Albspirit

Media/News/Publishing

Kozeta Vrenjo: Fluturim mbi Filadelfia

Gjithmonë kur vrapoja pas punëve, atëherë kur vajzat ishin ende të vogla, nuk e di pse më shkonte mendja për keq: po sikur të sëmurem? Po sikur një ditë të kem kancer, a do të mund ta përballoj?

Dhe menjëherë, me një lloj force të pakontrollueshme, më vinte një përgjigje nga brenda:

“Me merr të keqen! Unë jam e fortë. E kam mendjen të fortë. Nuk do ta lejoj kurrë të më përpijë”.

Dhe e mbyllja shpejt atë monolog me veten.

Nuk vonoi shumë. Ndoshta e parandjeva.

Në vitin 2010 u diagnostikova me leucemi mieloide kronike, nga një analizë rutine.

Ishte dita kur provova ndjesinë se isha në prag të vdekjes. Vija rrotull me analizat në dorë dhe vendi ku shkelja më dukej jeshil si bari. Kisha një rëndesë në kraharor dhe më merrej fryma. Një gjendje gjysmë e mpirë.

Në atë gjendje përpiqesha të shmangia përplasjet me vajzat dhe ato e mësuan gradualisht diagnozën.

Kur u takova me mjekun tim, një njeri mbi të gjitha, ai më pyeti:

“A mund të flas me familjarët e tu”?

“Doktor, jam vetëm”, i thashë.

Nuk bëri shumë pyetje. Vetëm më tha me qetësi:

“Ke një sëmundje nga tonat”.

“Kam leucemi”, i thashë.

U habit që e dija.

“Ka mjekim”, shtoi.

M’u mbushën sytë me lot.

“Pse qan? Ke frikë mos vdes”?

“Jo”, i thashë. “Nuk dua të lëndoj vajzat. Kanë nevojë për mua”.

“Vajzat do rriten, do martohen, do bëjnë fëmijë. Koha shëron”, tha.

Më pas shtoi:

“Kur të vish herën tjetër do të të sjell një libër. Është për mënyrën si e përballojnë të sëmurët momentin kur marrin vesh se kanë kancer. E ka përkthyer ime shoqe”.

E falënderova me gjysmë zëri për mirësjellje, por nuk e di pse më acaroi ideja e tij. Nuk e pranoja ende.

Filloi mjekimi.

Mjeku më kishte paralajmëruar se muaji i parë do të ishte i vështirë, derisa trupi të mësohej me ilaçin. Dhe vërtet ishte i tmerrshëm. Ndjeja sikur kockat më thërrmoheshin brenda. Kisha shumë dhimbje.

Ato ditë nuk desha të dija më asgjë për sëmundjen time. Zbatoja me përpikmëri gjithçka që më thoshte mjeku dhe besoja verbërisht tek ai.

Por çdo ditë ndihesha më keq.

Mendoja vdekjen.

Edhe mënyra si më trajtonin njerëzit ishte e rëndë. Keqardhja është ndoshta gjëja që kam urryer më shumë në jetë. Shoqëria jonë, fatkeqësisht, shpesh i sheh të sëmurët ndryshe. Jo më si të barabartë.

Kjo për mua ishte më e rëndë se vetë sëmundja.

Pas një muaji të tërë, e mbyllur në dhomë mes dhimbjeve dhe frikës, mendoja vetëm vajzat. Ato nuk meritonin të më shihnin ashtu.

Dora hynte shpesh në dhomë dhe me zërin që i dridhej pyeste:

“Ma, je më mirë sot”?

Një ditë Ajkuna më solli një tufë të madhe me trëndafila. Në fillim mendova: po ç’i dua lulet? Por kur pashë fytyrën e saj plot shpresë, u preka.

I mora, i vendosa në ujë, e putha dhe i thashë:

“Do shkojë mirë”.

Pas shumë kohësh u pashë në pasqyrë. Isha shndërruar në një njeri të egër. Të ngrysur. Me flokë të pakrehur. Pa jetë.

Hyra menjëherë në dush dhe, para pasqyrës, i bëra vetes një premtim:

“Unë nuk dua të vdes. Unë do jetoj. Nuk jam gati për këtë”.

Dola dhe shkova te parukeria ime.

“Tana, të lutem, m’i prit flokët me baluke dhe m’i lyej të zeza, si të Kleopatrës”.

Ndoshta tek ai personazh shihja forcën.

Më pas u vesha dhe shkova të dëgjoja në Opera koncertin në piano të Dhurata Lazos, kushërirës sime. Vajzat dhe mami u lumturuan që më panë ndryshe.

Që nga ajo ditë nuk kishte më kthim mbrapa.

Iu ngjita jetës, punës, vajzave dhe kujdesit për veten më shumë sesa sëmundjes sime. Kisha një dëshirë të madhe ta harroja. Dhe pjesërisht ia dola.

Ma kujtonte vetëm spitali, sepse çdo muaj duhej të shkoja për ilaçet e rimbursuara nga shteti. Ajo ditë ishte një tmerr më vete: ballafaqimi me të vërtetën, burokracitë, arrogancën dhe mungesën e humanizmit.

Nuk mjafton diploma për të qenë mjek. Duhet të jesh mbi të gjitha njeri.

