Rudolf Marku: NJË PIKTURË MESJETARE DHE NËNTEKSTE BASHKËKOHORE
NJË PIKTURË MESJETARE DHE NËNTEKSTE BASHKËKOHORE
(madje dhe për realitetin e sotëm shqiptar)
Hipnotizuesi, 1502 , i Hieronymus Bosch.
Hieronymus Bosch është njëri ndër piktorët e mi më të preferuar.
Lindi në vitin 1450 dhe vdiq në vitin 1516. Kam shkruar dhe herë të tjera për të, dhe duket se do vazhdoj të shkruaj sa herë që të më jepet rasti të ri- shoh një pikturë të tij.
Në fakt, i kam parë të gjitha pikturat e Bosch -it, ai pikturoi gjithsej veç 27 vepra, por ai është njëri ndër ata krijues të të kësaj bote, që sa herë sheh a lexon a dëgjon një vepër të tij, të duket sikur e zbulon së pari.
Hieronymus Bosch lindi në qytetin e s-Hertogenbosch, pranë Antwerpit. E kam vizituar këtë qytet tre a katër herë. Është një qytet holandez, nga ata që në standartin e këtij vendi, mund të quhet as i madh dhe as i vogël. Por një qytet tipik holandez- me një klas, rregullsi dhe pastërti që lë pas shumë qytete emermëdhenj të Eurpoës.
Bosch mendohet se e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në qytetin e lindjes, ndonëse familjen mendohet ta kishte me origjinë nga Aacheni i Gjermanisë, qytet pak a shumë nja njëqind kilometra larg nga s-Hertogenbosch. Ndër pikturat më të famshme mund të përmendim “Krishti i tallur” – një vepër e hershme, njëra prej shumë veprave që paraqesin episode nga Pasioni i Krishtit.
Por vepra më e famshme e Bosch-it është “Kopshti i kënaqësive tokësore” , që ndodhet në Prado, Madrid. Që në shekullin XVII, Van Manderi, një admirues tjetër i Bosch-it, pat shkruar: “…e kush do të jetë në gjendje ndonjëherë t’i rrëfej të gjitha idetë e çuditshme dhe të pazakonta që gjenden në mendjen e Heronimus Bosch-it? Dhe aq më tepër të flas për mënyrën se si ai shprehet me penelin e tij? Ai pikturon pamje të tmerrshme.”
Megjithë paralajmërimin e Van Manderit, vepra e Bosch-it ndikoi te Bruegel-i në shekullin XVI. Pikturat e tij u mblodhën nga Filipi II i Spanjës, ndërsa në shekullin XX ato u përmendën nga Surrealistët, dhe në mënyrë të veçantë nga pak-mirënjohësi Salvador Salí , si pararendës i vizioneve të tyre.
Ditët e fundit pata rastin të ri-shoh dhjetë vepra të Boschit, të vendosura një një salon të veçantë të Galerisë Tate (The Old Tate, Pimliko), pranë salloneve ku këto ditë është hapur dhe Ekspozita e shumë pritur e Frida Kahlo-s.
Mendova të shkruaj disa rrjeshta për njëren nga pikturat e Bosch-it, ngase m’u duk -siç do thonin kritikët tanë të dikurshëm apo dhe një studjuesve moderne, lehtësisht e mallëngjyer pas pikturave me luftëtarë muskulozë dhe me mustaqe, është ‘’shumë aktuale dhe me temën e ditës.’’
Piktura quhet, në anglisht,The Conjurer, çka fjalorët e përkthejnë Magjistari. The Conjurer është marifetxhiu i cirkut a i rrugës së madhe, që bën truke iluzive përpara turmës së njerëzve. Për vete do preferoja ta quaj Prestigjatori-ndonëse dhe kjo fjalë jo Shqipe.
Mendohet se kjo vepër u realizua mes viteve 1500-1502.
Në të majtë të tabllos është dhënë një turmë vëzhguesish, spektatorë, për të cilët do flasim hollësisht më poshtë. Në mes është vendosur tavolina që ndanë shikuesit kureshtarë dhe të hipnotizuar nga vetë prestigjiatori. Në të djathtë është prestigjator i veshur me një mantel të kuq.
Një burrë i veshur mirë përkulet, i përqendruar mbi topthin (dikush thotë është -një gurë i çmuar, një perlë), ndërsa nga goja e tij dalin bretkosa. Pas tij, një hajdut i vjedh kuletën me para. Një fëmijë e vëzhgon skenën i zbavitur nga budallallëku i burrit.
Shihet që në fillim se piktura synon të na paraqes raportin mes prestigjiatorëve, hipnotizuezuesve, dhe turmës argëtuese. Të parët e mahnisin publikun me truket dhe mashtrimet e tyre..
Por piktura e një gjeniu si Bosch-i nuk mund të ishte thjesht piktura e një truku. Ashtu si të gjitha veprat e Boschit , ajo na udhëheq, si një Virgjil i mirë, përmes Ferrit dhe Kthinave të tij, përmes simboleve të fshehura,përmes ideve të cilat rezonojnë me çka ndodh a mund të ndodh në çdo kohë me qëniet njerzore.
Në qendër të vemendjes qëndron Prestigjatori, figura e veshur me të kuqe që dallohet nga të tjerët. Në ikonografinë mesjetare, ngjyra e kuqe shpesh simbolizonte pasionin dhe tundimin.
Në dorë ai mban topthin e vogël apo margaritarin, me sa duket duke hipnotizuar spektatorin që qëndron përballë tij. Ky akt i hipnozës dhe mashtrimit është thelbësor për të kuptuar rolin e Prestigjatorit në pikturë. Prestigjatori nuk është thjesht një argëtim, por një simbol i gënjeshtrës dhe i mashtrimit. Aftësia e tij për të larguar vëmendjen e spektatorve nga realiteti dhe për të krijuar një iluzion, përfaqëson mënyrën se si njerëzit mund të manipulohen lehtësisht nga pamjet sipërfaqësore.
