Sadik Bejko: Triptik për Havzi Nelën
Kukës, më 12 nëntor 2012. Ceremoni përkujtimore për Havzi Nelën. Në fjalën time thashë:
1. Shenjti te balta, te guri, te mali
Kjo përkjutesë për poetin Havzi Nela është mallëngjyese, njëkohësisht është edhe shprehje e detyrimit fisnikërues që ka çdo bashkësi për të përkujtuar bijtë e vet më të mirë, bij, të cilët kanë sjellë shpresë dhe dritë, kur mbi të gjithë ishte vënë pllaka e errësirës.
Një ndër nga këta shpirtra fisnikë është dhe do të mbetet përjetësisht poeti martir, Havzi
Nela.
Janë thënë shumë gjëra të vyera për Havziun. Dhe libra janë shkruar e do të shkruhen për të. Krijimtaria e tij duhet botuar e studiuar.
Ka diçka prej shenjti te ai njeri. Shenjtëri prej një shenjti këtu në tokë, shenjt atje te fshati, atje
te balta, te mali, te arat e bukës; një shenjt që del pikërisht nga ato brazda dheu, nga drurët
dhe nga shkëmbi.
Ky me një zë i fortë i thoshte atij sistemi: “Ti je një sistem hipokrit. Ju që na sundoni jeni gjarpërinj. Ju po kërkoni që dhe ne të bëhemi të tillë: hipokritë. Ju po na dhunoni dhe kërkoni që t’iu themi sa mirë po na e bëni. Ju jeni gjarpërinj”!
Këto thirrje janë dëgjuar e thënë mijëra vjet më parë në Dhiatën e Re, në përballjen e Jezu
Krishtit me farisenjtë.
Me fjalën e tij publike dhe Havzi Nela është përballur hapur me “gjarpërinjtë”. Nuk ishte Krishti, por arketipi është i njëjtë: një njeri thotë të vërteta krejt të ndaluara për kohën, derisa atë njeri e kryqëzojnë, e varin në litar.
Publikisht ai ngrihej dhe u kundërvihej porosive të të dërguarve të sistemit diktatorial, të Partisë. Kjo kërkonte guxim përtej të zakonshmes. Duhet të mos e bëje llogari kokën, nëse
shqiptoje fjalë të tilla.
Havziu e mohoi kokën dhe jetën e tij edhe të familjes. Ai u ka thënë përfaqësuesve të
pushtetit: “Janë tri gjilpëra helmi që ky popull s’i duron dot: Ndërrimi i veshjeve tradicionale,
heqja e fesë dhe kolektivizimi, (futja në kooperativë e fshatrave të zonave malore), janë shumë të rënda për këta banorë, për ne si popull”.
Të gjithë ata përqak Havziut që i pranonin këto gjilpëra helmi, ishin frikacakë, ishin hipokritë.
Havziu bënte të kundërtën e të gjithë të tjerëve dhe këtë mund ta bëjë vërtetë një njeri që
dëgjon brenda vetes zërin e një shenjti, zë që thotë: “Fund hipokrizisë. Mos u tallni me këtë popull. Mos u tallni me veten tuaj, se ju së pari po talleni me veten, me familjet tuaja!
Dëgjojeni si është e vërteta…”.
Domosdo, ai që zgjedh këtë rrugë, ai që kundërvihet ballas me sistemin e dhunës, ai është
një poet, ai është martir.
Dhe ai vdiq në litar, vdiq se diku tjetër besonte, vdiq për atë që besonte.
Havzi Nela sot për sot (më 2012) është një martir pa tempull mbi tokë, veç në e pastë në kujtesën tonë, në ndërgjegjen tonë si shoqëri.
2. Shtëpia e re e Havzi Nelës
Më 10 gusht 2018, në fshatin Kollovoz të Kukësit, në 30-vjetorin e ekzekutimit të tij me varje në litar, u përurua ringritja e shtëpisë së Havzi Nelës. Kishin ardhur vendas, shkrimtarë dhe të tjerë të ftuar nga rrethet, nga Tirana. Me këtë rast, u shtrua një drekë për të pranishmit.
Pllakën përkujtimore të shtëpisë e zbuluan Kryetari Bashkisë së Kukësit dhe studenti Vilson Blloshmi, nipi i poetit Vilson Blloshmi, të pushkatuar më 1977 së bashku me poetin Genc Leka.
Shtëpia u ringrit me shpenzimet e Bashkisë së Kukësit. Reshep Shahu dhe Izet Duraku kishin përgatitur një numur special të revistës “Illz” dhe të librit me tekste të shkrimtarëve për Havzi Nelën.
