Lutfi Dervishi: Doli shkresa, iku besa!
Por bota rrotullohet. Dhe ja ku u kthye sërish.
Ironia është se Besa lindi si institucion në një kohë kur mungonte shteti. Kanuni e ndërtoi atë si mekanizëm për të garantuar rendin, sigurinë dhe zgjidhjen e konflikteve aty ku nuk kishte Kushtetutë, gjykata apo institucione shtetërore.
Me “Besën”, tashmë duket sikur historia bën një rreth të plotë. Hyn në fuqi Kanuni i Lekë Dukagjinit. Kushtetuta kalon në pension, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) del jashtë loje, ndërsa Komisioni i Venedikut mbetet pa punë.
Por në Kanunin e Lekë Dukagjinit, besa nuk është një slogan. Ajo ka të paktën tre kuptime juridike dhe shoqërore: është armëpushim ose garanci sigurie midis familjeve në hasmëri; është fjala e dhënë, me fuqi detyruese morale dhe juridike, pra premtimi që duhet mbajtur; dhe është një institucion pajtimi, që krijon një periudhë paqeje për t’i hapur rrugë ndërmjetësimit.
Madje Kanuni bën edhe dallimin mes Besës së Vogël dhe Besës së Madhe. Besa e Vogël jepet për një kohë të kufizuar, zakonisht për t’i hapur rrugë bisedimeve ose për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Besa e Madhe është një garanci më e gjerë, e dhënë nga katundi ose nga pleqësia, që vendos paqe të përkohshme mes palëve. Edhe ajo, megjithatë, nuk është e pafundme. Kur Besa jepet nga katundi, Kanuni parashikon një afat prej 30 ditësh.
Mbetet vetëm të sqarohet një dilemë: kjo “Besa” e re është Besë e Vogël, Besë e Madhe, apo një kategori e re që do t’i shtohet botimit të ardhshëm të Kanunit?