Mevlan Shanaj: Kur tragjikomedia bëhet mënyrë administrimi
“O milet, dëgjoni e mbani vesh!” – thërriste Birçe Hasko në filmin ikonik Koncert në vitin 1936.
Sa aktual tingëllon sot ajo thirrje!
Pas 13 vjetësh, më në fund organizohet Festivali i Filmit Shqiptar. Duhej të ishte një festë për kinemanë tonë. Por festa nisi me një paradoks që të lë pa fjalë.
Pas trembëdhjetë vitesh mungesë, nën drejtimin e po asaj mendësie që ka çmontuar me durim institucionet e filmit, arrijmë në një “arritje” të re: i njëjti regjisor konkurron me më shumë se një film në të njëjtin festival.
Ç’është kjo? Festival apo kampionat privat?
Në cilin festival serioz ndërkombëtar ndodh një gjë e tillë? Ku janë rregullat? Ku është etika e konkurrimit? Ku është respekti për autorët e tjerë dhe për vetë publikun?
Kjo nuk është shenjë force e kinemasë shqiptare. Është shenjë e mungesës së rregullave. Kur mungojnë standardet, çdo absurditet paraqitet si normalitet.
Mos e ktheni kinemanë shqiptare në atmosferën groteske të filmit “Koncert në vitin 1936”. Atje humori ishte art. Këtu tragjikomedia është bërë mënyrë administrimi.
Prandaj, edhe një herë:
“O milet, dëgjoni e mbani vesh”!