certifikatë të tillë, nuk jam i sigurt se do ta merrja. Jam po aq i papërsosur sa të tjerët.

Kam heshtjet e mia. Kam kompromiset e mia. Kam ditët kur kam parë padrejtësinë dhe kam kaluar në anën tjetër të rrugës. Kam momentet kur kam menduar se dikush tjetër do të bëjë atë që unë nuk bëra.

Në fund të fundit, sheshet nuk mbushen nga engjëjt dhe protestat nuk mund të jenë darka mes miqsh.

Pyetja e dytë: A ka aty parulla provokuese apo të papërshtatshme, që nuk do desha t’i dëgjoj?

Përgjigje: Po, por është ora kur duhet të bëjmë atë që bëri Odiseu: të mbyllim veshët përballë sirenave joshëse, por të rrezikshme të dyshimit, të cinizmit dhe të përçarjes. Edhe Odiseu nuk e mohoi ekzistencën e sirenave, por vendosi të mos lejonte që ato ta largonin nga rruga.

Dhe meqë paralelja më Odiseun më rri shumë larg, mund të sigurojë veten se askush nuk kërkoi që unë të dirigjoj zërat apo të nënshkruaj pankartat e protestës.

Pyetja e tretë: A është e vërtetë se protesta po përdoret politikisht?

Përgjigje: Po, por edhe mospjesëmarrja po përdoret nga pushteti për të thënë se gjithçka është në rregull. Edhe heshtja po përdoret, sepse qeveria nuk kanë frikë nga njerëzit që ankohen në heshtje.

Edhe mungesa e njerëzve në shesh interpretohet. Edhe boshllëku ka gjuhën e tij.

Pyetja e katërt: A është e vërtetë se kjo protestë mund të mos ndryshojë asgjë?

Po, por shumë gjëra nuk kanë ndryshuar pikërisht sepse shumë njerëz kanë menduar kështu.

I mendoj protestat si dallgët e detit. Herë tërhiqen, herë mësyjnë sterenë me forcë. Kush i sheh vetëm në çastin e tërheqjes, mendon se deti është dorëzuar. Kush ka durim, e di se ai vetëm po merr frymë.

Nesër, kur dallga të tërhiqet dhe sheshi të zbrazet, secili do t’i bëjë vetes vetëm një pyetje: Kur erdhi koha për të qenë i pranishëm, ku isha unë?

Pyetja e pestë: A është e vërtetë se kam parë të dështojnë shumë protesta të tjera?

Përgjigje: Po, por historia nuk regjistron vetëm dështimet. Ajo mban mend edhe këmbënguljen që i parapriu çdo ndryshimi. Është mirë që të përdor aritmetikën e të thjeshtë të ndryshimit: nga larg duket se një njeri nuk ndryshon asgjë; nga afër, çdo turmë përbëhet pikërisht nga ata “njësha” që menduan se nuk kishin rëndësi. Pse të mos jem unë ai “njëshi” i tepërt, pa të cilin turma do të ishte një më pak?

Historia nuk pyet kurrë pse nuk shkove. Ajo thjesht shënon se nuk ishe aty.

Pyetja e gjashtë: A është e vërtetë se nuk dua të identifikohem me të gjithë ata që janë aty?

Përgjigje: Po, por askush nuk më kërkon të bëhem si ata. Më kërkohet të jem vetvetja pranë tyre. Të ndjek rrugën time.

Paradoksi është se demokracia nuk ndërtohet nga njerëz që mendojnë njësoj. Ajo ndërtohet nga njerëz që pranojnë të ecin për pak kohë në të njëjtin drejtim, edhe pse nesër do të ndahen përsëri.

As Odiseu nuk i zgjodhi detarët e tij një e nga një, por anija duhej të kalonte, le të thotë ai që e mendon veten pak Odise.

Itaka ka vlerë, do të thosha unë.

Pyetja e shtatë: A është e vërtetë se ka njerëz më të përshtatshëm se unë për të qenë në protestë?

Përgjigje: Po, por çdo njeri që mendon kështu ia lë barrën dikujt tjetër, derisa në fund mbeten vetëm disa që nuk e menduan këtë.

Pyetja e tetë: A është e vërtetë se një njeri më shumë apo më pak nuk bën ndonjë ndryshim?

Përgjigje: Po, por çdo turmë e madhe përbëhet pikërisht nga ata njerëz që menduan se nuk kishin rëndësi. Ndryshimi nuk bëhet nga turmat që u shfaqën papritur. Ai është bërë nga njerëzit që menduan se prania e tyre, sado e vogël, kishte rëndësi.

Çdo protestë e madhe ka nisur gjithmonë me një njeri më shumë se një ditë më parë.

Pyetja e nëntë: A është e vërtetë se jam lodhur duke shpresuar?

Përgjigje: Po, por lodhja nuk është arsye për t’u dorëzuar. Është arsyeja që të gjitha dyshimet e mia të bëhen më të vogla. Sepse protestat janë si dallgët e detit. Herë tërhiqen, herë përplasen me forcë mbi breg. Kush i sheh vetëm në çastin e tërheqjes, mendon se deti është dorëzuar. Por deti nuk dorëzohet. Ai vetëm merr frymë.

Le të jetë lodhja prova se ke pritur gjatë për një ndryshim.

Pyetja e dhjetë: A duhet t’i jap fund hezitimit tim?

Po, sepse sot protesta mund të jetë kundër një qeverie, nesër kundër një tjetre, sot mund të protestojë e majta, nesër e djathta, pasnesër dikush që nuk voton fare. Ajo që duhet të mbetet e pandryshueshme është bindja askush nuk duhet të jetë spektator i pushtetit.

Sepse protesta nuk u përket vetëm atyre që janë në shesh. U përket edhe atyre që hezitojnë.