Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Ibërshimi: “KUR KUJTESA MERR FORMË GRUAJE“

Dua ta nis këtë shkrim me një pyetje të thjeshtë, por që peshon rëndë mbi secilin prej nesh: Sa prej nesh janë larguar vërtet nga e shkuara e tyre?
Disa libra, na japin përgjigje për këtë pyetje si vëllimi me tregime “Gruaja që endej hijeve” i Irena Dragotit. Atë nuk e mbyll me faqen e fundit dhe ta rreshtosh në bibliotekë si pjesë të një statistike. Pasi ai ngacmon kujtesën, e nuk rrëfen thjesht histori, por të detyron të kthesh shikimin nga vetja, nga e shkuara jote.
Që në titull, hyjmë në një botë të dendur simbolesh ku gruaja nuk është thjesht personazh gjinor apo një emër i përveçëm. Ajo shndërrohet në bartëse e kujtesës, brishtësisë dhe, mbi të gjitha, qëndresës njerëzore. Ndërsa “hija”, ky koncept sa abstrakt aq edhe i dukshëm, nuk përbën mungesë drite por prani e së kaluarës brenda nesh. Janë kujtimet tona, pengjet që nuk u dhamë dot drejtim, plagët që vazhdojnë të kullojnë në heshtje dhe dashuritë që nuk i përmbushëm dot. Prandaj, titulli nuk shërben vetëm për të pagëzuar tregimin e parë, por kthehet në çelësin e artë për të hapur dyert e të gjithë librit.
Edhe pse ky vëllim përbëhet nga dhjetë tregime të pavarura, me subjekte dhe personazhe të ndryshme, gjatë leximit krijohet përshtypja e një tërësie organike. Librat me tregime shpesh vuajnë nga shpërhapja, por Irena ka arritur të ndërtojë një univers me një bosht të vetëm emocional. Është një mozaik ku çdo pjesëz ka ngjyrën e vet, por të gjitha së bashku pikturojnë të njëjtën tablo, njerëzoren përballë kohës.
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje gjatë leximit është pozicioni që mban autorja ndaj materies së saj letrare. Në një kohë kur letërsia shpesh tenton të moralizojë apo të ndajë botën me thikë në të mirë dhe të këqij, Irena Dragoti zgjedh një rrugë tjetër, shumë më të vështirë, por më fisnike. Ajo nuk ofron përgjigje të gatshme dhe nuk bën gjykatësen. Personazhet e saj janë thellësisht njerëzorë, pikërisht sepse janë të zakonshëm, me dobësitë e tyre, me gabimet e pafalshme, me pendesat e vonuara dhe me zgjedhjet e vështira që u imponon jeta. Kjo i bën ata absolutisht të besueshëm. Ti nuk i sheh ata nga poshtë a lart, ti ecën krah tyre.
Në këtë vepër, kujtesa nuk është muze i pluhurosur ku ruhen sendet e vdekura të së shkuarës por energji e forcë e gjallë që formëson të tashmen dhe çdo pore të identitetit njerëzor. Përjetimet e fëmijërisë, marrëdhëniet familjare, trauma e diktaturës, drama e emigrimit dhe zbrazëtia e humbjeve nuk mbeten pas. Ato udhëtojnë me personazhet, pavarësisht distancave gjeografike apo kohore që ata vendosin mes vetes dhe vendlindjes.


“Tregimet që mbajnë peshën e përmbledhjes”

Për të kuptuar më mirë këtë arkitekturë të veçantë letrare, po ndalem te tri tregime që, sipas gjykimit tim, përbëjnë boshtin artistik dhe tematik të kësaj përmbledhjeje: “Gruaja që endej hijeve”, “I tepërt” dhe “Dosja 16”. Këto ndërtojnë një panoramë të plotë të marrëdhënies së individit me tri shtylla të fuqishme: shoqërinë, familjen dhe historinë.


1. “Gruaja që endej hijeve” – Konflikti i individit me moralin kolektiv

Tregimi që mban titullin e vëllimit është një anatomi e shkëlqyer e mënyrës se si shoqëria ndërton, gjykon dhe shpeshherë shkatërron figurën e gruas. Rrëfimi i Eglës përmes syve të një adoleshenti vjen si një grua magjepsëse, elegante, e rrethuar nga një aureolë misteri. Por, me zhvillimin e ngjarjeve, autorja gërmon pas kësaj fasade të bukur dhe zbulon një realitet të zymtë, një jetë të mbushur me vetmi therëse, me mungesë dashurie dhe me kufizime të panumërta, të detyruara nga mjedisi.

