Veledin Durmishi: Baladë për një re
Shpirtbutë sa një re
E hollë sa një ëndërr,
Kjo mbrëmje kadife
Magji më bën në zemër.
Si pelë e harbuar
Vrapon një re.
Pas një ylli tërbuar,
Pa turp e pa fre.
Te mali i Parnasit,
Muzat ku rrinë,
Me kalin e Pegasit
hipur venë e vinë.
E vogël ajo re
Sa gëzimi im.
Kalëron gjith’ hare
Dehur, ngazëllim.
Manare pas hënës
Varg e varg ca re.
Si gjumi pas ëndrrës
Natën kur fle.
Një re te sytë,
Shpirti i trazuar.
Kur fiket një dritë
Një shpirt i helmuar.
Mos e prish atë re
Iu luta qiellit.
Një imazh kam atje
Larë me dritë dielli.
Imazhi i një vajze
Aty më shfaqet mua.
Vellua valle-valle
Aty u ylberua.
Kur reja tërë dhele
Qiellin blu vozit,
Bjondja kaçurrele
Ëndrrat m’i prushit.
Prilli në lëndina
Më jep lule plot.
Vjeshta ndër violina
Dogji këtë mot.
Varur në sup mali
Po dremit një re.
Sa të vijë behari
Vjosës shkon e fle.
Kal balade një re
Më erdhi një çast.
I harlisur, pa fre
Ç’yll e ndjek pas?
Si hero beteje
Kostandini kalëron.
Mbi një kalë reje
Doruntinën kërkon.
Zefiri i pranverës
Kur borën e shkrin
Qumështore pas derës
Të sjell në agim.
Ç’pluhur meteori
E përndrit një re?
Natës kush e mori
Që me të të fle?
Ndonjë yll i bukur
Marrosur pas saj
Re e paputhur
Si lule më maj.
Një re e bardhë
Si varka me vela
Vozit valë-valë
Dehur nga pranvera.
Shtëllunga-shtëllunga
Ca re puplore.
Hidhen kotollumba,
Me hënën përdore.
Krahët e një reje
Hapur mal më mal.
Flakë e një rrufeje
Ndizet gur e strall.
Vjen një re e zezë
Mbarsur plot me shi.
Vetëtima ndez
Grykës në veri.
Zogu pendëlarë
Retë shtyn me sqep.
Një copë re të bardhë
Mbaj shami në xhep..
Vallen e Osman Takes
shquaj përmbi re,
Në argjend të natës
Hëna ëndrra sheh.
Një jastëk me re
Mban te koka hëna.
Yllit ç’farë i fsheh
Mbytur nëpër ëndrra?