Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Rexhvelaj: Institucioni i Besës

Për shqiptarët, besa nuk është një fjalë e thjeshtë, por një institucion moral mbi të cilin u ndërtua për shekuj besimi mes njerëzve.
Është një kontratë e pashkruar mes njeriut dhe ndërgjegjes së tij, që i ka mbijetuar pushtimeve, ndryshimeve politike dhe kohës.
Besa është një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit shqiptar, një vlerë që nuk matet me ligje të shkruara, por me peshën e karakterit njerëzor.
Në traditën shqiptare, fjala nuk kishte nevojë për vulë apo firmë,por merrte fuqinë e ligjit në çastin kur jepej.
Njeriu në viset shqiptare nuk është gjykuar nga pasuria, pushteti apo prejardhja, por nga aftësia për ta mbajtur fjalën. Nderi nuk fitohej me atë që thoshe, por me atë që përmbushje.
Kjo filozofi u kodifikua në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur dhe sistemuar nga françeskani At Shtjefën Gjeçovi në fillim të shekullit XX.
Megjithëse Kanuni njihet shpesh për dispozitat mbi gjakmarrjen, ky është një reduktim i padrejtë i një sistemi shumë më të gjerë juridik dhe etik.
Në thelbin e kanunit qëndrojnë rendi, përgjegjësia, mikpritja, barazia para fjalës së dhënë dhe mbi të gjitha besa. Ky ishte mekanizmi që ndërpriste konfliktin, garantonte sigurinë e udhëtarit dhe vendoste paqen për një kohë të caktuar.
Në një shoqëri pa institucione shtetërore të konsoliduara, besa ishte institucioni më i fortë i besimit publik.
Nga këndvështrimi antropologjik, besa përfaqëson atë që studiuesit e quajnë kapitali moral i një komuniteti.
Antropologia britanike Edith Durham, e cila udhëtoi për vite me radhë në trevat shqiptare në fillim të shekullit XX, mbeti e mahnitur nga mënyra se si një fjalë e dhënë kishte fuqi më të madhe se çdo dokument. Ajo përshkruan se një mik që hynte në shtëpinë e shqiptarit fitonte një status të shenjtë dhe se mbrojtja e tij ishte detyrim absolut edhe nëse kjo vinte në rrezik jetën e të zotit të shtëpisë.
Albanologu austriak Johann Georg von Hahn, një nga studiuesit më të rëndësishëm të shekullit XIX, e konsideronte besën si një element themelor të organizimit shoqëror shqiptar. Sipas tij, ajo ishte çelësi që shpjegonte kohezionin e komuniteteve malësore dhe mënyrën se si ato ruanin rendin në mungesë të një administrate shtetërore.
Besa ka gjetur shprehjen e saj më të fuqishme edhe në letërsinë gojore shqiptare. Legjenda e Konstandinit dhe Doruntinës rrëfen se fjala e dhënë është më e fortë se vetë vdekja. Konstandini ngrihet nga varri për të mbajtur besën që i kishte dhënë nënës se do t’ia kthente motrën.
Pavarësisht karakterit legjendar të rrëfimit,aty pasqyron bindjen e rrënjosur në ndërgjegjen shqiptare se nderi nuk përfundon me jetën,se besa i përket shpirtit dhe nuk shuhet as me vdekjen.
Filozofikisht, besa shkon përtej idesë së një premtimi.
Aristoteli e konsideronte virtytin si një zakon të karakterit. Në këtë kuptim, besa nuk është vetëm një premtim i mbajtur, por shprehja e një karakteri të formuar mbi ndershmërinë, përgjegjësinë dhe vetëpërmbajtjen.
Më vonë, filozofi gjerman Immanuel Kant argumentonte se besueshmëria është kusht për ekzistencën e moralit, sepse nëse askush nuk do ta mbante fjalën, vetë ideja e premtimit do të humbiste kuptimin.
Shqiptarët e kishin jetësuar këtë parim shumë kohë përpara se ai të formulohej në filozofinë moderne. Për ta, fjala e dhënë nuk ishte një zgjedhje praktike, por një detyrim etik.
Në kulturën shqiptare, besa lidhet ngushtë edhe me mikpritjen.
Shprehja “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” nuk përfaqëson vetëm bujarinë, por një filozofi të tërë mbi dinjitetin njerëzor. Miku nuk mbrohej sepse ishte mik,por mbrohej sepse ishte njeri. Në këtë kuptim, besa tejkalon kufijtë e kombësisë, fesë dhe interesit personal.
Historia e dëshmoi fuqinë e kësaj vlere gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria ishte një nga vendet e pakta europiane ku numri i hebrenjve pas luftës rezultoi më i madh se para saj.
Familje shqiptare, myslimane, katolike dhe ortodokse, strehuan hebrenj të përndjekur nga regjimi nazist duke rrezikuar jetën e tyre.
Shqiptarët nuk vepruan për përfitim, as për lavdi, por sepse besa u diktonte se njeriu që kishte hyrë në derën e tyre nuk mund të dorëzohej. Ky akt është bërë objekt studimesh ndërkombëtare dhe mbetet një nga dëshmitë më të ndritura të etikës shqiptare në historinë moderne.
Nga perspektiva sociologjike, besa krijonte atë që sot quhet besim shoqëror.
Shoqëritë ndërtohen jo vetëm mbi ligje, por mbi bindjen se njerëzit do t’i respektojnë detyrimet e tyre edhe kur askush nuk i kontrollon.
Pikërisht ky besim është themeli i çdo qytetërimi të qëndrueshëm.
Në kohën tonë, kur kontratat janë të shumta, por fjala shpesh është bërë e brishtë, besa merr një kuptim edhe më të thellë.
Sot, besa nuk kërkon rikthimin pas në kohë, por rikthimin te virtytet që nuk vjetrohen, as nuk dalin nga moda.
Sot kërkohet kthimi tek vlerat e shqiptarit, tek ndershmëria, përgjegjësia, besnikëria dhe respekti për tjetrin.
Besa nuk duhet kosideruar si një relike folklorike, që duhet admiruar vetëm në muze apo në faqet e historisë, as nuk duhet të përdoret si mburojë nga politika dhe politikanët e korruptuar që e kanë dëshmuar ndër vite se janë të pabesë dhe nuk meritojnë besë.
Besa është një kategori morale që flet për cilësinë e karakterit njerëzor dhe u përketë të gjithë aryre që arrin të qëndrojnë në lartësinë e saj.
Sa herë që një njeri mban fjalën e dhënë, ai nuk nderon vetëm veten, por vazhdon traditën shekullore, që e ka bërë shqiptarin të njihet jo vetëm për trimërinë, por edhe për integritetin.
Nëse historia e një kombi shkruhet nga fitoret dhe humbjet e tij, identiteti i tij shkruhet nga vlerat që zgjedh të mos i tradhtojë.
Për shqiptarët, njëra prej këtyre vlerave është besa.
Një komb nuk mbijeton vetëm falë kufijve, ushtrisë apo ekonomisë, por mbijeton sepse ruan vlerat,që e bëjnë të dallueshëm prej të tjerëve.
Për shqiptarët, besa është busulla morale,që lidh të shkuarën me të ardhmen.
Asnjëri nga ne nuk duhet të harrojë se besën e kemi trashëguam nga të parët tanë,ndaj kemi detyrimin ta lëmë të paprekur për bezat, që do të vijnë pas nesh…