Vlera e madhe e këtij tregimi qëndron te fakti se Egla nuk vizatohet si viktimë bardhezi dhe as si një fajtore absolute. Ajo është komplekse, ka pjesën e saj të gabimeve, por ka edhe arsyet e saj shpirtërore. Tragjedia e vërtetë e Eglës nuk buron nga gabimet që ajo bën, por mjedisi patriarkal. Dënimi i saj më i rëndë nuk vjen nga gjykatat apo ligji i shkruar, por nga paragjykimi shoqëror. Ajo përjashtohet moralisht nga kolektivi, shndërrohet në një histori që pëshpëritet nëpër qoshe me përçmim. Përmes këtij fati, autorja ngre gishtin drejt një të vërtete të dhimbshme, gjykimi kolektiv mund të jetë shumë më i pamëshirshëm dhe më vrasës se çdo dënim zyrtar.

Duhet vlerësuar gjithashtu finesa e simboleve në këtë tregim. Pema e fikut nuk është thjesht peizazh apo dekor. Ajo është dëshmitarja e heshtur e sekreteve, ëndrrave dhe iluzioneve të Eglës. Kur kjo pemë pritet, prerja simbolizon fundin tragjik të identitetit të personazhit.

2. “I tepërt” – Plagët e familjes shqiptare në vitet ’90 dhe triumfi i faljes


Te ky tregimi autorja zhytet pa mëshirë në botën e brendshme dhe në marrëdhëniet më intime, ato të gjakut.
Personazhi kryesor, Altini, rritet me bindjen e se nuk ka qenë i dëshiruar në këtë familje. Të qenit “i tepërt” bëhet plaga qendrore e identitetit të tij, një traumë që reflektohet në një vuajtje fizike kronike: urinimin e pavullnetshëm (enurezën) që e shoqëron gjatë rritjes dhe e kthen në objekt talljeje nga bashkëmoshatarët. Autorja tregon me një ndjeshmëri të lartë se sa thellë mund të ulen në qenien e një fëmije traumat emocionale dhe braktisja.
Megjithatë, merita e madhe e autores është se ajo nuk e lë tregimin të zhytet në fatalizëm e dëshpërim pa rrugëdalje. Historia shndërrohet në rrugëtim shprese dhe transformimi. Altini , personazhi kryesor zgjedh dijen, punën e palodhur, duke u bërë mjek. Ky profesion fiton një kuptim të thellë metaforik kur ai përpiqet të shërojë të tjerët, ndërkohë që në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, kërkon shërimin e plagës së tij të vjetër.
Kulmi emocional i tregimit, është momenti i përballjes së Altinit me babanë, njeriun që mendonte se e kishte braktisur. Në një situatë të tillë, logjika e rrëfimit do të kërkonte hakmarrjen apo urrejtjen. Por, këtë çast gjaku fal thotë autorja me një pjekuri njerëzore dhe artistike. Autorja përcjell mesazhin se forca e vërtetë e individit nuk qëndron te shkatërrimi apo mundja e tjetrit, por te kapërcimi i plagëve që mbajmë brenda vetes.