Mungesa e humanizmit ma hoqi besimin te sistemi. Fatkeqësisht, nuk e pata më gjatë mjekun tim të parë, sepse doli në pension.

Pas dhjetë vitesh mjekim fillova ta ndjej trupin tim të lodhur. Lëkura më ishte mbuluar nga një rash dhe zorra ime ishte rraskapitur nga ilaçi.

Mjeku më kishte thënë që në fillim:

“Kozetë, leucemia me kalimin e viteve dëmton arteriet dhe zemrën. Shumë paciente gra sëmuren prej tyre”.

Dhe unë u bëra e kujdesshme.

Zbulova arteriet karotide të bllokuara. Fillimisht 55 për qind, pastaj 80.

Gjithmonë e kujdesshme me ushqimin, largova nga jeta ime katër të bardhat: sheqerin, miellin, bulmetin dhe kripën. Pa to, jeta ime u përmirësua.

Operova arterien karotide dhe gjatë pandemisë vendosa ta lë ilaçin me mendjen time.

Shumica do ta quajnë injorancë.

Unë e quaj intuitë.

Ia kërkova edhe një mjeku tjetër, por ai tha jo. Atëherë e lashë fshehurazi për dy vjet. Ndihesha shumë mirë. Analiza e kromozonit dilte njësoj.

Megjithatë, një ditë më hyri frika.

Shkova jashtë shtetit te një profesor. Kur i thashë se e kisha lënë ilaçin, më pa i habitur dhe i nevrikosur.

“E di që mund të vdesësh”?

Pastaj, duke parë analizat e mia, më pyeti:

“I bëre vaksinat”?

“Jo”, i thashë.

Ishim të dy me maska dhe shikonim njëri-tjetrin në sy. Nuk e di si i dukesha, derisa gradualisht pashë një lloj ëmbëlsie në shikimin e tij.

“Do ta filloj që nesër”, i thashë me nxitim.

“Jo”, tha. “Prit. Do konsultohem me një mjek tjetër dhe do të të kthej përgjigje me email”.

Dhe përgjigjja ishte:

“Mund të rrish pa mjekim, por me kontroll çdo tre muaj”.

Intuita ime nuk kishte gabuar.

Ajo që na thërret nga brenda kërkon gjithmonë vëmendje.

Përpiqem të flas shpesh me të sëmurë si unë. Kur i shoh, më duken të afërt. Dua t’i lehtësoj sadopak, duke u thënë se kanë më shumë forcë sesa mendojnë.

Para disa ditësh takova Arjanën, një paciente me talasemi. Ishte e frikësuar.

“Kozetë, më duket se jam nga fundi”, më tha te dera e laboratorit.

E mora lehtë për krahu dhe dolëm jashtë.

Arjana është një grua fisnike. Ajo lindi një djalë duke rrezikuar jetën. Kur mjekët i thanë ta hiqte fëmijën, ajo nuk pranoi. E pa djalin të rritej, ta shkollojë, ta martojë dhe të bëhet gjyshe.

Pasi më tregoi historinë e saj, i përsërita fjalët që më pati thënë mjeku im vite më parë.

“Arjanë, ti do të vdesesh”?

“Jo”, tha. “Jo akoma”.

“Atëherë hiqe frikën”.

I thashë se edhe unë, kur u sëmura, mendoja: po 20 vjet, aq thonë zakonisht mjekët, do t’i ha me dhëmbë.

Dhe tani që ato vite po afrohen, them me vete sa budallaqe kam qenë.

Jetën na e ka dhënë Zoti dhe kur të ikim, do të jemi gati.

Ne jemi gra të mbijetuara. Gra të realizuara. Jemi nëna, gjyshe.

Arjanës i shkëlqyen sytë.

“Kozetë, kur do shihemi prapë”?

“Kur të duash ti. Jam gjithmonë këtu”.

Dhe jeta ime sot është kaq e plotë, kaq e bukur. I gëzohem lindjes së diellit, perëndimeve, pyllit, malit, detit, mbesave, vajzave, të afërmve, shoqeve e mikeshave të mia që ma njohin shpirtin.

Besoj te energjia e mirë. E ndjej, e përqafoj, jetoj me të.

Sepse brenda meje kam ende shumë për të dhuruar.

Paqja e shpirtit është ilaçi im.

Me mbesat flas edhe për vdekjen. Ato e kanë ndërtuar ndryshe nga shumica.

Pastaj bëjmë humor.

“Shikoni vajza, fiksojini mirë gjërat që themi e bëjmë bashkë, se mos më harroni surratin, aman”.

“Jo tani, nena”, thotë e vogla. “Prit të rritem edhe pak që t’i mbaj mend më mirë”.

Dhe qeshim pa fund.

Në shtëpi kam një portret të punuar nga Eldoni, një shoku im piktor. Ia kërkova vetë. Kur e mbaroi më tha:

“Kozet, a mund ta përdor për ekspozitën dhe pastaj ta marrësh”?

“Po”, i thashë.

“Duhet t’i vëmë një titull”, tha.

Dhe atëherë, duke menduar për kromozonin tim të çmendur 9;22, që në mjekësi quhet kromozoni Filadelfia, i thashë:

Fluturim mbi Filadelfia.