Personi i mashtruar nuk është identifikuar në mënyrë të qartë, por duket se është një njeri i pasur dhe me pozitë, duke marrë parasysh veshjen dhe kontekstin e epokës. Shprehja e tij e habisë dhe mënyra se si është përkulur tregojnë se ai është plotësisht i përfshirë nga truku i hipnotizuesit.
Nga goja e tij del një bretkosë, një simbol i ngarkuar me konotacione negative. Në kontekstin mesjetar, bretkosat shiheshin si krijesa të papastra dhe shpesh lidheshin me djallin dhe herezinë. Shfaqja e bretkosës nga goja e spektatorit mund të simbolizojë naivitetin, besueshmërinë e tepruar dhe marrëzinë, duke sugjeruar se mashtrimi i magjistarit e ka ndotur shpirtërisht dhe moralisht spektatorin.
Në Librin e Zbulesës, bretkosat përmenden si shpirtra të papastër që dalin nga goja e Dragonit, Bishës dhe profetit të rremë. Kjo e forcon idenë e fjalëve të korruptuara, mashtrimit dhe gënjeshtrës.
Bufi në shportën e magjistarit është një tjetër element intrigues. Në ikonografinë mesjetare, bufët shpesh simbolizonin errësirën, padijen dhe rrezikun. Ose, në kontekstin e kesaj pikture, bufi mund të përfaqësojë mençurinë dhe dijen e shtrembëruar, të përdorura për qëllime dashakeqe.
Prania e bufit në shportën e magjistarit lidhet me idenë e mashtrimit dhe manipulimit të të tjerëve. Ndërkohë, ndihmësi i magjistarit, i cili shihet duke vjedhur kuletën e spektatorit të mashtruar, e përforcon idenë se Magjistari është më shumë se një argëtues: ai është një mashtrues që përfiton nga naiviteti i publikut.
Bashkëpunimi midis Magjistarit dhe ndihmësit të tij që vjedh kuleten lidhet me një kritikë më të gjerë ndaj korrupsionit dhe mashtrimit në shoqëri. Ky akt vjedhjeje nuk është thjesht një shkelje e vogël në kontekstin e pikturës.
Prestigjiatori dhe ndihmësi i tij shfrytëzojnë naivitetin dhe besimin e njerëzve të zakonshëm. Bosch-i,ky piktor i madh, nuk ngurron të na tregojë se sa i lehtë është mashtrim i njerëzve nga hipnotizuesit dhe mashtruesit, se sa lehtë turma është e obsesionuar dhe e budallalllepsur në atë shkallë, sa në vënd që të shoh nga vendi ku po ndodh vjedhja e kuletës, sheh në drejtimin diametralisht të kundërt, tek Hipnotizuesi…Një e vertetë groteske, intelekt-fyese,tragjike që do të ekzistojë gjatë gjithë shekujve, duke përfshirë dhe kohën tonë prej pesëqind vitesh larg nga koha e Bosch-it.
Mes vëzhguesve të skenës janë disa figura që janë të shastisur nga truku i hipnotizuesit. Mes tyre mund të dallojmë edhe një figurë që duket se është një person fetar, dhe pak më tej, një murgeshë, si një sugjerim i Bosch-it se edhe përfaqësuesit e Kishës (sot mund të thonim- dhe përfaqësusesit e Drejtësisë), edhe ata që duhet të jenë modele të drejtësisë dhe moralit, mund t’i nënshtrohen tundimit dhe mashtrimit.
Kësisoj, Bosch thekson dobësinë njerëzore dhe nevojën për një besim autentik dhe personal.
Ka ende disa elemente për t’u analizuar, si fëmija që vëzhgon personin e mashtruar ose qeni i fshehur nën tavolinë.
Fëmija, i cili mban një lodër në formën e një mulliri me erë, është një tjetër detaj domethënës. Shprehja e fëmijës, ndryshe nga ajo e spektatorit të mashtruar, përfaqëson pafajësinë dhe kureshtjen e një shpirti që ende nuk është korruptuar.Fëmija është qënia e vetme e tabllos që nuk është ende i korruptuar!
Tavolina e magjistarit është e mbushur me objekte që, në shikim të parë, duken si mjete të zakonshme të një iluzionisti: gota, toptha dhe një shkop magjik. Megjithatë, këto objekte mund të interpretohen edhe si mjete të një rituali profan, ose dhe si një ide e Bosch-it se gjerat, që të mund të manipulohen, që të mund të fshehin korrupsionin dhe gënjeshtrën, duhet të duken së pari si legjitime ose të adhurueshme.
Në këmbët e Magjistarit ndodhet një qen i vogël me një kapelë kllouni. Në Mesjetë, ashtu si dhe në ditët tona, qentë simbolizojnë besnikërinë dhe vigjilencën. Por piktura e Bosch-it e përmbys dhe këtë traditë . Qeni me kapelën e kllounit përfaqëson talljen dhe marrëzinë.
Ai tregon se e gjithë shfaqja e Magjistarit është një tallje me inteligjencën dhe arsyen. Prania e qenit e përforcon idenë se publiku, përfshirë edhe spektatorin e mashtruar, po tallet dhe poshtërohet, se e vërteta dhe arsyeja po përqeshen dhe diskreditohet gjatë procesit të mashtrimit.
Në këtë mënyrë, e gjithë skena bëhet një lloj teatri, duke krijuar një alegori komplekse mbi besueshmërinë njerëzore, korrupsionin, mashtrimin dhe hipokrizinë.
A nuk ju duket si një pikturë e ditëve tona?