3. “Dosja 16” – Pesha e historisë dhe mekanizmi i frikës


Ndryshe nga dy tregimet e para që fokusohen në drama më personale, “Dosja 16” e zgjeron këndvështrimin, duke kaluar nga drama individuale drejt dramës së madhe kolektive të një populli. Ky nuk është thjesht një tregim tjetër rreth krimeve të diktaturës por një studim i hollësishëm i mekanizmit të frikës dhe pasojave të saj shkatërruese mbi psikologjinë njerëzore. Autorja analizon me saktësi kirurgjikale se si regjimet totalitare synojnë pushtimin e mendimeve, të ëndrrave, të sekreteve dhe të ndërgjegjes së individit.
Hapësira ku zhvillohen ngjarjet është shkolla. Një vend që duhet të jetë tempulli i dijes dhe i lirisë, nën këtë regjim shndërrohet në një hapësirë të errët dyshimi, survejimi dhe kontrolli mbytës. Autorja ndërton këtu një paradoks rrëqethës dhe tejet real të asaj periudhe, kthimin e meritës dhe dijes në një burim rreziku. Në një sistem normal, konspekti më serioz dhe i shkëlqyer i një nxënëseje do të meritonte lëvdata. Por nën mekanizmin e frikës totalitare, “Dosja 16” shndërrohet menjëherë në një objekt dyshimi. Suksesi zgjon paranojën e mësuese Marjetës dhe e degdis nxënësen në zyrën e drejtorit për hetim politik. Përmes këtij detaji, proza e Dragotit kap saktë absurditetin e një kohe ku të qenit i zoti apo i mençur nuk kishte vlerë para biografisë.
Edhe këtu, autorja refuzon skematizmin bardhezi. Mësuese Marjeta paraqitet si produkt i frikshëm i kohës së saj, një grua që sistemi e ka gjymtuar shpirtërisht, duke e mësuar të jetojë me dyshimin e përhershëm ndaj tjetrit. Shprehja popullore e asaj kohe, “Edhe muret kanë veshë”, në tregim, përmbledh atmosferën e asaj epoke ku heshtja ishte e vetmja mënyrë e sigurt për të mbijetuar.
Figura e babait, si figura e dytë më e rëndësishne në tregimet e Irena Dragotit endet ndërmjet autoritetit absolut dhe plagës së braktisjes
Nuk mund të bëhet një analizë e plotë e këtij vëllimi pa u ndalur te figura e babait, si bosht rregullator i fateve të personazheve. Te tregimi i parë, babai është ai që mbjell vreshtin dhe prodhon raki. simbol i autoritetit patriarkal dhe shpesh i konflikteve apo “mollës së sherrit”. Ai dikton në mënyrë të panegociueshme marrëdhëniet me fqinjët, duke ngritur sherre për kufijtë e duke vendosur konturet e botës familjare.
Kjo figurë pëson një thyerje dramatike te tregimi “I tepërt”, nga ndëshkuese e fëmijërisë që “ma tundi veshin vendit”, në një mungesë therëse pas kapërcimit të murit të ambasadës franceze dhe supozimit të braktisjes familjare. Më pas, në finalen e tregimit, shfaqet si një viktimë e brishtë e sëmundjes në spital. Përmes këtij evoluimi, Irena Dragoti tejkalon atë babain shtypës apo braktisës, dhe e vizaton si qenie njerëzore komplekse, me sakrifica, disiplinë dhe gabime që lënë shenja të pashlyeshme në zhvillimin psiko-motor të fëmijëve.” Varrosur për së gjalli, babai i dorëzohet patriarkalizmit dhe gjykimit kolektiv, kurse në tregimin “ Pranimi” vjen kulmi i autoritetit patriarkal kur këmben të bijën me një lopë.
Vlerat stilistike, gjuhësore dhe artistike të veprës do ti nisja nga gjuha e saj pa artifice të jashtme apo zbukurime por me saktësi mendimi dhe ekonomi fjale. Ky është stili i një autoreje që shkruan edhe poezi dhe që di ta bëjë fjalën të peshojë, pa e rënduar asnjëherë ritmin e brendshëm të rrëfimit.
Ajo që e dallon veçanërisht këtë vëllim është përdorimi i një fjalori të mirëfilltë psiko-somatik. Autorja nuk mjaftohet me përshkrimin abstrakt të ndjenjave,ajo e mishëron emocionin në trupin e personazheve. Ankthi, xhelozia dhe frika nuk mbeten koncepte mendore, por shfaqen organikisht te personazhet e të gjithë librit. Gjejmë kështu “një lëmsh në stomak, sa një maçok” te “Gruaja që endej hijeve”, “gjakun që hipën në kokë” e “gjunjët që priten’ te “I tepërt”, por edhe ndjesinë e frikës politike që te tregimet e tjera përshkruhet si “shija e limonit esëll, në shpirt”, apo tronditjen që të mpin duke të bërë “kockë e lëkurë”. Ky trajtim bën që proza të mos lexohet thjesht me mendje, por të ndjehet fizikisht nga lexuesi. Dragoti shquhet për një finesë metaforash, krahasimesh dhe simbolesh dëshmitare. Përshkrimi i personazheve bëhet përmes imazheve të ashpra e tejet të sakta të realitetit. Autorja përdor krahasime goditëse, si mësuese Marjeta që “shëmbëllente me Leporelën e Cvajgut”, Egla që “lodronte si shtojzovalle”, apo djaloshi që valëvitet rrugëve “si varkë me vela në një lumë të qetë”.
