Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Skica poetike

*
Përhera mbi det…
shoh
perëndimin

asnjëherë retë.

*
Nuk jetova fëmini currilash
as kodër me far
mbi kokë,

Harta ime është Shushica
vetëtima e jugut
me parzmore
hejesh
gjoks.

*
Sythet e reve
mbijnë këtu
tjetërkund,

jetoj
më mirë
me retë

se me rreshkjen
pluhurin e zymtë.

*
Deti jeton etjen e vet…

Herët e pashë
e njoha
ai ecën shpejt para meje
më ngadalë e me shpejt
se bota

asnjëherë s’e pashë
të me mbulonte krejt..

*
Jugu plot rreze, rreze plot rrezm,
Jugu gazmohet, hov përpjekjet
diku na mban
diku na lë
heshtje
të zezë.

E zezë heshtja?

O ç’fat shkruar, o ç’fatbardh…

Njeriu hesht kur eshtrat
i kërcasin plot zëra
tinguj e fletëza
dallgë të reja

jo për varr.

*
Qetë – qetë fle, trazuar
përmbys, në brinjë,
0, mos lëndofsha
as afshin tënd
nga shtati yt
lëndinë.

Pa u ndi përgjum’ shpejt veten
humba rrezesh, sythe resh,
ti bie mbi mua
jo anës

thellë deteve

plot dallgë
lëndina haresh.

*
Gishtat luajnë në pianon e detit
me valë më të kaltra
hutime shpendi.

Hare, pakogjë.

Deti sheh veten aty ku e bredhim
me këmbë me krahë
edhe me zë.

*
Rrokulliset një degë
vetull këputur,
kryet
po lart

sytë nuk shohin turbullt.

Më mbështjell
një gjeth
flutur.

*
Pjergulla e mbrëmjes
në Currila
shpejt
rrethohet
nga një tis i ëndërrt,

Të dashuruarit
pjergullojnë
fshehtas
jo
fshehtas

veç zemër.

*
Kufiri këtu
matanë kufiri,
viti jeton
me tjetër gjuhë

në të njëjtin dimër hiri.

*
Retë
gjer
në thua
shkundin gishtat,

Nga retë
shirat lulëzojnë

currilat freskojnë
nuk i përmbytin currilat.

*
Deti
i sheh të gjitha,
gjithçka nën ujëra xhvesh,

Deti nuk skuqet,
skuqet gjer tek thinjat
e njeriut që duket sikur mbyll sytë
sikur i ka harruar hutimet aq pabesë.

*
Flu-bardh’ unë quaj çdo pulëbardhë
përhera lart në mes të fluturimit
dhe nëse do plagosej krahëve
ajo
do përpiqej të ndihej e gjallë
do kërkonte jo ecjen
por të përpjetave
ngadhnjimin.