Afrim Krasniqi: Kriza e ambasadave, Shqipëria në 1990
Afrim Krasniqi… Korrik 1990. Rreth 5 mijë, shumica të rinj, u larguan nga vendi përmes ambasadave. Ishte kriza më e madhe e sistemit komunist në më shumë se katër dekada. Shqipëria konsiderohej “domino“ e fundit në Europën Lindore dhe procesi ndodhi 11 muaj pas hyrjes në ambasada në Pragë dhe rreth 9 muaj pas rënies së Murit të Berlinit. Të vonuar në etapat historike. Më parë, atëherë dhe tani.
Pas largimit pushteti organizoi një miting të detyruar në Tiranë dhe ashpërsoi tonet, duke i etiketuar qytetarët në ambasada si huliganë, vagabondë, armiq të vendit dhe pjesë e skenarit të shërbimeve sekrete armike ndaj Shqipërisë. Një retorikë denigruese ndaj qytetarëve dhe alibi për mbajtjen e pushtetit që përsëritet sa herë pushtetet represive dhe të paafta ndodhen në vështirësi. Më parë, atëherë dhe tani.
Elitat e emëruara të kohës, të cilat vizitonin rregullisht edhe Parisin apo Romën, përfshirë këta të dy që kemi sot në krye, ishin kundër atyre të hynë në ambasada, heshtën për ta dhe për më tepër, gjatë tranzicionit bënë përpjekje periodike për injorimin e ngjarjes dhe protagonistëve të tyre. Si mund të quanin arritje historike diçka ku ata vetë ishin në anën e kundërt të historisë? Një sjellje tipike pragmatizmi ndaj pushteteve dhe privilegjeve si produkt emërimi prej tyre. Më parë, atëherë dhe tani.
Korriku tregoi një Shqipëri tjetër, të shtypur dhe të varfër, të kontrolluar dhe në kufijtë e mbijetesës, duke nxjerr në pah, sipas NYT, propagandën boshe dhe imazhin fake të reformave demokratizuese që artikulonte në fjalime publike udhëheqja e kohës. Një kontrast i dukshëm midis Shqipërisë reale dhe asaj virtuale të vizatuar nga pushteti i kohës. Më parë, atëherë dhe tani.
Kur lexon fjalimet në Byro, në Plenum, në mbledhje partie, në organizatat e masave, në mbledhje fronti, etj, relacione të institucioneve, peticione, etj, të gjithë flinin për rrezikun ndaj sovranitetit të vendit, pavarësisë dhe interesave kombëtare. Sipas tyre, ato ishin të siguruara vetëm me PPSH, Byronë dhe ata që drejtonin, gjithçka tjetër ishte fatale për shtetin e shoqërinë. Një sjellje tipike e regjimeve që njësojnë veten me shtetin dhe Shqipërinë dhe që kështu, me fatin personal lidhin e marrin peng fatin e vendit dhe të ardhmen e tij. Më parë, atëherë dhe tani.
Çfarë mbetet nga korriku ’90? Historia ka imponuar hierarki: “refugjatët” identifikohen si pjesë e rëndësishme dhe pozitive e historisë së Shqipërisë, regjimi i kohës dhe mbështetësit e tij, si pjesë negative në historinë e Shqipërisë. Një kujtesë e rëndësishme kjo, për ata që edhe dje, edhe sot gabimisht mendojnë se përmes vulës, postit, militantëve mbështetës, imazhit propagandistik dhe presionit/shantazhit mund të blejnë të ardhmen, trashëgiminë dhe sidomos të vërtetat historike.
Me fat që kisha mundësinë që dosjen e plotë të korrikut 1990 ta studioj dhe ta analizoj në detaje në një monografi shkencore. Rolin e pushtetit, rolin e shoqërisë, rolin e Sigurimit, rolin e institucioneve, rolin e ambasadave dhe shteteve, ndikimet dhe trashëgimia, gjithçka në një libër të lexueshëm dhe të referueshëm për ata që ende kanë interes për historinë, demitizimin, të vërtetat dhe përmes tyre, për të kuptuar më mirë Shqipërinë e vitit 1990 dhe atë që erdhi pas saj.