Albspirit

Media/News/Publishing

Taulant Muka: Më jepni një ditë mikrofonin dhe do shihni intelektualët!

Shpesh dëgjoj pyetjen: “Pse nuk ka intelektualë te mikrofoni i protestës”? Është një konstatim që, në pamje të parë, duket i drejtë. Por pyetja e vërtetë është tjetër: “A krijon ajo tribunë hapësirë për intelektualët”?

Që intelektualët të jenë pranë mikrofonit, duhet që edhe ata që e menaxhojnë atë të ndërtojnë një mjedis ku argumenti, kultura e debatit dhe mendimi kritik të kenë vlerë. Shqipëria, pavarësisht se vuan nga një brain drain i theksuar që ka krijuar boshllëqe të mëdha në jetën akademike dhe publike, nuk është pa intelektualë. Problemi është se shumë prej tyre nuk e shohin atë hapësirë si një vend ku mund të kontribuojnë.

Intelektuali nuk e ka të lehtë të flasë aty ku zëri i tij barazohet me atë të njeriut që bërtet më fort, me pseudo-revolucionarin që ushqehet me retorikë boshe, apo edhe me individë me të kaluar problematike që promovohen si heronj të momentit. Kur standardi i debatit bie, largohet pikërisht ai që ka më shumë për të thënë.

Sa herë marr pjesë në protesta – edhe dje – takoj njerëz shumë të arsimuar, me karriera të respektuara në akademi, në profesionet e tyre dhe në jetën publike. Ata janë aty, por nuk dalin në tribunë. Arsyet i dimë. Shumë prej tyre shmangin edhe mediat, sepse shpesh ndryshimi mes mikrofonit të protestës dhe atij të studios televizive është vetëm vendndodhja, jo cilësia e debatit.

Sigurisht që kemi plot pseudo-intelektualë. Por ata nuk kanë lindur rastësisht; janë produkt i mënyrës se si është ndërtuar hapësira publike gjatë këtyre tre dekadave e gjysmë. Sistemi politik ka prodhuar një model ku “intelektual” nuk quhet domosdoshmërisht ai që ka studiuar, ka kërkuar shkencërisht, ka botuar apo ka ndërtuar një karrierë me punë e meritë. Shpesh, intelektual është quajtur ai që i shërben narrativës së partisë, ai që duartrokitet nga pushteti apo opozita, ai që është gjithmonë i gatshëm të legjitimojë politikën e ditës. Kështu, meritokracia është zëvendësuar nga besnikëria, ndërsa autoriteti intelektual nga ekspozimi mediatik.

Mjafton të shohësh universitetet. Në çdo departament duhet të kishte zëra të fortë që të kontribuonin në debatin publik. Potenciali ekziston. Megjithatë, për vite me radhë, karriera akademike është ndikuar më shumë nga lidhjet politike sesa nga merita. Kur një pjesë e universitetit mbushet me militantizëm partiak, është e vështirë të presësh që ai të prodhojë autoritet moral dhe intelektual për shoqërinë. Universiteti duhet të jetë institucioni që sfidon pushtetin me argumente, jo ai që i përshtatet atij për interesa momentale.

Ky banalizim vazhdon çdo ditë edhe në media. Nuk është çështja te një person i vetëm, është te fenomeni. Problemi është modeli që po ndërtohet: promovimi i figurës përpara përmbajtjes, i marketingut përpara meritës dhe i zhurmës përpara dijes. Në një mjedis të tillë, intelektuali serioz nuk mund të konkurrojë me spektaklin, sepse nuk është ky roli i tij.

Edhe kur ke dëshirë të flasësh, shpesh nuk gjen një hapësirë ku mendimi të dëgjohet me seriozitet. E nëse e gjen, nuk ndihesh rehat të kontribuosh në një ambient të banalizuar. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz me formim të mirë, me integritet dhe me kontribute reale zgjedhin të heshtin ose të qëndrojnë larg.

Prandaj, ndoshta nuk duhet të pyesim pse nuk ka intelektualë te mikrofoni. Duhet të pyesim pse mikrofoni nuk është bërë ende një vend ku ata ndihen të mirëpritur.

Më jepni një ditë mikrofonin. Jo mua si individ, por njerëzve që kanë ndërtuar jetën mbi dijen, kërkimin, punën dhe integritetin. Atëherë do të shihni se intelektualët nuk mungojnë. Ata thjesht kanë zgjedhur të heshtin, sepse prej vitesh zhurma është shpërblyer më shumë se argumenti. Dhe derisa të ndryshojë kjo logjikë, nuk do të mungojnë intelektualët — do të mungojë vetëm hapësira që i respekton ata.