Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Gjenerata Z’, poezia “eskatologjike” e Kastriot Fetahut

Kastriot Fetahu, poet dhe mendimtar me banim në Boston, dallohet për shpirtin krijues përmes apologjetikës së të resë, nëpërmjet dallimit të autentikes nga joautentikja, dhe së qëndrueshmes nga jo e qëndrueshmja. Një shprehje e spikatur ndaj këtyre përmallimeve, një ulërimë ngjethëse për çrregullimet e kohës, është dhe poezia “Gjenerata Z”, e sapopublikuar në rrjetet sociale. Këtu shpirti krijues takohet me shpirtin e personalizmit. Vargjet:

Një ditë plakja mbërriti pa rrëfime,

një baba grotesk më shumë,

ndërsa jeta nuk kishte ardhur akoma …

mund të konsiderohen si zhvlerësim i vetëdijes bashkëkohore, ku nuk hyjnë fare teknikat intelektuale dhe ku kriteret e përbashkëta për një shoqëri të tërë dhe për një spiritualitet të tërë janë zhdukur, për t’i lënë vendin konvencionalizmit dhe modës. Së fundi çdo kulturë është transhedencë dhe kapërcim. Poeti, duket sikur i fryn trombës së apokalipsit, por, në të vërtetë, nuk e ngatërron universalen me tërësinë statike, pavarësisht prirjeve për ta kufizuar jetën te konvencioni, ndërsa të rinjtë janë gjithmonë burim i madh i përtëritjes kulturore.

Në rrafshin krijues, poezia është një sfidë e hapur ndaj qytetërimit tonë libresk, me mijëra shqetësime e shtrëngesa, sa nuk duron të mbahet për kapistalli nga askush.

Personat e Gjeneratës Z’ nxiten, me një grishje në mjediset natyrore të formimit të tyre, në rrugët e hapura të njerëzimit. Tërthorazi poezia është një manifest i vetvetishëm që çpersonalizon kohën në disa rrafshe, duke e thjeshtuar tek një sovranitet të lirive individuale. Në këtë kuptim ndjenja e lirisë dhe realiteti çlirohen nga çdo a priori doktrinore, mjaft që t’i mbetemi besnikë realitetit dhe shpirtit vetjak.

“Përsëri nuk kishte asnjë plan,

por vetëm një skicë dhe një llambë ekonomike, reserve”, shprehet poeti.

Mos vallë me këto vargje, në dukje “eskatologjike”, komprometohet kuptimi i vijimësisë historike dhe nuk ekziston, vetvetiu, një rrugë që të çon në një zgjidhje, apo nuk pranohet asnjë përpjekje drejt përparimit?

“Dëshironte jetën në një ishull

pa stinën e verës.

Shtëpia dukej e bukur në dimër,

frymëzuese, idilike, e qetë, mistike”,

janë disa nga vargjet pararendëse, ku mbretëron mistifikimi dhe idilizmi, kredhja në dehjen e një jete të vetmuar, për t’u kthyer te miti i aventurës, duke sfiduar pengesën, rregullin, zakonin, përkundër mërzisë dhe dëshpërimit, për të pohuar një ekzistencë, që as harbimi nuk arrin ta shquajë. Njëlloj prirjeje ekzistencializmi, me një koktejl lirizmi dhe romantizmi, që është tundimi i shumë të rinjve të Gjeneratës Z’.

Ka kohë që në krijimtarinë e Fetahut, tej harmonisë psikologjike, ndihen krizat shprtërore të shoqërisë, loja e ideve, si një arkitekturë mjeshtërore, për të maskuar ankthin tonë, që përparon në terrenin e boshatisur të mediokritetit të kënaqur, si shprehje moderne e hiçit njerëzor, në rrugët dhe harmonitë e fantazuara nga ne.

GJENERATA Z’

Nuk e kishte parë asnjëherë “Hotel Ruanda”,

as kishte ëndërruar karrigen me rrota.

Shkrinte djathin në tigan

dhe nuk harronte përkujtimoret.

Fliste për fregatat në det

dhe krijonte atlas biologjik me gjurmët e zogjve.

Shkonte në festa,

po nuk këndonte këngë të huaja dhe as bolero.

Nuk kishte asnjë plan për këtë.

Dëshironte jetën në një ishull

pa stinën e verës.

Shtëpia dukej e bukur në dimër,

frymëzuese, idilike, e qetë, mistike.

Pandoflat me një rrip të këputur

shpesh bllokonin zinxhirin e biçikletës së vjetër.

Përsëri nuk kishte asnjë plan,

por vetëm një skicë dhe një llambë ekonomike, rezervë.

Blinte tre gazeta në ditë,

ndërkohë në librat e Dostojevskit

përplaste fjalët me frikën e natës.

Me shokun e fundit u grind

pse peshqit në akuarium nuk jetojnë gjatë.

Një ditë plakja mbërriti pa rrëfime,

një baba grotesk më shumë,

ndërsa jeta nuk kishte ardhur akoma…