Në krahë, midis shumë të tjerëve, kisha mikun tim, Prof. Shefqet Hoxhën. Më 1993 bashkë me Pjetër Arbnorin ata të dy erdhën me helikopter këtu në Kollovoz, për të varrosur Hazi Nelën, në vendlindjen e tij.
Edhe sot ishte e vështirë të vije deri në Kollovoz. Njëra nga rrotat e makinës gati puqej
me humnerën.
Kur më dhanë fjalën, falënderova Bashkinë e Kukësit që e bëri Havzi Nelën me çati mbi krye.
E bëtë prapë me shtëpi, të varurin në litar, poetin, të përndjekurin me 20 vjet burg,
malësorin trim, Havzi Nela.
Në mendësinë shqiptare shtëpia është simboli më kryesor i ekzistencës. Edhe sot pyetet: “A ka shtëpi”? Thuhet: “Me shtëpi e katandi, shtëpi e mirë, shtëpi me emër, shtëpi e madhe, shtëpi e nderit, shtëpi bujare, shtëpi ku pihet kafja… shtëpi pushke… shtëpi, e ëmbla shtëpi… shtëpi o bukë e hi, m’u bëftë varri si ti…”.
Aq më tepër një malësor nuk mund të mendohet pa shtëpinë, pa kullën e lashtë që nga
gjyshërit.
Si ia shkulën dhe themelet e shtëpisë Havziut?
Gratë labe e urojnë shoqja-shoqen me fjalët: “Të rruatë binaja”. Domethënë të rrojë shtëpia, që nënkupton të të rrojë i zoti i shtëpisë, burri, rreth të cilit mblidheshin fëmijët, gruaja, toka, gjëja, pasuria e familjes, miqtë, farë e fisi, shoqëria, mysafiri dhe shtegtari.
Shteti i diktaturës kishte një mëri të madhe me shtëpitë e atyre që i quante armiq. I
burgoste, i shpronësonte nga shtëpitë ose ua rrafshonte ato me themel. Qëllimshëm i
rrënonte, i kthente në gërmadha, u vidhte dhe gurët. I linte pa themele. Pa një vend, pa një vatër të ngulur në këtë botë.
Pasardhës të këtyre shtëpive të armiqve banonin në kasolle, në plevica si të poshtëruar…
Për këtë fakt flet poezia “Kur në dritare rri me mall” e poetit Genc Leka të pushkatuar më
1977, botuar edhe te revista “Illz”. Kur u arratis i ati i Gencit, shtëpinë e madhe të fëmijërisë,
banesën me dy kate të armikut, Bardho Leka, e rrëzuan rrafsh me tokën. Familja u shpërnda,
u internua. Mbas vitesh kur u mblodhën prapë, një i afërm u dha për banesë kasollen e tij.
Përballë kishin gurët e shtëpisë së babait. Genc Leka ka shkruar:
Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë
Më shfaqen si vegim përballë
gërmadhat e shtëpisë.
Pastaj më ngjan sikur bën zë
E drojtur fëminia,
Që fle atje mes gurësh përgjithnjë me ëndrrat e mia.
Të gjithë e kemi me vete një shtëpi të fëmijërisë. Ajo ka qenë shtëpia e lumturisë sonë.
Shtëpia e Parajsës. Me kohë atë e humbasim. Ajo shtëpi mbase është diku. Është këtu, është atje… është në tokë a në qiell.
Sot Havzi Nelën e bëtë me shtëpi. Havzi Nela e ka prapë një çati mbi krye. Ngulur atje te
themelet e shtëpisë së vjetër. Ju e kthyet në shtëpinë e lumturisë, atje ku u ndje fëmijë,
djalë i ri, ku u bë dhëndërr.
Ju të Bashkisë së Kukësit keni bërë një vepër të madhe.
Me vete po thoshja: Sonte kur të erret, shpirti i Havzi Nelës do të shkojë të futet në shtëpinë
e tij të re. Mbase do të flejë atje.
Nuk i thashë se do të dukesha patetik. Por kaq herë i mendova.
3. “O liri, o vdekje” – thirrje për liri, për dinjitetet njerëzor
Poezia “O liri, o vdekje” është shkruar pak muaj përpara se Havzi Nelaj (1934 – 1988) të linte internimin në fshatin Arrën.
Poezia lë të mendosh edhe për vetëvrasjen si rrugëdalje e poetit. (Ndaj rri dhe mendohem
jetës me i dhanë fund).