Elementet e peizazhit zbresin si zgjatime të shpirtit të personazheve në mjaft tregime. Në tekst hasim “litarët e shiut që lëpiheshin xhamave”, “vapën e murrme”, si dhe rrugët tranzitore që mjegullohen plotësisht, ku vetë personazhet lëvizin e përhumben “si hije”.
Shtëpia, kopshti, vreshti dhe pema e fikut përdoren si hapësira mitike ku lind identiteti. Pema e fikut me “hije të rëndë” bëhet dëshmitare sekretesh, vreshti kthehet në “mollë sherri”, ndërsa muret e holla prej baltë e kallami që pikojnë nga shiu kthehen në simbol të varfërisë mbytëse dhe izolimit të familjes.
Sintaksa e këtij vëllimi karakterizohet nga një dinamikë e lartë dhe një alternim i llogaritur i periudhave frazeologjike. Copëzimi sintaksor dhe frazat e kursyera eliptike përdoren në çastet e kulmeve dramatike për të imituar ritmin e shpejtuar të frymëmarrjes dhe tronditjen. Ky model shpërthen në dialogët e tensionuar: “Është im atë! Ndaloni! Mos e dërgoni në morg!”, apo në reagimet e prera si “Jo!/ Kthehem pas pak/ Kush leu, mendt’ e veta pëlqeu”. Këto sekuenca të shkurtra i japin tekstit një tension të pastër dramatik.
Ndërton një sintaksë të shtrirë ku dialogët autentikë ndërthuren me frazeologjizmat dhe shprehjet idiomatike popullore si “lakra në kopësht”, “kopsitur jetën”, “ia bënte tetë me dy” apo “flinte për shtatë palë qejfe”. Këto zgjedhje i japin gjallëri tekstit dhe e lidhin organikisht me kulturën, zakonet dhe kodet e traditës shqiptare.
Përmes kësaj arkitekture, Irena Dragoti dëshmon se ritmi i frazës, muzikaliteti i gjuhës dhe ndërtimi i imazheve poetike nuk e zbehin realizmin e rrëfimit.
Një nga vlerat e këtij vëllimi është mënyra se si Irena Dragoti ndërton rrëfimin. Autorja lëviz natyrshëm nga rrëfimi në vetën e parë te ai në vetën e tretë, duke i dhënë secilit tregim mundësinë e depërtimit në botën e brendshme të personazheve. Kur rrëfimi zhvillohet në vetën e parë, krijohet marrëdhënie e drejtpërdrejtë me personazhin, ndërsa rrëfimi në vetën e tretë ruan një distancë artistike dhe ndërton një pamje më të gjerë të realitetit shoqëror.
Dragoti shmang skematizmin dhe u jep personazheve një zhvillim të natyrshëm psikologjik, duke bërë që lexuesi të mos i gjykojë, por t’i kuptojë. Pikërisht kjo aftësi për të depërtuar në konfliktet e tyre të brendshme e bën rrëfimin bindës dhe emocionalisht të fuqishëm.
Një element tjetër që bie në sy është ritmi i rrëfimit. Autorja alternon me mjeshtëri episodet me tension të lartë emocional me çaste reflektimi dhe qetësie, duke krijuar një ekuilibër që e mban vazhdimisht zgjuar interesin e lexuesit. Kjo mënyrë ndërtimi dëshmon pjekuri artistike dhe kontroll të plotë mbi strukturën narrative.
Të marra së bashku, të dhjetë tregimet e këtij vëllimi ndërtojnë një udhëtim që na çon nga realiteti i jashtëm drejt skutave më të fshehura të botës sonë të brendshme. Megjithëse rrugët e personazheve janë të ndryshme, të gjithë në fund të ditës kërkojnë të njëjtën gjë: të drejtën për të jetuar me dinjitet, dëshirën për t’u kuptuar dhe përpjekjen e jashtëzakonshme për të gjetur paqe me vetveten.
Sipas Irenës, njeriu nuk përcaktohet vetëm nga ajo që i ka ndodhur, por nga mënyra se si arrin ta kuptojë, ta falë dhe ta kapërcejë të shkuarën”.
Fundi i librit, nuk na lë në gojë shijen e hidhur të dhembjes apo pesimizmit por një ndjenjë pajtimi me jetën. Ai na rikthen te kujtimet tona, jo për të mbetur peng apo viktima të tyre, por për t’i pranuar ato dhe për të ecur përpara me urtësi.
Tashmë, secili prej nesh e ka përgjigjen e pyetjes me të cilën e nisëm këtë bisedë.

– Sa prej nesh janë larguar vërtet nga e shkuara e tyre?
Unë mendoj se askush nuk largohet plotësisht nga e shkuara. Por letërsia, si kjo e Irena Dragotit, na mëson se mund të mësojmë të jetojmë me të.