Më 13 qershor 1988, me një armë të vjetër në brez Havzi Nela braktisi internimin në fshatin Arrën. E kapën pas dy ditëve. Plagosjen e një polici ia quajtën akt terrorist dhe… e varën në litar për terrorizëm. Havziu varet në gusht 1988, Fukajama më 1989 do të shkruante për “fundin e historisë”.
Në gjyq Havziu ka pohuar se revolen e vjetër (që shkrepi një plumb e në të dytin u bllokua) e
mbante për të vrarë veten, pasi të shihte nënën për herë të fundit.
Mundet Havziu kishte zgjedhur vetëvrasjen, për t’i dhënë fund vuajtjeve që iu bënë të
padurueshme. “Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund”.
Por idetë, ndjeshmëria shpërthyese te poezia “O liri, o vdekje” nuk të përçojnë nga
nënshtrimi, por nga fyma e kundërshtimit.
Poeti në internim po përballej me frikën e vdekjes dhe turpin e të jetuarit në nënshtrim. Me
guximin që e karakterizoi gjithë jetën ai i kundërvihet situatës ekzistenciale të nënshtrimit,
ngrihet mbi veten dhe shqipton bindjen morale se të jetosh pa liri është një tradhti ndaj
vetes:
“T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue”.
Poezia është jo vetëm kryevepra e autorit, por është dhe një ndër poezitë e çmuara të shkruara në gjuhën shqipe. Poezi që meriton të mbetet në kujtesën kolektive të kohërave.
Ajo u shkrua në një kohë ku fjala e lirë ishte krim, u shkrua nga një poet që u dënua me
burgim, internim, deri me varje në litar.
Vargjet: “Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie/Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as
djalë”… të rrënqethin nga dhimbja e pa fund që ka plakosur mbi këtë njeri.
Poezia “O liri, o vdekje” shpërthen thirrjen për një jetë me dinjitet kundrejt një rruge të
mbijetesës me çdo kusht dhe kokulur ndaj robërimit, rrugë që e ndiqnin shumica.
Është një nga thirrjet më fisnike dhe më të bukura, pa dyshim më e madhja thirrje për liri
dhe dinjitet, që ka shqiptuar njeriu shqiptar i asaj periudhe 40-vjeçare.
“Jeta dhe vdekja duhen merituar…
Liria më thërret, vdekja nuk më tund”.
Është klithma personale dhe urgjente e Havzi Nelës së ngujuar, si një i vdekur për së gjalli.
Është klithma e mbytur e një populli që uli kokën, vuajti varfërimin, robërimin.
Me këto që thashë më lart, ndaj mendim tjetër nga ata që thonë se kjo është një poezi e
vetëvrasjes, poeza e njeriut në cakut e fundit të dëshpërimit, e ndeshjen primitive të njeriut
me lakuriqësinë e vdekjes (P. Shllaku).
Fjala poetike, si te këto vargje të Nelës, mund të mbajë peshën e një epoke duke dëshmuar njëhersh se poezia nuk është vetëm art, por edhe rezistencë.
Pak muaj pasi shkroi këtë
poezi, ai braktisi internimin dhe gjeti vdekjen. Kjo e bën poezinë jo vetëm një akt artistik, por
një dokument historik, një testament shpirti të pathyeshëm.
“Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi”?
Vargje si këto të çojnë te thelbi i poezisë: sfidë ndaj frikës, përqafim i sakrificës.
Simbolet kryesore të poezisë janë Liria, Vdekja, Robëria.
Liria nuk përbën një koncept abstrakt, por mishëron domosdoshmërinë jetike, është më e rëndësishme se vetë jeta.
Vdekja nuk shihet si fundi, por si një çlirim nga robëria, vdekja me nder mirëpritet nëse e
dikton një kauzë e drejtë, e lartë.
Robëria është turpi më i madh, një gjendje që nuk përputhet me shpirtin e një trimi.
Poeti përbuz mendësitë tradicionale të durimit dhe të shpresës, koncepte që justifikojnë mbijetësën e nështruar. “Me durim e shpresë nuk due të vdes”.
Poezi pa shumë zbukurime stilistike. Fjalët kanë peshën e gurit të malit, të vendit, janë të
ngarkuara me mendim dhe ndjenjë. E ndërtuar me vargje të shkurtra, të drejtpërdrejtë, me
një ritëm të ngjeshur, poezia përforcon urgjencën e mesazhit, e mesazhit të lirisë dhe të
dinjitetit: jo të mbetesh gur varri/jeta dhe vdekja duhen merituar.
O liri, o vdekje
Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi?
Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.
Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.
Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.
S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.
Arrën, nandor 1987.
P.S.
Me këtë ese hap librin tim të fundit “Te hiri i fjalës”.
E botoj në përkujtim të 10 gushtit…